Restaurohet “Shën Thanasi”, kisha e pikturuar nga Çetirët

Jun 16, 2015 | 23:11
SHPËRNDAJE

Aty është krijimi i Evës dhe Adamit, mëkati i parë dhe ndëshkimi i përmbytjes ardhur nga Zoti… Aty punuan Çetirët, ikonografët e famshëm të zonës së Myzeqesë, ku lanë gjurmë të jashtëzakonshme të artit ikonografik. Kanë kaluar gati 30 vjet që nga hera e fundit kur në Kishën e Shën Thanasit në Karavasta është vënë dorë nga specialistët për ta restauruar.

Pas një harrese të gjatë, më në fund i erdhi radha për t’u restauruar edhe kësaj kishe, me rëndësi të veçantë për zonën e Myzeqesë për vlerat e saj arkitektonike dhe ikonografike. Punimet për rijetëzimin e këtij objekti nisën dje nën prezencën e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro dhe deputetit të zonës Erion Braçe, e njëjta “skuadër” që prezantoi projektin në fjalë me rastin e Pashkëve ortodokse.

PROJEKTI

Harresa për tri dekada ka sjellë dëmtime të dukshme në Kishën e Shën Thanasit. Mungesa e ndërhyrjeve mirëmbajtëse dhe agjentët atmosferikë kanë shkaktuar plasaritje të mureve, rënie të suvasë, rënie të shtresave piktorike të afreskeve, dalje jashtë funksionimi të dyerve dhe dritareve, dëmtim i çatisë dhe dyshemesë, ndërkohë që nuk bëhet fjalë për arredim të kishës. Mësohet se ndërhyrjet e fundit restauruese janë kryer në vitin 1986. Projekti i restaurimit u hartua nga Instituti i Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri”, nën kujdesin e restauratorit Mustafa Arapi.

Punimet do të zgjasin gjashtë muaj, do të zbatohen nga firma “AD-STAR” sh.p.k dhe kapin vlerën e 12 milionë lekëve. KISHA Kisha e Shën Thanasit ndodhet në fshatin Karavasta e Re, në afërsi të Luginës së Karavastasë. Ndërtesa është monument kulture, i shpallur në vitin 1963.

Kisha e Shën Thanasit daton në gjysmën e dytë të shek.XVIII, në vitin 1778. Sipas specialistëve, në vitin 1979 piktorët grabovarë (Çetirët) Gjergj dhe Joan Katro pikturuan kishën me afreske. Tavani është i punuar në dru halorë, i gruntuar dhe i dekoruar me motive floreale si dhe pjesërisht i gdhendur, kryesisht në rozetat kryesore të pikturuara me figurën e Krishtit në qendër dhe figurën e Shën Athanasit, si dhe në frizat gjatësore.

Piktorët grabovarë Joani dhe Gjergji kanë adaptuar në ikonografi tematikën e vendosur në Kishën Ortodokse, të pasuruar me elementë stilistikorë të influencuara nga zhvillimet artistike në malin e Athosit, të përdorur më parë nga mësuesit e tyre Konstandin dhe Athanas Zografi, duke iu përshtatur njëkohë- sisht me përpikëri edhe mënyrës së radhitjes së skenave.

Tematika e tyre origjinale në Kishën e Shën Thanasit në Karavasta përfaqësohet nga skena të Testamentit të Vjetër, kryesisht nga libri i parë “Të Bërët” (“Krijimi”), ku gjejmë kompozime si Krijimi i Adamit, Mëkati i Parë i Adamit, Dëbimi i Adamit dhe i Evës, Përmbytja e Noes, etj., të cilat janë realizuar për herë të parë nga këta piktorë.

Në çerek kupolën e konkës së absidës është pikturuar Shën Mëria në variantin ÐëáôõôÝñá ôùí Ïõñáíþí (Më e gjerë se Qiejt), ndërsa më poshtë renditen Kungimi i Apostujve dhe Jerarkët.

NGA ALMA MILE 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura