Restaurohet “Zoja e Shkodrës”, afresku i dëmtuar

Sep 24, 2015 | 13:18
SHPËRNDAJE

25-vjetori i rikthimit të besimit në Shqipëri që nis me meshën e parë në varrezat katolike të Rrmajit do të përkujtohet me një sërë ngjarjesh të mëdha.

Një ndër to është restaurimi i pikturës së Zojës së Shkodrës. Piktura e famshme po punohet me kujdes nga restautorja Edlira Çaushi, e cila thotë se piktura ka dëmtime të mëdha dhe se do të restaurohet me aq kujdes që të ruhet identike siç ka qenë pa shtuar asnjë detaj.
ZOJA-E-SHKODRES“Punimet në fakt janë në fazën e tyre të parë, është një punë e gjatë, pasi janë dy piktura, e Zojës së Shkodrës dhe ajo e Lindjes së Krishtit.

Janë tmerrësisht të dëmtuara, ndaj punimet vështirësohen akoma më shumë, sepse kemi të bëjmë në fillim me një hulumtim të të gjithë historisë se si ka qenë, llojin e punimit dhe gjithçka tjetër të detajuar. Më pas duhet kalimi në faza të tjera. Gjendja e konservimit të tyre paraqitet mjaft e degraduar. Si hap i parë që ne ndërmorëm është parandalimi i degradimit të mëtejshëm dhe kjo është faza e prekonsolidimit, pra, është një fazë paraprake dhe për një restaurim më të thellë të të dyja pikturave.

Ne kemi nisur fazën e parë, por paralelisht edhe po hulumtojmë historinë, sepse është një punim, i cili mendohet se i përket shekullit XIX. Punimi në telajo është shumë i vështirë në restaurim, aq më tepër kur ndodhet në fazën e dëmtimit total. Nuk do të ndryshojmë asgjë te këto piktura, sepse ne nuk mund të krijojmë një tjetër art, pra, nuk ka vend për të krijuar elemente të reja, sepse do të ishte një tjetërsim për Zojën e Shkodrës.

Do të ruhet identike, prandaj po hulumtojmë çdo element në detaje që nga shekulli XIX. Nëse do të vendosnim elemente të tjera, atëherë do të ishte një ofendim jo vetëm ndaj Zojës së Shkodrës, por edhe ndaj këtij objekti kulti e po ashtu edhe ndaj të gjithë atyre që e adhurojnë”, shpjegon specialistja.

Ajo nuk mund të na japë një afat se kur mund të përfundojë restaurimi, pasi, sipas saj, mund të dalin vështirësi gjatë rrugës, aq më tepër që gjendja e veprave është shumë e rëndë dhe faza e hulumtimit kërkon kohë. Piktura e Zojës së Shkodrës, pas qëndrimit për shumë vite në Muzeun Ateist në Shkodër, i vetmi në llojin e tij në të gjithë botën, tashmë po ruhet nën kujdesin e dom Artur Jakut, famullitar në famullinë e “Shën Shtjefnit” në Shkodër. Pikturën e Zojës së Shkodrës dhe atë të Lindjes së Krishtit, dom Artur Jaku i quan mjaft të rëndësishme, jo vetëm për Kishën Katolike, por edhe më gjerë.

“Dy piktura, ajo e Zojës së Shkodrës dhe e Lindjes së Krishtit, janë në një fazë të degraduar dhe sigurisht që kanë nevojë për një ndërhyrje emergjente. Falë një bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës, kemi bërë të mundur fazën e parë, që është prekonsolidimi i këtyre pikturave.

Janë dy simbole të rëndësishme, jo vetëm për ne katolikët, por për krejt njerëzimin. Iniciativa e punimeve nisi në kuadër të përvjetorit të meshës së parë. Po bëhen shumë punime në këtë përvjetor. Mjafton të kujtojmë sistemimin e varrezave të Rrmajit. Edhe ato në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, si dhe ndërtimin e ‘Piaca Gjon Pali’, që vjen si bashkëpunim i famullisë ‘Shën Shtjefni’ me Bashkinë Shkodër”, thotë ai. Sipas tij, paradoksi në gjithë këtë histori qëndron në faktin që kjo vepër, e cila mendohet t’i takojë shekullit XIX, është ruajtur nga shkatërrimi, pikërisht në Muzeun Ateist.

“Edhe pse tingëllon pak absurd, duhet thënë se falë këtij muzeu ato i kanë rezistuar kohës dhe së shpejti do të vijnë në mënyrë perfekte të punuara. Janë vepra të veçanta që i rezistuan kohës për më se dy shekuj”. Dom Artur Jaku shpreson që ato të jenë gati në përkujtimin e 25-vjetorit të kremtimit të meshës së parë nga dom Simon Jubani.

SHKODER/ SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura