Rezarti i “Portokallisë”: Historia ime me mafien që më çoi në arkivol

Jun 4, 2016 | 18:41
SHPËRNDAJE

Armë, drogë, femra dhe mafie bëjnë “pit stop” në Tiranë në filmin e regjisorit Fatmir Koçi, të saposhfaqur në kinema. Filmi më i ri shqiptar me titull “Pit stop mafia” sjell aventurat e një grupi gangsterësh nga qytete të ndryshme. Në skenat plot aksion, nuk mungojnë batutat plot humor të aktorëve të “Portokallisë” si Rezart Veleshnja, Bes Kallaku, Albana Perhati etj.

Rezi ishte ai që mund të themi se pa vdekjen me sy, sepse xhiroi brenda një arkivoli, ndjesi që e bëri të reflektonte për herë të parë seriozisht mbi jetën dhe vdekjen. Si një nga më të aksidentuarit e skenarit, ai rrëfen edhe eksperiencën në sheshxhirim me të fejuarën e tij, Pranvera Metolli, një make up artist e talentuar, të cilën e njohu pikërisht në xhirimet e këtij filmi aksion.

13246091_10209380745938521_1575695215_n

Nga skena e “Portokallisë” të shohim si aktor në filmin e ri “Pit stop mafia”. Ç’mund të na tregosh për këtë eksperiencë në botën e kinemasë?

Filmi është një stil që trajton atë që sot është realiteti shqiptar, dhe çfarë ndodh në skutat e errëta të shumë qyteteve të Shqipërisë. Shumë prej tyre janë të tillë, pasi janë të harruar nga pushteti, të cilët vetëm Tiranën shohin kohët e fundit si shtet, dhe jo qytetet e tjera.

Cili ishte roli yt?

Unë luaj djalin i cili ishte punëtor i thjeshtë lavazhi, por që më pas përfshihet në punë të pista për të fituar më tepër para. Madje, pasi shikon fitimet, mendon dhe të grabisë ata që e futën në ato punë.

Filmi titullohet “Pit stop mafia”. Sa e rrezikshme është mafia shqiptare që përfaqësoni?

Filmi flet për një kompleks ngjarjesh, dhe që surprizon nga ngjarja në ngjarje deri në fund me të gjithë personazhet, pasi ata kanë profile të ndryshme nga unë. Si për shembull Bes Kallaku, i cili është bosi ynë e që fshihet pas një biznesi të agjencisë funerale dhe atyre të dasmave njëkohësisht. Është komedi e zezë, që pasqyron të vërtetat e shëmtuara të këtij 10-vjeçari të fundit që po jetojmë në realitetin shqiptar.

Në një moment të filmit ti shfaqesh i shtrirë në arkivol, një skenë paksa e frikshme. Si e përjetove vdekjen me sy hapur?

Ishte shumë e çuditshme ndjesia që të jepte në fakt të shtriheshe brenda një arkivoli. As vetë nuk do ta mendoja se do kisha një skenë të tillë, por kur e bëra pata një përjetim që as vetë nuk e shpjegoj dot. Ajo që ishte më e keqja ishte kur u futa në arkivol në orën 02:00 të natës, ora kur patëm xhirimet. M’u desh të futesha në arkivol, të cilin e futën në makinën e funeralit. Aty të them të drejtën m’u mor fryma dhe pata disa raste ku thashë; “Më nxirrni se plasa!”. Por aktori duhet t’i bëjë të gjitha në punën e tij, kështu që isha i detyruar ta përfundoja skenën. Më shumë ishte një ndjesi e frikshme, edhe pse isha në skenë xhirimi. Di të them se që nga ajo ditë kam filluar ta kem frikë vdekjen, gjithsesi eksperiencë e bukur dhe e frikshme njëkohësisht.

Të gjitha skenat e plagosjes në pamjen tënde u realizuan nga e fejuara Pranvera, e cila është e specializuar në Itali për efektet speciale si “make up artist”. Të punosh me partneren ta komplikon punën?

Në punë nuk ka “të fejuar”, pasi puna është punë dhe rregullat janë rregulla. Sigurisht që të punosh me njeriun që ke në krah nuk është e lehtë, pasi kjo e bën më të vështirë punën, sepse duhet të jesh i nënshtruar më shumë që të heqësh barrën e të privilegjuarit për sa i përket neglizhencës. Por patjetër që isha më komod dhe ndihesha më i lehtë, sepse sugjerimet nga ana ime ishin të pakta për shkak të aftë- sisë që ajo ka. Për mua ishte pak e vështirë për sa i përket të gjithë grupit, sepse është hera e parë. Por kryesorja është që ishte eksperiencë e bukur.

Pranvera transformon aktorët me grimin profesional dhe efektet speciale. Deri ku ka shkuar fantazia e saj që vërtet të ka çuditur?

Ajo bën punë të cilat janë shumë të veçanta dhe nuk janë bërë më parë në Shqipëri për sa i përket efekteve speciale. Fantazia s’ka fund në punën e saj, gjë që e ka treguar dhe në këtë film me transformimin tim në aksident, pra me çarjet në fytyrë, të cilat realizohen në mënyrë perfekte nga ajo. Në film unë jam, le të themi më i dëmtuari nga goditjet që pësoj, të cilat kanë qenë aq reale, sa kur erdhi policia në shesh xhirim, për pak thirrën ambulancën, kur më panë në atë gjendje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura