Rezervat valutore para sfidave që solli kriza

Aug 13, 2017 | 15:03
SHPËRNDAJE

Niveli aktual i rezervave valutore konsiderohet optimal, por poshtë atij të kërkuar nëse supozojmë që qeveria do të duhet të garantojë plotësisht të gjithë tërheqjen e depozitave në monedhë të huaj, që mund të ndodhë gjatë periudhave të krizave financiare, shprehen ekspertët e Bankës së Shqipërisë, Elona Dushku, Gerti Shijaku, në një studim për këtë çështje.

rezerva valutore

Si pasojë, në afatin e mesëm dhe të gjatë, Banka e Shqipërisë duhet të marrë në konsideratë, që niveli aktual i rezervave valutore të përcaktohet në linjë me përqasjen optimale të saj, shprehen ata.
Gjatë dekadës së fundit, stoku i rezervave valutore globale (përfshirë edhe Kinën) është rritur në mënyrë të konsiderueshme. Kështu, nëse në fillim të vitit 2003, stoku i tyre në nivel global ishte afërsisht 3.1 trilionë dollarë, në vitin 2012, ai arriti afërsisht nivelin 11 trilionë dollarë ose afërsisht sa 24% e Prodhimit të Brendshëm Botëror, sipas të dhënave të FMN.

Këto zhvillime, por edhe ndikimi që pati kriza e fundit financiare globale në akumulimin e mëtejshëm të rezervave valutore risollën edhe një herë në vëmendje motivet kryesore të mbajtjes së tyre. Kështu, nga njëra anë, kriza e fundit financiare globale nënvizoi rëndësinë e rezervave valutore si një instrument për të nxitur konsumin e brendshëm dhe për të injektuar likuiditet në ekonomi.

Mësimet nga kriza

Nga ana tjetër, kjo krizë u bëri thirrje vendeve të zhvilluara dhe në zhvillim, që të rishikojnë strategjitë e tyre për menaxhimin e mbajtjes së rezervave valutore, si dhe mbajtjes në konsideratë të rreziqeve të ndryshme potenciale që mund të godasin ekonominë.

Megjithatë, ende në ditët e sotme nuk ka një konsensus të gjerë, se sa duhet të jetë niveli optimal i rezervave valutore të një vendi, duke marrë në konsideratë jo vetëm rolin e tyre si parandaluese ndaj goditjeve të ndryshme, por njëkohësisht, edhe koston oportune të mbajtjes së tyre.

Disa nga arsyet kryesore të mbajtjes së rezervave valutore kanë të bëjnë me rolin e tyre në përmbushjen e funksionit si një kolateral ndërkombëtar, në sigurimin e likuiditetit në monedhë të huaj për transaksionet e qeverisë; në kufizimin e luhatshmërisë së kursit të këmbimit dhe në sigurimin e një niveli të caktuar të rezervave valutore për ndërhyrjet në tregun e këmbimit valutor. Gjithashtu, arsyet se pse mbahet rezerva valutore lidhen me financimin e bilancit të pagesave, rritjen e pasurisë kombëtare dhe gjenerimit të të ardhurave, si huadhënës i fundit në monedhë të huaj, në sigurimin e fondeve shtesë gjatë situatave ekstreme të krizave dhe në menaxhimin e likuiditetit në monedhë të huaj për tregjet ‘SËAP’.

Literatura teorike identifikon se përqasjet kryesore që shërbejnë për të vlerësuar nivelin optimal të rezervave valutore bazohen në treguesit ndërkombëtarë sasiorë, të cilët përcaktojnë një nivel të përshtatshëm të rezervave valutore bazuar në supozimin kryesor, që rezerva shërben si një mburojë ndaj goditjeve të bilancit të pagesave.
Literatura e konsideron nivelin optimal të rezervave si një burim për të zbutur konsumin në kushtet e ndalimit të papritur të financimit të jashtëm dhe si rrjedhojë e rënies së prodhimit.

Niveli optimal i rezervës valutore përcaktohet në mënyrë të tillë që të zbusë efektin e rënies së prodhimit dhe si rrjedhojë, edhe të konsumit të brendshëm gjatë krizave ekonomike dhe financiare dhe të bilancit të pagesave në ekonomi të dollarizuara.

Studimi i BSH-së thotë se, pavarësisht përqasjes teorike, vlerësimi i nivelit optimal të rezervës valutore është një çështje e hapur dhe në diskutim nga shumë ekonomistë në mbarë botën, veçanërisht mbas krizës së fundit financiare globale, kur të gjitha vendet janë ndikuar nga goditje të ndryshme gjatë kësaj periudhe.
Për më tepër, vlerësimi i nivelit optimal të rezervave është i domosdoshëm për shkak të rëndësisë që ky instrument ka për politikën monetare dhe kursin e këmbimit, për të rritur besimin në tregun vendas, për të kufizuar ekspozimin e vendit ndaj goditjeve të jashtme dhe për të zbutur goditje të ndryshme gjatë periudhave të krizave etj.

Në nivele të mjaftueshme

Në Shqipëri, akumulimi i rezervave valutore ka qenë pjesë integrale e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, bazuar në përqasjen e saj ndaj bilancit të pagesave, ku stoku i akumuluar duhet të jetë i mjaftueshëm për të mbuluar vlerën e katër muajve importe mallrash e shërbimesh.
Gjatë dy dekadave të kaluara, niveli i mbajtur nga autoriteti monetar në Shqipëri ka qenë në linjë me këtë raport në çdo periudhë dhe madje e ka tejkaluar atë.

Bazuar në rezultatet empirike, niveli aktual i rezervave valutore është shumë afër me nivelin e tyre optimal, kur supozohet se, rezerva valutore përveç rreziqeve të tjera, duhet të sigurojë 30% të të gjitha depozitave në monedhë të huaj, që mund të tërhiqen nga individët.
Ndërsa një nivel më i lartë i mbulimit të depozitave të tërhequra do të kërkojë një nivel më të lartë të rezervave valutore në afatin e mesëm.

Studimi i ri i ekspertëve të bankës synon të ofrojë një përqasje të re të llogaritjes së normës së rezervave optimale shprehur ndaj PBB-së (Prodhimi i Brendshëm Bruto), që merr në konsideratë rreziqe të ndryshme potenciale që shkaktohen nga krizat financiare apo ato të ndalimit të papritur të fondeve nga jashtë.

Ekspozimi

Stoku i akumuluar i rezervave valutore të një vendi përfshin tërësinë e gjithë instrumenteve financiare në monedhë të huaj, që pasqyrojnë detyrimet ndaj jorezidentëve dhe janë në dispozicion të autoritetit monetar. Prandaj, stoku i tyre i referohet një portofoli aktivesh financiare, nga të cilat detyrimet e autoritetit monetar ndaj subjekteve të huaja nuk janë zbritur.

Në shumicën e rasteve, rezerva valutore nuk është pjesë e pasurisë neto të autoritetit monetar (vendit), pasi ato janë të financuara nga banka qendrore ose borxhi i qeverisë.
Kështu, mbajtja e tyre i referohet administrimit të rezervave, në mënyrë karakteristike të aktiveve likuide (bruto) të financuara nëpërmjet huamarrjes, që përfshin përfitime ekonomike, si dhe kostot indirekte dhe direkte.

Në bazë të nenit 161, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Banka e Shqipërisë administron stokun e rezervave valutore të Republikës së Shqipërisë. Më tej, në Dokumentin e Politikës Monetare, për periudhën 2012- 2014, është theksuar se: “Në përputhje me politikën e saj monetare, si një garanci për përballimin e goditjeve të rënda në sektorin real të ekonomisë, si dhe në mbështetje të qëndrueshmërisë financiare të vendit, Banka e Shqipërisë angazhohet për mbajtjen e një niveli të mjaftueshëm të rezervave valutore. Duke ndjekur praktikat më të mira botërore, Banka e Shqipërisë do të gjykojë nivelin e mjaftueshmërisë së rezervave, duke u bazuar në respektimin e njëkohshëm të dy kritereve sasiore:

Së pari, ruajtja në afat të mesëm e një niveli rezervash valutore të mjaftueshme për të përballuar të paktën 4 muaj importe mallrash e shërbimesh;

Së dyti, ruajtja në afat të mesëm e një niveli rezervash valutore të mjaftueshme për të mbuluar borxhin e huaj afatshkurtër të ekonomisë shqiptare. “Në funksion të rritjes së rezervave valutore, si dhe në mbështetje të stabilizimit dhe zhvillimit të tregjeve të brendshme financiare, Banka e Shqipërisë mund të ndërhyjë në tregun e brendshëm valutor.

Rezerva përballë kritereve

Raporti i mbulimit të importeve është treguesi më i zakonshëm që përdoret për përcaktimin e nivelit të stokut të rezervave optimale dhe tregon numrin e muajve të importeve të mallrave dhe shërbimeve që një vend mund të mbajë nëse kemi një ndalim të plotë të flukseve të jashtme të kapitalit.

Ky rregull është zbatuar gjerësisht për vendet ku goditjet më së shumti vijnë nga llogaria korrente. Bazuar në
këtë përqasje, pjesa më e madhe e vendeve përdorin si nivel të mjaftueshëm të rezervave valutore, atë të sigurimit të vlerës së tre ose të katër muajve importesh të mallrave dhe shërbimeve.

Në rastin tonë, Banka e Shqipërisë, si autoriteti monetar dhe i vetëm, e ka përcaktuar nivelin e mjaftueshëm të rezervave valutore, aq sa të mbulojë vlerën e katër muajve importe të mallrave dhe shërbimeve, bazuar në përqasjen e Politikës Monetare ndaj Bilancit të Pagesave aprovuar në bashkëpunim me marrëveshjen e FMN-së (Fondit Monetar Ndërkombëtar)

Banka e Shqipërisë ka arritur të mbajë me sukses nivelin e rezervës valutore në linjë me këtë nivel gjatë gjithë periudhës, afërsisht midis 4 deri në 5 muaj të mbulimit të importeve.
Një tjetër rregull standard ndërkombëtar që përdoret për të vlerësuar nivelin e mjaftueshmërisë së rezervave valutore është rregulli “Guidotti-Greenspan”. Ky rregull është përdorur zakonisht si një tregues standard për vendet në zhvillim dhe propozon që stoku i rezervave valutore duhet të mbulojë 100% të borxhit të jashtëm afatshkurtër me afat maturimi deri në një vit.

Borxhi i jashtëm afatshkurtër konsiderohet si një rrezik potencial i vendeve për të depërtuar në tregjet e huaja, prandaj ky tregues luan një rol të rëndësishëm në vlerësimin e nivelit të mjaftueshmërisë së rezervave.
Disa vende përdorin një version të zgjeruar të këtij rregulli që nënkupton se stoku i rezervave valutore duhet të mbulojë edhe deficitin e llogarisë korrente.

Në këtë mënyrë, merren më mirë në konsideratë nevojat për financim të jashtëm dhe për të dhënë një vështrim më të mirë të rreziqeve që vijnë nga mundësia e largimit të kapitalit.
Gjatë dekadës së fundit, rezerva valutore e shprehur si raport i mbulimit të borxhit të jashtëm dhe deficitit të llogarisë korrente ka qenë mbi normën e parashikuar, por ky hendek ka ardhur duke u zvogëluar gjatë viteve të fundit, si rezultat i rritjes së borxhit të jashtëm.

Mbajtja e rezervave valutore në raport me paranë e ndërmjetme (zakonisht M2), tenton të kapë rrezikun e largimit të kapitalit për shkak të krizës së llogarisë korrente, që mund të shoqërohet me daljen jashtë të depozitave të rezidentëve.

Ky tregues mund të përdoret si një matës për nevojat potenciale që mund të kenë bankat gjatë ose pas periudhave të krizave financiare për të shërbyer si një burim potencial për likuiditet. Zakonisht, kjo normë, sugjerohet që të jetë në nivelin e 5% deri në 20% të stokut të M2. Megjithatë, thuhet se ky tregues nuk është shumë i përshtatshëm për vendet që kanë një sistem shumë të zhvilluar bankar.

Në rastin tonë, aktualisht, rezerva valutore e mbajtur është afërsisht sa 42% e M2, një normë që ka ardhur në rritje që nga viti 1998. Në 2010-n, kjo normë ka qenë në nivelin 44%, për shkak të tërheqjes së depozitave nga sistemi bankar, si rezultat i krizës financiare dhe efekteve në ekonomi të saj.
Analiza tregon se stoku i rezervave valutore të mbajtur në Shqipëri ka qenë në linjë me pjesën më të madhe të treguesve standardë, duke siguruar një nivel të mjaftueshëm të tyre.

Megjithatë, raportet e përmendura më sipër nuk marrin në konsideratë rreziqet e tjera potenciale që mund të vijnë nga krizat bankare apo nga ndalimi i mundshëm i flukseve nga jashtë të kapitalit dhe nuk paraqesin vlerësime për nivelin optimal të mbajtjes së rezervave valutore korrente dhe financiare, nivelin e borxhit të jashtëm, etj.
Të dhënat e tregojnë që zhvillimet në llogarinë korrente përcaktohen nga zhvillimet në bilancin tregtar, ndjekur nga zhvillimet në transferta (të ardhurat nga emigrantët) dhe së fundi nga zhvillimet në bilancin e shërbimeve dhe të ardhurave.
Shqipëria klasifikohet si një vend huamarrës neto, duke marrë parasysh persistencën e gjatë me të cilën karakterizohet deficiti i llogarisë korrente.

Në vitin 2008, deficiti i llogarisë korrente mori vlerën më të madhe me afërsisht 14% të PBB-së. Shenjat e para të krizës financiare u reflektuan në një përshtatje të llogarisë korrente në 2009-n, një tendencë e cila ka vazhduar edhe në vitin në vazhdim, duke arritur nivelin e 11% të PBB-së në fund të 2012-s.
Ndërsa, bilanci i llogarisë kapitale dhe financiare (CFA) është rritur nga 4.7% në fillim të vitit 2002, në 17.5% të PBB-së në fund të 2012-s. Të dhënat tregojnë që CFA-ja është udhëhequr më së shumti nga zhvillimet në Investimet e Huaja Direkte, ndjekur nga zhvillimet në investimet e tjera neto.

Faktori kryesor që ka shkaktuar rënien e llogarisë kapitale gjatë 2009-s është rezultat i uljes së investimeve të tjera neto dhe tërheqjes së depozitave nga sistemi bankar në atë periudhë.
Gjatë 2009-s, llogaria financiare e shprehur në raport me PBB-në ra me 6.6 pikë përqindje. Kjo ishte rënia më e madhe gjatë kësaj periudhe.

Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura