Revolucionari Leoluca Orlando

Sep 28, 2022 | 8:00
SHPËRNDAJE

BESNIK MUSTAFAJ

besnik-mustafaj-tpz

Mbushi 75 vjet, por është, megjithatë, me shëndet shumë të mirë, ka një dashuri të pashtershme për qytetin e vet dhe është plot me idea për të ardhjen e tij.

Për më tepër, bashkëqytetarët e tij e duan dhe e çmojnë. Por ai kishte përmbyllur pesë mandate në atë mision dhe ligji italian nuk e lejonte më të vazhdonte.  Në fillim të verës 2013, një miku im siçilian, Roberto Albergoni, avokat dhe aktivist i shoqërisë civile në fushën e kulturës në qytetin e tij e më gjerë, më shkroi për të më njoftuar se Palermo do të vendoste kandidaturën për “kryeqytet kulturor i Europës” për vitin 2019 dhe se, për përgatitjen e dosjes së kandidaturës, do të ngrihej një komitet i vogël me njerëz të artit e të kulturës vendas dhe të huaj. Në emër të kryetarit të bashkisë ai më ftonte për t’u bërë pjesë e këtij komiteti.

E pranova ftesën vetëm pasi u sigurova se ajo vinte vërtet nga vetë kryetari i bashkisë, i cili quhej Leoluca Orlando. Kështu, gjatë periudhës qershor – shtator të atij viti shkova disa herë në Palermo. Disa kohë më parë, krejt rastësisht gjatë një udhëtimi, një mbrëmje vonë, në një dhomë hoteli, në televizionin franko-gjerman ARTE kisha parë një dokumentar mbi këtë kryebashkiak thellësisht atipik, i cili kishte vendosur ta çlironte qytetin e tij nga mafia. Ai ishte i ri në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale: ai moshë nuk i kishte mbushur ende të dyzet vjetët dhe si përvojë nuk kishte mbajtur më parë ndonjë përgjegjësi të lartë politike.

Edhe pse me një moshë shumë më të pjekur dhe me një përvojë shumë më të pasur në politikë, të njëjtin qëllim i kishte vënë vetes më parë edhe mentori i tij politik, Piersanto Mattarella, vëllai i Presidentit të sotëm të Italisë. Por ai e kishte paguar me jetën e vet. Siç do të lexoja diku më vonë, deri sa drejtimin e bashkisë e mori Leoluca Orlando, në 1985, “mafia vendoste edhe për orën e ndezjes së dritave në mbrëmje në rrugët e Palermos”. Ai po shpallte kësisoj me vetëdije të plotë një luftë titanike, në fitoren e të cilës, në atë fillim me siguri nuk besonte askush përveç atij vetë.

Gjatë jetës sime në politikë, rasti e ka sjellë të njihem me shumë politikanë të niveleve të larta. Me disa prej tyre edhe jam miqësuar. Por të gjithë i kam njohur në sajë të punës që bëja. Vetëm Leoluca Orlando bën përjashtim. Me të më ka lidhur mirëfilli letërsia. Zanafilla e ftesës për të marrë pjesë në komitetin për përgatitjen e kandidaturës së Palermos për kryeqytet kulturor i Evropës në vitin 2019 ishte romani im “Gjinkallat e vapës”, të cilin ai e kishte lexuar në botimin në frëngjisht.

Siç do të më tregonte më pas, kur u takuam në Palermo, romani im i kishte rënë në dorë në Strasburg, gjatë periudhës 1994-1999, kur mbajti një mandat si deputet në Parlamentin Europian. E kishte lexuar dhe nuk e kishte harruar. Përfytyrimi, që kishte krijuar ai për autorin nga leximi i romanit, i jepte besim se mund të isha i dobishëm për “komitetin” në fjalë.

Arsye e tillë më zuri gjithsesi në befasi. Dokumentari, që unë kisha parë rreth jetës së tij si kryetar bashkie në luftë të hapur e të papajtueshme me mafien e kishte nxitur përfytyrimin tim rreth tij në një drejtim krejt të kundërt. Për t’i bërë ballë armikut, me të cilin ishte në luftë, ai duhej të ishte medoemos një burrë i ashpër, i zymtë, në shpirtin e të cilit nuk mund të kishte vend për ndjeshmëri të tilla të rafinuara, siç janë ndjeshmëritë ndaj artit, letërsisë, kulturës në përgjithësi.

Përfytyrimi im kishte qenë një klishe e varfër, fund e krye i gabuar. E them me bindje të plotë tashmë se Leoluca Orlando është mirëfilli një njeri i kulturës, i artit, i letërsisë. Madje, besoj se pikërisht kjo dashuri për artin e ka bërë atë gjatë gjithë jetës një politikan atipik, i ka ushqyer atij jo vetëm vizionin për interesin publik, por edhe guximin e jashtëzakonshëm dhe ndershmërinë qytetare të panjollë për ta kërkuar dhe pohuar me zë të lartë të vërtetën pa marrë parasysh rreziqet.

Në ato pak herë që kemi pasur rastin të ulemi vetëm për vetëm për të pirë një kafe apo për të ngrënë një drekë, bisedat e mia me të nuk kanë qenë kurrë një shkëmbim në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. Unë kam qenë para tij i ndrojtur, gjithmonë i mbushur vetëm me pyetje, pa i lënë atij shumë mundësi të më dëgjonte. Siç nuk më kishte ndodhur kurrë me ndonjë personalitet tjetër publik, më dukej sikur nuk kisha asgjë interesante për t’i thënë dhe nuk doja ta shpërdoroja kohën, që më ishte dhënë për të qenë në shoqërinë e tij.

Kisha përpara tij një lloj adhurimi, të cilin e pohoj sot pa turp, sado që adhurimi nuk i shkonte një burri në moshën dhe me përvojën time. Një adhurim të tillë e kam ndjerë vetëm kur jam gjendur përballë Nënë Terezës dhe Nelson Mandelës. Në asnjë rast tjetër. Kur jam takuar për herë të parë me Leoluca Orlandon, ai e kishte fituar tashmë betejën e tij të madhe: e kishte çliruar Palermon nga mafia, ishte bërë, siç do të lexoja diku, mishërimi i personazhit “AntiKorleone”. Kishte arritur, pra, të pamundurën.

Megjithatë, rojet vazhdonte t’i kishte gjithë kohën rrotull edhe aty, në kafenenë apo në restorantin, ku ishim ulur ne. Lëvizjet e tij mbaheshin fshehtë dhe kryheshin me veturën e blinduar. Që do të thoshte se lufta vazhdonte. Edhe pse shumë nga krerët e Cosa Nostra-s përfshirë Toto Rinan ishin në burg, mafia nuk ishte çrrënjosur. Dhe Leoluca Orlando mbetej armiku i saj numër një. Në një rast e pyeta për marrëdhëniet e tij me Falkonen, prokurorin martir. – Kemi qenë miq, – më tha.

Nëpër fytyrën e tij të gjerë lëvizi diçka. Ai e vuri re që përgjigjja e tij nuk më mjaftoi. Kaq mund të merrej lehtë me mend thjesht duke menduar se diku do t’i bashkonte medoemos të paktën urrejtja mizore e mafies kundër të dyve. Ai më tregoi se në fillimet e miqësisë së tyre kishin pasur një ftohje, që kishte zgjatur afro tri vjet. Kishte ndodhur pse gjatë një debati televiziv ai i kishte kërkuar prokurorit të lavdishëm të nxirrte nga çanta e tij emrat e politikanëve të lidhur me mafien. Unë e dija që ai kishte emra të tillë. Opinioni publik duhej t’i njihte. – Falkone më keqkuptoi, – vazhdoi Leoluca. – Unë nuk doja kurrsesi ta sfidoja.

Ne ndesheshim përditë me pengesat, që politikanët me poste shumë të rëndësishme në Romë na nxirrnin në luftën tonë kundër mafies. Doja që qytetarët e Palermos ta mësonin këtë gjë me fakte. Pastaj u sqaruam dhe miqësia jonë vazhdoi deri në fund. Në editorialin që shkroi posaçërisht në gazetën e madhe gjermane “Süddeutsche Zeitung” për të shënuar lamtumirën e Leoluca Orlandos nga bashkia e qytetit të tij, prof. dr. Heribert Prantl thotë: “Ai ishte një revolucionar i shërbimit publik. Revolucion do të thotë përmbysje e rendit të vjetër.

Rendi i vjetër i Palermos ishte: korrupsion, kryebashkiakë mafiozë, arkitektë servilë, këshilltarë bashkiakë të përulur dhe hilexhinj, të cilët kontrollonin tërë industrinë ndërtimore të qytetit… Leoluca i ndryshoi rrënjësisht gjërat, duke qëndruar në krye të listës së të dënuarve me vdekje nga mafia”. Profesor Prantl e mbyll editorialin e tij me një urim, të cilin do të doja t’ua shprehja edhe unë lexuesve të mi shqiptarë të këtij shkrimi: “Ju uroj të keni për atdheun dashurinë e fuqishme që karakterizonte Leoluca Orlandon!”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura