Rezultati i zgjedhjeve të 14 majit, Salianji për Panorama TV: Opozita nuk duhet të jetë vetëm “qaramane”, duhet të ridimensionohet dhe të përballet me regjimin

May 30, 2023 | 7:56
SHPËRNDAJE

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, është shprehur se për herë të parë kryeministrin Edi Rama nuk e uroi asnjë personalitet nga faktori ndërkombëtar për fitoren në zgjedhje.

Komentet Salianji i bëri në një intervistë për Panorama TV, ku tha se kjo tregonte se në 14 maj nuk kishte pasur zgjedhje.

Ai shtoi se opozita nuk duhet të bëhet “qaramane” duke u ankuar gjithmonë për humbjen e zgjedhjeve, por duhet të ngrihet në lartësinë e duhur për t’u përballur me regjimin.

“Padiskutim që rezultati i 14 majit është jashtë pritshmërive. Nuk kishte njeri që ja rrokte imagjinata që do të ishte kështu. Prandaj po flasim për ridimensionimin e opozitës. Jemi në këto kushte, unë nuk bëj pjesë tek ata që janë qaramanë. Nëse merremi pas çdo zgjedhjeje me qaramanllëqe, do të mbetemi në vend.

Nëse kryeministri vendos, se e pashë edhe sot, që të godasë grupin tuaj mediatik, do ta bëjë për shkak se e sheh si kundërshtar. Ka reagim nga faktori ndërkombëtar, por mesa e ndjek unë politikën, ka edhe një element tjetër, për herë të parë shoh që nuk ka një urim për kryeministrin që fitoi zgjedhjet. Do të thotë se praktikisht nuk ka pasur zgjedhje, kanë qenë votime me përpjekje dhe dhunë të fortë shtetërore.

Afera “McGonigal” nuk ndikoi në rezultatin e zgjedhjeve, sepse nuk ka pasur zgjedhje. Kur zgjedhjet grabiten, nuk ka ofertë politike, ka vetëm tallava, ndonjë batutë aty-këtu. Politika është një përballje ofertash elektorale. Unë mendoj se ajo është një ndër çështjet më të rënda ku është përfshirë një kryeministër. Nuk ka pasur asnjë hetim të nisur nga institucionet e drejtësisë shqiptare për një çështje që qëndroi në qendër të vëmendjes së mediave botërore për rreth 2 muaj.

Një prej elementëve që e bën politikën të jetë më e shpifur është edhe kjo, që futi ndonjë batutë, dëgjo ndonjë tallava. Kur jemi në këtë bilanc që kandidatët nuk kanë me çfarë të ballafaqohen, atëherë do të kemi edhe këtë lloj fushate.

Ka pasur edhe një parti tjetër përpara 2 zgjedhjeve që ka marrë 17 mijë vota, por shuhen shpejt. Demokratët kanë potencialin që të rikthehen shumë shpejt në pushtet, pa qenë nevoja për krijimin e forcave të reja politike”, u shpreh Salianji.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura