Richard Thaler, fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi për vitin 2017

Oct 10, 2017 | 11:30
SHPËRNDAJE

anastas_angjeliPROF.ANASTAS ANGJELI

Akademia e Shkencave të Suedisë (Royal Swedish Academy of Sciences) në vazhdim të zhvillimit të ceremonisë së dhënies së Çmimit Nobel në fusha të ndryshme, sot ka akorduar edhe Çmimin Nobel në Shkencat Ekonomike për vitin 2017. Këtë çmim e fitoi Profesor Richard Thaler, për kontributin e tij në fushën e ekonomisë biheivoriste.

KUSH ËSHTË RICHARD THALER?

Richard Thaler, tashmë fitues i Çmimit Nobel në ekonomi, është Profesor i Shkencave Biheivoriste dhe i Ekonomisë në Universitetin e Çikagos. Studimet universitare i ka kryer në Case Western Reserve University ku është diplomuar në vitin 1967, dhe studimet pasuniversitare në University of Rochester, ku ka marrë diplomën Master në vitin 1970 dhe PhD në vitin 1974. Ka dhënë mësim në Universitetet e Rochester, në Cornel, në Universitetin e British Columbia, në MIT, në Stanford dhe në vitin 1995 ka filluar në Universitetin e Çikagos, ku vazhdon të japë kontributin e tij edhe sot.

Thaler konsiderohet si një nga studiuesit me kontributin më të madh në zhvillimin e ekonomisë biheivoriste, si në planin teorik, ashtu edhe në atë empirik.

ÇFARË ËSHTË EKONOMIA BIHEIVORISTE DHE STUDIMET E THALER-IT.

Ekonomia biheivoriste është një nga fushat kryesore më të rëndësishme e ndër më dinamiket të ekonomisë bashkëkohore. Ajo lidhet me studimin e ndikimit të faktorëve psikologjikë në vendimet që lidhen me çështjet ekonomike. Duke përdorur si teori ekonomike, ashtu edhe teori të psikologjisë dhe psikologjisë sociale, kjo fushë studimore ka si qëllim të analizojë efektet e faktorëve psikologjikë, emocionalë, konjitivë dhe socialë (sjelljet) në vendimet ekonomike të individëve, por edhe të institucioneve.

Kjo fushë studimore është pjesë integrale e shkencave ekonomike, por fokusohet kryesisht në studimin e asaj që mund të konsiderohet si racionalitet i kufizuar ose ndryshe kufijtë e racionalitetit, që e shpjeguar në mënyrë më të thjeshtë me ndikimet që psikologjia ka në vendimet ekonomike të njerëzve. Ekonomia biheivoriste ka kontribuar në krijimin e një kornize teorike, e cila ka hedhur dritë në analizimin e faktorëve që shtyjnë njerëzit të marrin vendimet e gabuara.

Këto vendime të gabuara mund të përsëriten në rrethana të veçanta, të cilat mund të parashikohen. Pra, kjo fushë e caktuar e studimeve ekonomike na jep mundësinë për të kuptuar kushtet që duhen krijuar në mënyrë që njerëzit të marrin vendime ekonomike më të sakta e më të drejta. Duke nisur nga fillimet e viteve 1980, kjo fushë studimore ka fituar një rëndësi të veçantë në teorinë ekonomike, gjë që vërtetohet edhe me vendimin e Akademisë për t’i akorduar Çmimin Nobel të sivjetshëm njërit prej pionierëve të kësaj fushe studimi.

Në studimet e tij, Thaler ka përdorur përqasjet e psikologjisë në analizat e vendimmarrjes ekonomike. Thaler ka vënë në dyshim hipotezat standarde të ekonomisë (që shpeshherë konsiderohen të mirëqena), sipas të cilave aktorët ekonomikë janë egoistë e racionalë dhe konsideron mundësitë që disa nga faktorët në ekonomi të jenë humane, njerë- zore. Pra, nuk duhet konsideruar si i mirëqenë fakti se njerëzit janë aktorë që veprojnë tërë- sisht në mënyrë racionale.

Shpeshherë ndodh që zgjedhjet tona të bazohen në faktorë psikologjikë dhe kjo gjë, siç tregojnë studimet e Thaler, mund të parashikohet. Një nga konceptet teorike më të interesante të themeluara nga Thaler është ai i “efektit të zotërimit”. Ky koncept përshkruan tendencën që kanë njerëzit për të vlerësuar më shumë objektet që zotërojnë. Një tjetër fushë interesante e studiuar nga Thaler është edhe ajo e rëndësisë që njerëzit i japin paanësisë (si koncept dhe si praktikë) dhe faktit që shpeshherë edhe pse kjo gjë mund të jetë kundër interesit të tyre, ata penalizojnë sjellje që i konsiderojnë si të padrejta.

Fokusi i kërkimeve të tij mbi ndikimin e faktorëve psikologjikë në vendimet që lidhen me çështjet ekonomike ka dhënë rezultate mbresëlënëse duke kontribuar jo vetëm me koncepte analitike, por edhe me rezultate empirike për të kuptuar dhe për të parashikuar më mirë sjelljen njerëzore. Studimet e tij jo vetëm që kanë ndihmuar studiuesit e tjerë duke i pajisur me një aparat konceptual të rëndësishëm dhe me rezultate konkrete, por i ka frymëzuar ata të zhvillojnë fushën e kërkimeve mbi ekonominë biheivoriste, duke e kthyer në një nga fushat më të rëndësishme të studimit në ekonominë bashkëkohore.

Thaler ka zhvilluar gjithashtu teorinë e kontabilitetit mendor, duke shpjeguar se si njerëzit thjeshtojnë vendimmarrjen financiare duke krijuar llogari të ndara në mendjen e tyre, duke u fokusuar më shumë në ndikimin e ngushtë të çdo vendimi individual sesa në efektin e përgjithshëm. Gjithashtu, Thaler konsiderohet si njëri prej themeluesve të fushës së financës biheivoriste, fushë që interesohet për ndikimin e kufizimeve njohëse në tregjet financiare.

Sipas jurisë së Akademisë, studimet e Richard Thaler kanë treguar se racionaliteti i kufizuar, preferencat sociale dhe mungesa e vetëkontrollit ndikojnë në vendimet personale, por edhe në rezultatet e tregut. Një kontribut tjetër i rëndësishëm është edhe studimi i ndikimit të preferencave sociale në marrjen e vendimeve ekonomike. Rëndësia e studimeve të Thaler merr një tjetër kuptim në epokën e sotme. Kriza e fundit financiare globale e filluar në vitin 2008 dhe gjithë pasojat që ajo pati thuajse në të gjithë botën treguan se shpeshherë vendimet ekonomike e financiare më të rëndësishme janë vështirë të shpjegohen pa marrë parasysh faktin se ata që vendosin janë njerëz.

Dhe njerëzit shpeshherë në vendimet që marrin shtyhen nga faktorë psikologjikë dhe socialë. Si qytetarët në vendimet e tyre të përditshme, ashtu edhe ata të cilët janë në pozicione që marrin vendime që ndikojnë jo vetëm jetët e tyre, por edhe jetët e milionave të tjerë nuk mund të shikohen të shkëputur nga ndikimet e faktorëve të sipërpërmendur. Një fushë e re në ekonomi, ajo e ekonomisë biheivoriste (ekonomia e sjelljes), lidhjet e ndërsjellta dhe ndikimi i faktorëve psikologjikë në vendimet që lidhen me çështje ekonomike dhe financiare, të sjella nga studimet dhe kërkimet, rezultatet dhe përfundimet e prof. Richard Thaler, u “shpërblyen” me “ÇMIMIN NOBEL NË EKONOMI PËR VITIN 2017”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura