Revolta e përgjakur e Qafë Barit e majit 1984 dhe dokumenti pse iu morën sytë dy të pushkatuarëve (fotot e rralla)

Apr 26, 2018 | 9:30
SHPËRNDAJE

Në kuadrin e ciklit të dokumentarëve “Përballje me të kaluarën” i cili është një projekt i ideuar dhe mbështetur nga zyra e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Radio Televizionin Publik Shqiptar dhe nën kujdesin direkt të drejtorit të Përgjithshëm z. Thoma Gëllçi, dy bashkëautorët realizues të projektit në fjalë, gazetarët e njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Stafa, së bashku me stafin e tyre sjellin para teleshikuesëve dokumentarin e dhjetë, me titull “Revolta e përgjakur e Qafë Barit”, i cili i kushtohet të burgosurve politikë që vuanin dënimin në atë kamp të tmershëm (rrethi i Pukës) ku në 22 majin e vitit 1984, u ngritën në një revoltë masive kundër kushteve çnjerzore dhe trajtimit shtazarak që u bëhej nga ana e komandës së atij kampi.

qafe bari 1

Ky cikël dokumentarësh i cili ka filluar prodhimin që në muajin shtator të vitit të kaluar dhe trasmetimin në ekranin e RTSH1 që nga fillimi i muajit dhjetor, sjell para teleshikuesëve ngjarje të bujshme apo dhe të panjohura nga periudha e regjimit komunist të para viteve ’90-të, kryesisht ngjarje që bëjnë fjalë dhe hedhin dritë mbi krimet e regjimit komunist.

Në këtë kuadër, dy autorëve të sipër cituar, Kaloçi dhe Stafa së bashku me stafin e tyre kanë tentuar të rindërtojnë atë ngjarje ashtu siç ka ndodhur plot 34 vjet më parë, si nëpermjet dokumenteve arkivore, ashtu dhe nëpërmjet dëshmive para kamerave të disa prej protagonistëve kryesorë të asaj revolte. E cila duhet thënë se që pas viteve ’90-të është mjaft e njohur, pasi për të janë publikuar shkrime, intervista, kujtime, dokumente, faksimile dhe e libra të ndryshëm, por në një format dokumentari televiziv, realizohet për herë të parë.

qafe bari 2

Në parantezë të ngjarjes së 22 majit 1984 dita kur nisi dhe revolta, theksojmë se kampi i Qafë Barit ishte ndërtuar nga regjimi komunist për shfrytëzimin e një miniere minerali bakri dhe piriti në atë zonë të thellë, e cila pothuajse ishte e abandonuar, pasi punëtorët që caktoheshin për të punuar aty, nuk qëndronin më shumë se një deri në dy javë dhe e linin punën. Kjo për shkak të kushteve tejet të vështira që ofronte ajo minierë dhe investimeve minimale që ishin bërë aty. Theksojmë gjithashtu se edhe pse varfëria e asaj zone ishte mjaft e thellë, përsëri fshatarët e asaj zonë nuk e përballonin dot punën aty dhe e braktisnin atë që në ditët e para.

Nisur nga kjo situatë, regjimi i asaj kohe ishte munduar ta zgjidhte atë gjë me anë të burgosurve për krime oridinere që u sollën aty kryesisht nga kampi i Bulqizës, por përsëri ajo gjë nuk kishte dhënë rezultat. Në këto kushte, “u gjet zgjidhja” duke dërguar aty djem të rinj të dënuar për faje politike që vuanin dënimet në kampe e burgje të ndryshme të vendit, kryesisht nga kampi i Spaçit, pasi puna ishte nën tokë. Por sikur të mos mjaftonte puna e rëndë dhe kushtet tejet të vështira që ofronte ai kamp, jo vetëm në frontet e punës, por edhe në kapanonet e fjetjes dhe ushqimin minimal, të dënuarit politikë që u dërguan aty, u gjendën edhe përballë brutalitetit të policëve dhe komandës së kampit. Të cilët u kërkonin me çdo kusht normën, pasi kush nuk e realizonte atë, e rikthenin përsëri në minierë dhe kush kundërshtonte e fusnin me dënim një muaj në qelitë e ftoha të izolimit, apo siç njihen ndryshe “birucat”.

qafe bari 3

Në këto rrethana, më 22 maj 1984, nisi dhe konflikti fillimisht me debate në mes disa të dënuarëve nga rrethi i Tropojës dhe zonave përreth, si Tom Ndoja, Sokol Sokoli, Sokol Progri etj, e policëve të turnit përkatës, për arsye se një djal i ri, Ndue Pisha, nuk kishte realizuar dot normën dhe policia tentonte të rifuste përsëri në minierë, pa vajtur në mencë për të ngrënë bukën. Si rezultat, konflikti mori përmasa më të mëdha duke u kthyer në konflikt fizik në mes policëve dhe të dënuarëve shokë të Ndue Pishës, të cilëve iu bashkuan edhe të dënuar të tjerë nga rrethe të ndryshme të vëndit.

Pas kësaj, situate agravoi dhe doli jashtë kontrollit të policisë, e cila nga revolta e madhe e të dënuarëve, u detyrua që të tërhiqej dhe të dilte jashtë kampit. Pasi u riorganizuan me përforcime, policët rihynë përsëri në kamp dhe shkuan te menca dhe kapanonet ku qëndronin të dënuarit që u konfrontuan fizikisht me policët dhe që nuk pranonin të dilnin në punë.

qafe bari 4

Ndërkohë komanda e kampit lexoi një listë emrash, duke iu bërë thirrje të dilnin në punë, por përsëri të dënuarit nuk pranuan. Pas kësaj, Komandanti i Policisë së Kampit, Edmond Caja, iu la të dënuarëve një afat prej pesë minutash që të dilnin në punë, pasi në të kundërt ndaj tyre do përdorej dhuna dhe do i nxirrin me forcë nga ambientet ku ishin futur. Nisur nga kjo situatë, të dënuarit Tom Ndoja, Sokol Sokoli, Sokol Progri etj, që nuk e lejuan policinë ta merrnin me dhunë Ndue Pishën dhe që gjithashtu ishin dhe personat kryesorë që u konfrontuan fizikisht me policinë, iu kërkuan të dënuarëve të tjerë që mos ta vazhdonin më atë revoltë, pasi ata do dorzoheshin vetë dhe nuk donin që të bëheshin shkak që policia t’i keqtrajtonte ata. Por edhe pas kësaj revolta vazhdoi përsëri me konfrontime fizike në mes të dënuarve dhe policisë.

Ndërkohë ishte dhënë alarmi dhe në drejtim të kampit të Qafë Barit ishin nisur forca të shumta policore dhe ushtarake nga Puka e Shkodra, si dhe disa trupa të zgjedhura nga Reparti i Ndërhyrjes së Shpejtë I Tiranës që u nis me makinat “IFA”. Po kështu në kampin e Qafë Barit zbarkoi me një helikopter ushtarak, vetë zv/ministri i Punëve të Brendëshme, Zylyftar Ramizi.

qafe bari 5

Pas kësaj, forcat e shumta policore dhe ushtarake që u futën në kamp, ndërhynë me forcën e shkopinjëve të gomës dhe mjeteve të tjera rrethanore, duke qëlluar barbarisht mbi të dënuarit, si p.sh. ndaj Hajredin Fratarit, Dalip Zhabollit, Nuredin Skraparit, Sandër Sokolit, Bajram Vuthit, Tom Ndojës, Sokol Sokolit, Sokol Progrit, Lush Bushgjokës, Martin Lekës, Vllasi Koçit, Lazër Shkëmbit, Haxhi Baxhinovskit, Kostandin Gjordenit, Hysen Tabakut etj. Madje ndaj Kostandin Gjordenit një polic qëlloi me pistoletë për ta vrarë, (por plumbi fatmirësisht e kapi pak mbi zemër dhe i mbeti në shpatull), dhe ai mbeti i shtrirë në tokë ashtu i plagosur dhe shokët e tij u munduan t’ja ndalonin gjakun duke ia lidhur plagën me duhan. Të gjithë emrat e sipërcituar si dhe shumë të dënuar të tjerë, u morën forcërisht dhe pasi i ngarkuan në disa kamionë, i dërguan në Degën e Brendëshme të Pukës, apo kampin e Zejmenit, ku përsëri iu nënshtruan torturave çnjerzore për një muaj rresht.

qafe bari 6

Ndërkohë, i dënuari Sandër Sokoli, (ish-pilot i diplomuar në Bashkimin Sovjetik dhe Kinë), vdiq nga torturat ende pa mbërritur në Degën e Brendëshme të Pukës, ku të dënuarëve të tjerë iu bë dhe hetuesia e gjyqi po aty, dhe si përfundim, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli u dënuan me vdekje me pushkatim, ndërsa të tjerët u ridënuan me vite të gjata burgu.

Të gjitha këto dhe të tjera fakte të panjohura nga “Revolta e Qafë Barit, vijnë në këtë dokumentar nëpërmjet dëshmive para kamerave të disa prej ish-protagonistëve kryesorë të asaj ngjarje, si: Hajredin Fratari, Dalip Zhabolli, Haxhi Baxhinovski, Bajram Vuthi, Bedri Blloshmi, Agron Hoxha, Kostandin Gjordeni, Pjetër Luli, Lek Frroku, etj. Si dhe Vera Bekteshit, e cila midis të tjerash dëshmon se si e ka përjetuar familja e saj, lajmin e vdekjes së Sandër Sokolit (djali i motrës së gjeneral-leitnant, Sadik Bekteshit, i cili gjithashtu vuajti në burgun e Burrelit deri në vitin 1991), për të cilin japin dëshmitë e tyre edhe të gjithë bashkëvuajtësit e tjerë.

qafe bari 7

Përveç dëshmive të dhëna nga ish-protagonistët e asaj ngjarje, për realizimin e dokumentarit janë shfrytëzuar edhe shumë dokumenteve arkivore dhe foto të vëna në dispozicion nga ana e Autoritetit të Hapjes së Dosjve (që drejtohet nga znj. Genta Sula) duke na i shërbyer me mjaft korrektesë znj. Aida Shala.

Një ndihmë po ashtu të madhe për realizimin e dokumentarit ka dhënë edhe z. Bedri Blloshimi, si konsulent dhe protagonist i ngjarjes së Revoltës së Qafë Barit dhe autor i një libri voluminoz për këtë ngjarje. I cili gjithashtu për vite me rradhë, privatisht, ka bërë kërkime për gjetjen e eshtrave të Tom Ndojës dhe Sokol Sokolit, deri sa i gjeti në vitin 2011 në rrethinat e Shkodrës. Nga dokumentet arkivore të siglura “sekret”, me mjaft interes është ai ku me shkrim dore, ish-drejtori i Drejtorisë së Zbatimit të Veprave penale, ka shënuar: “Me porosi të shokut ministër, dy të dënuarëve që do të pushkatohen, sytë e tyre t’i jepen Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore”.

qafe bari 8

Dokumenti në fjalë është një dëshmi autentike dhe e pakontestueshme e krimeve të përbindëshme të regjimit komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri, mbi të cilat është bazuar ky cikël dokumentarësh që realizohet nën kujdesin direkt të drejtorit të përgjithshëm Radio Televizionit Publik Shqiptar, z. Thoma Gëllçi. Dokumentari “Revolta e përgjakur e Qafë-Barit”, vjen premierë të mërkurën, dt. 25 prill, në ora 20 e 35 dhe ritrasmetohet të premten, dt. 27 prill, në ora 13 e 15 në Radio Televizionin Publik Shqiptar.

Nga Dritan Xhemalaj, TemA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura