Rezultate mbresëlënëse/ ‘Italianët s’po gjejnë më parcela me hashash’

Sep 21, 2016 | 9:38
SHPËRNDAJE

Bashkëpunim mjaft të suksesshëm e ka quajtur Policia e Shtetit, atë me Partnerët dhe Misionet që asistojnë dhe monitorojnë punën e saj, e vecanërisht atë në luftën kundër narkotikëve dhe kultivimit të drogës. Puna është quajtur jo vetëm e suksesshme, por mbresëlënëse, madje theksohet se monitorimet e fundit nga ajri nuk kanë pikasur më parcela të mbjella me hashash.

takimi

Në një takim që drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm për Sigurinë Publike Drejtues i Lartë Altin Qato dhe drejtues të tjerë të Policisë patën me Oficerët Ndërlidhës Policorë të atashuar në vendin tonë dhe drejtuesit e misioneve që asistojnë Policinë e Shtetit u shpalosën rezultatet e punës së përbashkët.

“Takimi i sotëm është përqëndruar mbi masat dhe rezultatet e Policisë së Shtetit në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike”- njofton policia.

Sipas njoftimit, Koordinatori i Policisë së Shtetit për misionin e fluturimeve bëri një prezantim të detajuar në lidhje me masat dhe zbatimin e misionit të fluturimeve për zbulimin e parcelave me cannabis me avion të posaçëm të Guardia di Finanza dhe Universitetit të dytë të Napolit.

Prezantimi ishte gjithëpërfshirës duke dhënë fakte e rezultate të bashkëndara edhe me palën italiane të Guardia di Finanza dhe Universitetin e Dytë të Napolit prezent në takim.

“Edhe këtë vit janë arritur rezultate mbresëlënëse të shkatërrimit të sipërfaqes së identifikuar nga misioni italian i fluturimeve.  Për t’u theksuar është fakti se në dy fluturimet e fundit të Guardia di Finanza nuk janë gjetur më parcela të mbjella me cannabis, duke dhënë një dëshmi të pakundërshtueshme në lidhje me ndërhyrjet e Policisë së Shtetit në terren”- thuhet në dekaratën e Policisë së Shtetit.

Më tej, Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Altin Qato ka bërë prezent për të pranishmit rezultatet e deritanishme në këtë fushë, ku ndër të tjera vlen të theksohet se këtë vit ndryshe nga vitet e tjera, me kërkesë të Ministrit Tahiri, monitorimi nga ajri është bërë në të gjithë vendin, duke shtuar edhe orët e fluturimit.

Gjithë rezultatet tregojnë për një angazhim total të Policisë së Shtetit, për një kontroll shumë herë më të mirë, për një rritje rreth 5 herë më shumë të operacioneve në terren, për ndihmesën e madhe të dhënë nga ICITAP për GPS për të gjetur koordinatat e dhëna nga monitorimi ajror, për shtim të orëve të fluturimit të avionit të Guardia Di Finanza duke monitoruar jo më zona me risk, por të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Prof. Dr. Carmine Gambardella, Dekan i Universitetit të Dytë të Napolit, njëkohësisht dhe Drejtor i Qendrës “BENECON”, theksoi se gjatë periudhës së monitorimit nuk është evidentuar asnjë problematikë dhe teknologjia e përdorur këtë vit ka qenë 100% e saktë.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e Misioneve  dhe Oficerët Ndërlidhës Policorë, e cilësuan këtë takim shumë  të vlefshëm si dhe mjaft pozitive këtë formë komunikimi e informimi të vendosur së fundmi, çka tregon transparencën Policisë së Shtetit gjatë punës së saj.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura