Revolta e parë është e taksapaguesve

Nov 27, 2015 | 11:09
SHPËRNDAJE

zogajPREÇ ZOGAJ

Situata e vendit duket qartë se është mbingarkuar me zhgënjim, pakënaqësi,  zemërim dhe frymë revolte kundër qeverisë Rama-Meta. Në polifoninë e shpërthimit, pa nënvlerësuar asnjë prej kategorive dhe grupimeve shoqërore, mendoj se revolta e parë është e taksapaguesve. Të mëdhenj, të mesëm, të vegjël. E sipërmarrësve që paguajnë miliona dhe e konsumatorëve që paguajnë taksën e vlerës së shtuar për çdo mall që blejnë në treg.

Praktikisht, e shumicës dërrmuese të qytetarëve. Revolta e taksapaguesve është revolta kundër keqmenaxhimit, abuzimeve, korrupsionit dhe vjedhjes së parasë publikë. Si e tillë ajo ndryshon nga revolta po aq e ligjshme kundër mashtrimeve apo dështimeve. Mashtrimet dhe dështimet janë shprehje e paturpësisë dhe paaftësisë së qeverisë. Korrupsioni dhe vjedhja janë krime. Taksapaguesit shqiptarë kanë arsye të shtuara të ngrenë zërin në kupë të qiellit, të protestojnë pa afat, të përshtatin qëndrime të studiuara që shkojnë në kahun e mosbindjes civile.

E gjithë kjo jo thjesht sepse shqiptarët- punëdhënës, punëmarrës, të vetëpunësuar, punonjës buxhetorë apo pensionistë- paguajnë taksa dhe tarifa nga më të lartat, në mos më të lartat në rajon. Edhe pse të kërrusur nga pesha e rëndë e barrës fiskale dhe pesha e borxhit publik në rritje, njerëzit do të merrnin njëfarë ngushëllimi dhe pse jo sadisfaksioni po të ishin të mirinformuar dhe të konsultuar për fatin e parave që paguajnë, po të shihnin më sy e preknin me dorë dobinë publike të sakrificës së tyre. Ku shkojnë paratë e arkës së përbashkët?

Si përdorën ato nga qeveria? Përgjigjet, për aq sa jepen nga organet shtetërore, opozita apo media e pavarur, janë alarmante. Kontrolli i Lartë i Shtetit raportonte pak javë më parë në Kuvend se rreth pesëdhjetë për qind e tenderave të qeverisë aktuale janë zhvilluar me prokurim të drejtpërdrejtë. Ka pasur edhe më parë dhe do të ketë edhe në të ardhmen tendera pa garë, kur është e domosdoshme.

Ka pasur dhe më parë abuzime me këtë përjashtim nga rregulli, duke “rregulluar” letrat. Por asnjëherë kaq shumë. Gjendja është stërpërkeqësuar. Për shifrat e humbjeve dhe abuzimeve që ka denoncuar organi shtetëror i kontrollit ka pasur komente dhe reagime politike, sikur KLSH është pozicionuar politikisht, një metodë e njohur e Kryeministrit, ministrave dhe zyrtarëve të lartë për të relativizuar faktet dhe akuzat e rënda.

Për numrin e tenderave me prokurim të drejtpërdrejtë nuk mund të ketë komente subjektive. Ato numërohen. Pse kaq shumë, kur tendenca ka qenë dhe duhej të ishte ulja e tyre në minimumin e pashmangshëm? Çfarë ka ndodhur? Përveç përmbytjeve në Fier dhe në Vlorë vitin e kaluar, nuk dimë të ketë pasur ndonjë emergjencë tjetër që të përligjë tendera pa garë.

E vetmja përgjigje mbetet sajdisja e miqve dhe shokëve, marrja e pjesës, ndarja me ta e fitimeve të sigurta. Ndihet se vibron një tundim i vazhdueshëm në veprimin e Ekzekutivit të Ramës për ta zhdukur fare tenderin, duke e parë si pengesë, sikur paratë janë të Kryeministrit, të ministrave, të drejtorëve dhe këta mund t’ua japim kujt të duan. Kjo mendësi shpjegon numrin e madh të tenderave pa garë.

Ajo është shtrirë edhe te tenderat me garë. Ofertat më të ulëta kanë më pak shanse për t’u shpallur fituese se ofertat e larta, në kufi të fondit limit. Shembulli emblematik, që flet po aq mirë, sa do të fliste një studim për këtë temë, është tenderi i ndërtesës së OSHEE-së, ku fitues është shpallur biznesmeni Pandi Carapuli, që ishte renditur nga fundi, apo i fundit, nuk më kujtohet mirë.

Firmat para tij, që kishin paraqitur oferta më të ulëta, janë nga më seriozet në vend. Nuk do të ishte as e papritur, as e pakëndshme për kërkënd humbja e një gare me ta. Pandi Carapuli është një biznesmen i fillimeve të nismës së lirë në Shqipëri dhe, në njohjen time, serioz. Ai është mik me Edi Ramën, për aq sa mund të ketë kuptim dhe vazhdimësi fjala mik në marrëdhënie të tilla. Ta themi që në fillim: Pandi Carapuli dhe çdo sipërmarrës mik i Ramës ka të drejtë të marrë tendera e të fitojë para sa më shumë të jetë e mundur.

Por nëse për ndonjë tjetër që nuk është mik i Kryeministrit edhe tolerohet ndonjë shkapërcim, miqtë e Kryeministrit duhet ta meritojnë dyfish vendin e parë për t’u shpallur fitues. Këtë thotë etika. Kur miqtë nxirren nga fundi në krye, është abuzim me brirë. Pse i duhej, çfarë i duhej Carapulit një tender ku nuk ka fituar në renditje? Kjo patjetër që komprometon një seri marrëdhëniesh me kolegë, me mjedisin dhe normat e garës, me konkurrencën. Ka pak rëndësi ka ndërhyrë apo nuk ka ndërhyrë Rama. Këtu të gjithë zyrtarët e kanë bërë zakon të thonë “ma provo që kam ndërhyrë”.

S’kam nevojë dhe as më shkon mendja të harxhoj kohë për këtë lloj prove. Kryeministri ka ndërhyrë, sepse nuk ka reaguar fare kur opozita dhe disa media denoncuan rastin. Përkundrazi. Bashkë me zyrtarët e OSHEE-së iu sulën PD-së me refrenin kodra pas bregut “nuk do ta lëmë OSHEE-në në mjerimin ku e latë ju”, e tjerë, e tjerë. S’po u thoshte kush në fakt mos ndërtoni, mos e nxirrni nga mjerimi. Po pyeteshin dhe po denoncoheshin që kishin shpallur fitues atë që ishte renditur i fundit, që ishte mik me Kryeministrin.

Firma “Intech +”, që ka pasur ortak ministrin e Shëndetësisë, ka fituar 28 tendera në 22 muaj dhe ka vijuar të fitojë edhe pas denoncimeve që ka bërë opozita. Meqenëse “ligji nuk e ndalon”. Ka shumë gjëra që nuk ndalon ligji, por i ndalon ose i kufizon etika, e cila për një qeveri të mirë, është një virtyt po aq i madh sa ligji, në mos edhe më i madh. Nuk thotë kush të penalizohet kjo firmë.

Të punojë dhe të fitojë. Por askush nuk bindet se do të kishte fituar kaq shumë tendera pa trafikun e interesave dhe shkëmbimin e favoreve brendapërbrenda qeverisë. Fakte të tilla komprometojnë rëndë marrëdhënien e zyrtarëve më të lartë të qeverisë me burimin dhe pronarin e vërtetë të parasë publike, që janë taksapaguesit. Po kush i pyet ata?!

Kush i pyet taksapaguesit, që qeveria e krizës më të madhe që nga viti 1997 ka luksin të destinojë shuma ta konsiderueshme qindra milionëshe për të krijuar xhepa korrupsioni, siç është, për shembull, projekti për të kuruar stresin e punonjësve të OSHEE-së? Kush i pyeti taksapaguesit për projektet e zbukurimit, që janë financuar e financohen para projekteve të zhvillimit apo projekteve kundër varfërisë! Për t’u justifikuar, Kryeministri ka thirrur në ndihmë estetikën.

Estetika është një element që duhet të reflektohet në çdo investim, por nuk mund të ketë “investime estetike” kur qytetarët marrin rrugët e botës për shkak të gjendjes së padurueshme ekonomike dhe shoqërore. Lista e investimeve të luksit, që shërbejnë si xhepa korrupsioni, është e gjatë dhe zgjatet çdo ditë. Lista e tenderave abuzivë me fitues të paracaktuar gjithashtu. Shihet qartë se ka një politikë për ta qarkulluar paranë publike brendapërbrenda një rrethi të ngushtë klientësh.

Qeveria e konsideron veten padrone të parasë publike dhe sillet si e tillë. Në fakt, ajo është (duhej të ishte) vetëm administratore dhe menaxhuese e kësaj paraje. Për këtë votohet. Por kush pyet për votën? Kush pyet për parime, ligje, rregulla? Paraja mbi të gjitha. Ky është slogani, kjo është deviza e pashkruar e ditës. Edi Rama nuk është mësuar të krijojë para, por vetëm të shpenzojë. Me dorë të rëndë. Po të ishte administrator i parave të një kompanie private dhe t’i tenderonte e investonte siç tenderon dhe investon paratë e buxhetit, do ta shkarkonin menjëherë.

Po t’i kishte të familjes, kryefamiljari do t’ia merrte pa një pa dy çelësin dhe vulën. Po t’i kishte të vetat, të fituara me djersën e ballit, do të mendohej mirë për çdo qindarkë. Paraja e miletit mban, thuhej dikur. Është e vjetër kjo, është allaturka. Por kanë ndryshuar kohët. Taksapaguesit shqiptarë nuk mund ta lejojnë qeverinë e tyre t’i bëjnë lekët rrush e kumbulla dhe ca më pak, t’i përvetësojë me marifete me shokët dhe klientët e saj. Revolta e taksapaguesve është shpalosja e një ndërgjegjeje të re, është trokitja e një civilizimi të ri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura