Retorika boshe e rilindjes

Jun 24, 2017 | 14:37
SHPËRNDAJE

LILI SULA*

Lili SulaRilindja, e njohur ndryshe me emrin e vendlindjes Rinascimento, si dhe format neolatine (Renaissance etj.) lindi në Itali, për të kaluar më pas në Spanjë, Angli, Francë, Gjermani etj. Rilindja dëshmon ende sot një nga fenomenet më të rëndësishme europiane të shekujve XIV-XVIII, që solli lulëzimin e arteve pamore, muzikës, letërsisë, filozofisë etj. Ringjallja e antikitetit dhe e paganizmit nën dritën e energjive njerëzore që kulmuan me shpikjen e shtypshkronjës (J. Gutenberg), zbulimin e Amerikës (K. Kolombi), transformimin e teorisë së sistemit diellor (N. Kopernik, G. Galilei) i dha karakter të spikatur humanist kësaj lëvizjeje. Në letërsi, Rilindja njohu kulme artistike përmes D. Aligerit, Shekspirit, Servantesit e shumë autorëve të tjerë.

Shqipëria, si vendi ku lëvizjet e fuqishme historiko-kulturore kanë ardhur vonë e shumë vonë, e njohu Rilindjen në shekullin XIX në një kontekst historik e politik vetanak, aspak të ngjashëm me atë europian. Personalitete të shquara të shek. XIX, të bindur se rilindja nacionale, pavarësia ndaj Perandorisë Osmane, do të realizohej bashkë me rilindjen kulturore, u angazhuan në ndërtimin e ideologjisë së rilindjes, që u botua në formë manifestesh programatore.

Traktatet më të rëndësishme ideologjike që qarkulluan në Europë dhe përgatitën truallin e Rilindjes Kombëtare për pavarësi ishin vepra e Pashko Vasës, E vërteta për Shqipërinë e Shqiptarët, botuar në frëngjisht, 1879 (e cila u përkthye në shqip, anglisht, gjermanisht, turqisht etj.), ku përshkruhej historia e Shqipërisë nga pellazgët e ilirët deri në fund të shekullit XIX, si dhe shtjelloheshin rrugët për përparimin e kombit.

Ideologun kryesor të Rilindjes Kombëtare të shekullit XIX dhe një nga personalitetet e historisë së mendimit politik shqiptar e përfaqëson Sami Frashëri me traktatin politikosocial Shqipëria çka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë, që u botua në shqip, në Bukuresht (1899) e qarkulloi shpejt edhe në turqisht, italisht, gjermanisht, greqisht, bullgarisht etj.

“Rilindja” e sotme, nën moton e së cilës punohet prej katër vitesh, përfaqëson rimarrje formale e abuzive të termit Rilindje të shek. XIX i cili, lyer e ngjyer me modernitetin e shekullit XXI, është keqpërdorur si slogan ideologjik. Retorika e “rilindjes” na drejtoi në një qasje të shpejtë lëndore krahasimtare me veprën e Samiut për të parë nëse ka rrafshe të përbashkëta ligjërimore e ideore ose, së paku, pika takimi.

Angazhimi rilindas e shtyu Sami Frashërin në një vepër misionare që programonte strategjitë ideologjike për çlirimin kombëtar dhe ndërtimin e shtetit demokratik, duke u mbështetur në krenarinë e së shkuarës historiko-mitologjike dhe në objektivitetin e gjendjes reale të vendit gjatë shekullit XIX. Titulli i veprës rrëfen në tri kohë, të kaluarën, të tashmen e të ardhmen e vendit, ndërsa nëntitulli Mendime për shpëtim të mëmëdheut nga rreziket që e kanë rrethuarë stilizon e personalizon ligjërimin, krijon ngarkesën emocionale e thirrjen kushtruese, si dhe përcakton rrafshin e ligjërimit dhe të destinimit të tij për publik masiv.

Pjesa e parë e veprës, nga origjina pellazgjike e shqiptarëve, te ilirët e epirotët, në sundimin romak, te periudha e Skënderbeut, për të vijuar me mitin e racës e gjuhës së lashtë pellazgjike, që ngjallte krenarinë kombëtare, ka dëshmi dhe shumë fantazi. Pjesa e dytë karakterizohet nga ligjërimi përshkrues e dëshmues dhe i kushtohet gjendjes reale të brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë pas reformave të Tanzimatit, rreziqeve që i kanoseshin mëmëdheut nga rrënimi i Perandorisë Osmane, mjerimit ekonomik e social të vendit, mungesës së arsimit në gjuhën amtare, përçarjes fetare etj. Kjo pjesë i kundërvihet ligjërimit historiko-mitologjik e romantik të pjesës së parë.

Me stil patetik e himnizues vizaton Samiu pamjen fizike të mëmëdheut si “një nga më të bukurat` e vëndevet t`Evropësë”. Raporti me natyrën përbën të vetmen pikë takimi me retorikën e rilindjes së sotme, që dukshëm e qartë nuk i takon programit të rilindasit të ngjyrshëm të ditëve tona, po nënës natyrë shqiptare, që bujarisht i është vetofruar gjithnjë politikanëve. Një ndryshim thelbësor ka edhe këtu: në rastin e “rilindjes” së këtyre viteve, natyrës i fshihet autorësia, mëmësia, në strategji turistike afatgjata, të cilat pas shndërrimit modernist natyror, do të bëjnë që këtu të lërë mendtë turizmi europian dhe ai amerikan që do të sjellin miliona euro për investime.

Përmes një programi të detajuar argumentues, Samiu ndërton të ardhmen e dëshiruar të atdheut, duke iu përgjigjur pyetjes Ç’do të bëhetë Shqipëria? të pjesës së fundit të traktatit.

SH/Përdorimi i termit Rilindje na kthen prapa në shekullin XIX dhe shumë më pas po t‘i referohemi rilindjes europiane të shek XIV-XVIII. Ligjërimi ynë shkencor e politik nuk ia ka dalë ndonjëherë të krijojë terma; si rregull ai i ka huazuar të gatshme nga gjuhë burimore që hyjnë në komunikim ndërkombëtar. Edhe kur përpjekshëm, në emër të origjinalitetit, ka sajuar ndonjë të tillë, ato ose nuk kanë shpreh (shenju) mendimin e lëndën e kërkuar duke krijuar polivalencë e mjegullim kuptimor, ose e kanë rrafshuar kuptimin. Të dyja rastet të dështuara! E pamë të udhës të sugjerojmë termin Ri/lindje e Vjetër që besojmë se, pa dashur të bëjmë lojë programesh e fjalësh ose “të krijojmë analogji”, termi vesh kuptimisht procesin e lindjes, si risi mëmësore e rini prindërore: parashtesa –ri- synon ta ri/për/tërijë atë në kufijtë e përrallës, ndërsa zgjerimi mbiemëror -e Vjetër- shënjon kuptimisht ringjalljen e së shkuarës të vitit 1941.

Kurrfarë ngjashmërie me programin e Rilindjes Kombëtare, jo vetëm prej profileve të ndryshme autorialë, që s’kanë vend për krahasim, jo vetëm pse largësia kohore mbi njëshekullore diferencon logjikshëm manifestin politik, po mbi të gjitha angazhimi e rrethanat në të cilat u krijua dhe u vu në zbatim vepra e Samiut janë krejt të ndryshme me ato të ditëve tona. Boshe retorika e rilindjes krahasuar me retorikën e rilindasve të shek. XIX, nga ku termi u mor fare pa ndrojë dhe u keqpërdor (fyerje e madhe për rilindasit kombëtarë); boshe retorika e rilindjes shqyrtuar në lidhje me premtimet e para katër viteve për 300.000 vende pune, për reformë arsimore, shëndetësi falas, taksa të ulëta, pensionin e trembëdhjetë, ndihmë ekonomike etj. Boshe e shterpë retorika e rilindjes sot, nën sloganin na mbështesni se për katër vjet dhamë provë që dimë të bëjmë shtet. Boshe retorika e rilindjes së këtyre ditëve për Shqipërinë që duam, pa bilance, pa realizime, pa program, po vetëm me palma të thata, të cilat nuk i rilindi as pranvera e lagësht e këtij viti.

Retorika është art ligjërimi e strategji e fortë për të siguruar mbështetje popullore, po në momentin që ligjërimi fiksohet, koha kalon e faktet flasin, retorika shterpëzohet e të tradhton.

*Përgjegjëse e Departamentit të Letërsisë, Universiteti i Tiranës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura