Rezultatet e Matematikës dhe ekonomia e (mos)dijes

Jul 20, 2014 | 12:40
SHPËRNDAJE

ARBEN MALAJ

       Zhvillimi i çdo vendi ka specifikat përkatëse, por disa faktorë të zhvillimit janë të përbashkët. Modelet e rritjes ekonomike kanë evoluar dhe ato gjithnjë e më shumë i kanë dhënë rëndësi kapitalit njerëzor, mirarsimimit, inovacioneve, teknologjive të aplikuara. Studimet vërtetojnë një lidhje pozitive midis avancimit në ekonominë e dijes dhe zhvillimit të një vendi, Banka Botërore dhe OECD-ja mbështesin politikat publike për ekonominë e dijes (http:// info.worldbank.org/etools/kam2/). Ndaj, rezultatet e maturës të vitit 2014 në vendin tonë, ku rreth 25% e nxënësve rezultuan mbetës në Matematikë, nxitën një diskutim publik, i cili është i dobishëm dhe duhet thelluar. Ai nuk mund të quhet i plotë dhe as mund të ndihmojë nëse nuk thellohet në analizën e faktorëve që kanë ndikuar këtë rezultat. Diskutimi publik mund të përqendrohet se pse Matematika merr një rëndësi të veçantë dhe pse pa përmirësimin e të mësuarit në shkencat ekzakte, ne kufizohemi dhe pengohemi në mundësitë e rritjes dhe zhvillimit në të ardhmen. Konkurrenca për tregje të reja po bazohet gjithnjë e më shumë te ekonomia e dijes. SHBA i japin një status të veçantë mundësisë së punësimit dhe kohëzgjatjes në pritje për punësim studentëve të huaj të diplomuar për shkencat ekzakte – STEM (http:// www.stemedcoalition.org). Të njëjtën gjë synon edhe BE-ja nëpërmjet sistemit të “kartës blu”, duke u krijuar lehtësi punësimi dhe promovimi studentëve të huaj në këto shkenca. Të gjitha strategjitë e vendeve të ndryshme, edhe ajo e Bashkimit Europian “Europa 2020” (http://ec.europa.eu/europe2020/ index_en.htm), kur synojnë të bëhen më konkurrues në tregjet globale, vendosin disa objektiva të qartë edhe sasiorë lidhur me ekonominë e dijes. Ka të dhëna për shkallën e të ardhurave dhe shkallën e arsimimit, shkallën e papunësisë në varësi nga shkalla e arsimimit, duke i dhënë një vend të veçantë punësimit të të diplomuarve në shkencat që grupohen në STEM. Po të studiojmë vendet e punës që kanë më shumë mundësi dhe paguhen më mirë, ato u takojnë sektorëve të ekonomisë së dijes. Evidentimi i problemeve apo sfidave të vendit tonë është hapi i parë. Rezultatet e prodhuara nga institucionet ndërkombëtare kanë konstatuar se, ndërsa Shqipëria ka bërë përmirësime në nivelin mesatar të indeksit të ekonomisë së dijes (kryesisht sepse ajo e ka filluar nga një pikënisje shumë e ulët e përdorimit të internetit, kompjuterëve, telefonave, ueb-faqeve, rrjeteve sociale), në treguesin që ndikon cilësinë e rritjes së produktivitetit dhe konkurrencës. Pikërisht për treguesin e cilësisë së arsimimit, sipas OECD-së, në vitin 2012 në raport me vitin 2000 ne kemi një përkeqësim në renditje duke zbritur me rreth 16 vende. Të gjithë treguesit e ekonomisë së dijes kanë rëndësinë e tyre, ndaj duhen analizuar dhe studiuar me kujdes. Kemi në dispozicion rreth 45 mijë të dhëna, të cilat mund të grupohen sipas qendrave të banimit urban dhe jourban, sipas numrit të nxënësve për një klasë matematike, mund të grupohen sipas cilësisë së mësuesve të Matematikës, shkallës së kualifikimit apo përvojës. Mund të grupohen nxënësit sipas nivelit të të ardhurave për frymë të familjeve të tyre, mund grupohen sipas shkallës së arsimimit të prindërve, sidomos të nënave, pasi impakti i tyre në mirarsimimin e fëmijëve është konsideruar i rëndësishëm. Mirarsimimi është një e mirë publike që mund të kushtëzohet nga shumë faktorë – nga mësuesit, nga nxënësit, nga familja, nga mjedisi shoqëror, nga cilësia e teksteve apo logjistika në ndihmë të mësimdhënies. Qeveria ka një detyrim parësor, të synojë dhe mbështesë rritjen e cilësisë së mirarsimimit. Trajnimi, ritrajnimi, testimi dhe ritestimi i mësuesve duhet të jetë në themel të reformës për rritjen e cilësisë së mësimdhënies. Mund të përdoret më mirë media vizive për kurse ditore, siç bëjnë disa televizione të huaja; mund të përdoren më mirë teknologjitë e reja për mësimin që në hapat e parë – një nismë e fundit e “DigitAlb”-it.Janë disa ueb-faqe interaktive, duke filluar nga “Academia Khan” (https:// www.khanacademy.org) që ofrojnë me shpjegime të thjeshta dhe jo lodhëse njohuri në matematikë dhe shkencat e tjera, nga niveli elementar deri në nivele më të larta. Ekspertët në fushën e arsimit dalin në përfundimin se duhen mësues të përditësuar për shekullin e 21-të, duke nënkuptuar mësues të mirëpërgatitur, që njohin dhe përdorin teknologjitë e reja, që përmirësojnë metodologjinë dhe cilësinë e të shpjeguarit. Rezultatet e dobëta duhen analizuar, devijimi nga mesatarja e gabimeve në disa pyetje apo në disa lëndë mund të identifikojë problematikën dhe të qartësojë ndërhyrjet përmirësuese në mësimdhënie. Studiuesit argumentojnë se kur niveli i përgjigjeve jo të sakta në disa pyetje është më i lartë se mesatarja e përgjithshme, kjo mund të ketë dy shkaqe. E para, mund të mos jetë shpjeguar mirë ajo pjesë e leksioneve; e dyta, pyetjet mund të jenë formuluar gabim. Në të dyja rastet, ajo që duhet përmirësuar është cilësia e mësimdhënies në çdo nivel të arsimimit. Rezultatet e Matematikës nuk duhet të shërbejnë kryesisht për të ushqyer debatet e mbingarkuara politike, por për të përmirësuar cilësinë e politikëbërjes dhe të reformave në fushën e arsimimit. Ato duhet të nxisin studimin e thelluar dhe debatin profesional se si mësimet të shpjegohen më mirë dhe si testet të synojnë të përputhin njohuritë e nxënësve me rezultatet e provimeve. Kjo ka vlerë për çdo lëndë, por një strategji deri kombëtare më e qartë, më konkrete dhe e zbatueshme për shkencat ekzakte do t’i shërbente më mirë zgjerimit të ekonomisë së dijes në sektorin publik dhe privat, duke përmirësuar produktivitetin dhe aftësinë konkurruese të ekonomisë sonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura