Restaurohet shkolla ku dha mësim Migjeni

Dec 12, 2017 | 15:08
SHPËRNDAJE

E rikonstruktuar si për t’i shpëtuar shembjes nga lagështia, së jashtmi me një suva bojë hiri dhe dritare me kangjella hekuri, shkolla ku ka dhënë mësim Migjeni, nuk i ngjan asfare një monumenti kulture, por një ndërtesë e rëndomtë, që mund të jetë gjithçka. Kurrsesi një muze. E harruar prej vitesh, më në fund do të nisë një projekt për restaurimin e shkollës ku ka dhënë mësim Migjeni.

25181856_1713947395334541_1858372431_n

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Kulturës, në Pukë, nis puna për hartimin e projektit të restaurimit të shkollës ku dha mësim poeti Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni. “Uragani i ndërprerë” e ka cilësuar Ministria e Kulturës, duke i huazuar Kadaresë titullin e një vepre kushtuar Migjenit (Uragani i ndërprerë-Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe).

Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës kanë udhëtuar drejt shkollës muze të qytetit të Pukës, në vendin ku Migjeni jeton sot nëpërmjet fotove, kujtimeve dhe veprave të tij, të cilat qëndrojnë të ekspozuara në ambientet e shkollës.

Duke marrë parasysh gjendjen aktuale jo të mirë të monumentit dhe rëndësinë e tij, specialistët kanë nisur punën për hartimin e projektit të restaurimit.

Restaurimi i elementëve karakteristikë të objektit si dhe rikonceptimi i ambientit të brendshëm në shërbim të ekspozimit të objekteve, do të mund të rikthejnë vëmendjen e vizitorëve ndaj këtij objekti muzeal me vlera të veçanta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura