Rigjallërimi i ciklit të emigracionit, të ardhurat nga remitancat në nivelin më të lartë në 6 vjet

Sep 10, 2018 | 18:44
SHPËRNDAJE

Pas viteve ’90, dërgesat e emigrantëve kanë qenë një burim i rëndësishëm të ardhurash për shumë familje, sidomos të zonave të varfëra dhe rurale. Por, pasi arritën kulmin në vitin 2008, ato filluan rënien, si një reflektim i maturimit të ciklit të emigracionit, ku pas 10-15 vitesh të ikurit fillonin e shkëpusnin lidhjet me familjet në Shqipëri.

Rënia vijoi deri në 2013-n dhe më pas ato iu kthyen sërish tendencës rritëse fillimisht të lehtë.

Në gjashtë muajt e parë të  2018-s, emigrantët sollën në shtëpi 331 milionë euro, me një rritje prej 11% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është niveli më i lartë në 6 vjet, që prej vitit 2012.

Capture-14

Rigjallërimi i ciklit të emigracionit mbetet sipas ekspertëve, arsyeja kryesore që po ndikon në këtë tendencë. Që nga viti 2013, rreth 157 mijë qytetarë shqiptarë kanë bërë kërkesë për azil, ku numri më i lartë ishte në 2015-n, me rreth 69 mijë persona, për të zbritur më pas në 33 mijë persona në 2016-n dhe 26 mijë në 2017-n. Këto shifra janë bërë të ditura në Raportin vjetor të situatës së azilantëve, të publikuar më parë nga Bashkimi Europian.

Në një tjetër tregues, atë për numrin e azilkërkuesve për herë të parë për 1000 banorë për secilin nga 20 shtetet që kryesojnë listën në vlerë absolute, Shqipëria renditet e para në botë, duke tejkaluar edhe azilkërkuesit që po ikin nga lufta dhe konfliktet, për shkak të popullsisë relativisht të vogël që ajo ka, prej 2.87 milionë banorësh. Për çdo 1000 banorë në Shqipëri, numri i azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian ishte 9, duke kryesuar top-listën. Të dytët renditen shtetasit nga Gambia, me 6.5 kërkesa për azil në çdo 1000 banorë, duke u ndjekur nga sirianët, të cilët po i ikin njërit nga konfliktet më të përgjakshëm që ka njohur bota, me 5.9 kërkesa për 1000 banorë, të renditur të tretët.

Edhe aplikimet për lotarinë amerikane nga shqiptarët janë tepër të larta. Rreth 367 mijë shqiptarë, (apo rreth 13% e shqiptarëve) i varen shpresat e tyre te “ëndrra amerikane” duke aplikuar për Lotarinë Amerikane dhe duke u renditur kështu të parët në Europë që kanë përqindjen më të lartë të popullsisë që aplikojnë për lotari. Krahasuar me vitin 2007, numri i shqiptareve që aplikuan  për Lotarinë Amerikane është dyfishuar, nga 173 mijë shqiptarë që aplikonin  në 2007-n, në 2018 numri i aplikimeve kapi shifrën rekord prej 367 mijë, sipas statistikave të Departamentit amerikan të Shtetit . Rritja e aplikimeve në Lotarinë Amerikanë ka qenë e lartë, veçanërisht pas vitit 2013.

Kjo rritje e lartë e fluksit të emigrantëve po shoqërohet me një rigjallërim të ciklit të remitancave, teksa ekspertët pohojnë se pas një periudhe një apo dy vjeçare që iu duhet atyre për t’u integruar në tregun e punës, fillojnë të dërgojnë para tek të afërmit. Ndryshe nga vitet e kaluar, ku Greqia dhe Italia ishin destinacioni kryesor i emigrantëve, preferenca ëhstë zhvnedosur drejt Gjermanisë, ku ka një kërkesë të lartë për punonjës, sidomos për infermierë, informaticienë, inxhinierë etj, që janë punë që paguhen relativisht mirë./Monitor.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura