Rezultatet e Shqipërisë, FIFA: Me De Biazin kanë të ardhme të sigurt

Aug 27, 2015 | 14:22
SHPËRNDAJE

Momenti mjaft i mirë që po kalon kombëtarja shqiptare, ka bërë faqja zyrtare “FIFA.com” t’i kushtojë një artikull special njeriut që po e udhëheq drejt këtyre sukseseve ekipin kuqezi. Në këtë shkrim thuhet se Kombëtarja shqiptare ka pësuar një rritje mjaft të madhe në 4 vitet e fundit.

Lajmi ne faqen e FIFA-s
Lajmi ne faqen e FIFA-s

“Para 4 vitesh Shqipëria renditej e parafundit në grup për “Euro 2012”, ndërsa sot është në vend të dytë dhe ka shanse reale për të qenë mes 24 skuadrave pjesëmarrëse në Francë vitin e ardhshëm. Pikërisht pas përfundimit të aventurës së 3 viteve më parë, skuadra iu besua Xhani De Biazit. Me italianin në stol, e tashmja dhe e ardhmja e Shqipërisë nuk ka qenë asnjëherë më e ndritur. Megjithatë, në intervistën e dhënë për FIFA-n, De Biasi e ka të qartë rrezikun që vjen së bashku me suksesin” thuhet në hyrjen e këtij shkrimi.

De Biazi “Aktualisht jemi në një pozitë fantastike. Jemi krenarë dhe të lumtur për atë që po bëjmë. Por, situata në të cilën ndodhemi do të thotë gjithashtu që duhet të japim më të mirën tonë në të gjitha sfidat. Praktikojmë një futboll tërheqës dhe rezultatet janë të mira. Nuk mund të jemi më të lumtur se kaq. Kjo që po bëjmë është e jashtëzakonshme, por nuk mund t’ia lejojmë vetes të shpërqendrohemi nga kualifikueset dhe të nisim të mendojmë për fazën finale të Europianit. Rruga drejt Francës ështe e gjatë dhe plot të papritura. Nëse mendojmë se e kemi arritur suksesin do të mposhtnim veten”, – shprehet De Biazi.

Trajneri kuqezi flet për edhe për ndeshjen e radhës të shtatorit në Kopenhagen me Danimarkën dhe tregon çfarë i pëlqen më tepër te shqiptarët: “Transferta në Danimarkë të premten e ardhshme është ndeshja e jetës për Shqipërinë. Ajo që më pëlqen më tepër te ky popull janë krenaria dhe pasioni. Kjo ma vështirëson punën ndonjëherë, pasi më duhet t’i bëj të kuptojnë se ndeshjet duhet të merren me radhë. Detyra ime është të gjej taktikat që të marr më të mirën nga lojtarët. Kërkoj gjithmonë balancën e duhur mes fantazisë e disiplinës kolektive dhe tani lojtarët mund ta gjejnë njëri-tjetrin në fushë me sytë mbyllur.”

Panorama Sport

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura