Restaurohet “Nënë Tereza” e Aeroportit, gati për ngritje

Sep 2, 2015 | 13:27
SHPËRNDAJE

Pas një viti që la aeroportin, “Nënë Tereza” e Luan Mulliqit po bëhet gati të ringrihet. Nuk u deshën dy muaj, por shumë më tepër, që skulptura kushtuar humanistes shqiptare t’i nënshtrohej restaurimit. Tanimë duket se u fashit frika se mos skulptura do të përfundonte për skrap. Specialistët e Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit po punojnë për pastrimin dhe restaurimin e veprës.

Skulptura për restaurim në QRVA
Skulptura për restaurim në QRVA
Drejtori i QRVA-së, Agim Rada, është shprehur për mediat se vepra e skulptorit kosovar do të vendoset në rrethrrotullimin e Qafë-Thanës. Por mësohet se vendimin për ngritjen e skulpturës duhet ta marrë Këshilli Kombëtar i Territorit, i cili vendosi gjithashtu edhe heqjen e saj nga aeroporti. Nga Ministria e Kulturës mësojmë se ekziston një propozim, i cili do të merret në shqyrtim, por KKT ende nuk ka marrë një vendim për vendosjen e statujës së Nënë Terezës në Qafë-Thanë. Megjithatë, në mos në Qafë- Thanë, diku tjetër ajo do të vendoset. Skulptura e Luan Mulliqit u hoq nga Aeroporti “Nënë Tereza” vitin që shkoi, në prag të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri.

Ajo u zëvendësua me një tjetër statujë, të realizuar nga Thoma Thomai, e cila ndodhej në një kënd pranë Universitetit Politeknik, statuja u vendos në oborrin e QRVA-së. Arsyeja e heqjes dhe zëvendësimit të saj u argumentua me një sërë problemesh që paraqiste vepra, duke filluar që nga deformimi dhe mospërputhja me bazamentin, te ndikimi i agjentëve të ndryshëm atmosferikë.

Në një konferencë të përbashkët me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, drejtori i QRVA-se Rada u shpreh se nga “ana teknike është një vepër e nxituar, realizimi i së cilës është zbatuar jo në kushte optimale dhe e derdhur në mënyrë defektoze”.

Ai u shpreh se restaurimi i veprës paraqiste një varg vështirësish. Vepra ishte lyer me bojë antiruxho dhe hapi i parë për restaurimin e veprës ishte djegia e bojës, për t’u vijuar me trajtime me solucione të posaçme. Mënyra e ruajtjes së saj shkaktoi shumë zhurmë. Fotografitë u shpërndanë nëpër rrjetet sociale, por specialistët e argumentuan me mënyrën e pastrimit të saj në ambiente të hapura, për shkak të rrezikshmërisë që paraqisnin solucionet

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura