Restaurohen muret e shkatërruara të Kalasë së Beratit

Dec 30, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

Pas një periudhe të gjatë harrese, muret kufizuese të Kalasë së Beratit, një ndër pasuritë e njerëzimit, nën mbrojtjen e UNESCO-s, i nënshtrohet restaurimit. Pak kohë më parë, një pjesë e murit kufizues me kullën nr. 14 pësoi një dëmtim serioz, duke rrezikuar shembjen e gjithë strukturës. Sipas specialistëve, dëmtimi ka ardhur si pasojë e shkaqeve natyrore, rrëshqitjes dhe shembjes nga reshjet e disa javëve më parë. Dëmtimi i elementit lidhës dhe infiltrimi i ujërave sipërfaqë- sorë në pjesët e brendshme të tij, sollën shkëputjen e një pjese dhe rrëzimin e një sipërfaqeje rreth 20 m2.

Kalaja-e-Beratit

Muri kufizues kish pësuar dëmtime dhe për arsye të strukturës së tij të dobët dhe si pasojë e mungesës së ndërhyrjes me punime mirëmbajtjeje për vite me radhë. Menjëherë pas këtij rasti emergjent, Drejtoria Rajonale e Kulturës Berat, në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe Ministrinë e Kulturës hartoi projektin e restaurimit në një kohë shumë të shkurtër. Pas dokumentimit të fazave të ndë- rhyrjes, përshkrimit historik dhe teknik të këtij trakti mural, materiali u paraqit për konsultim dhe vendimmarrje pranë Këshillit Shkencor të Restaurimeve në datën 17 dhjetor.

Ministria e Kulturës mblodhi Këshillin Kombëtar të Restaurimeve në datën 18 dhjetor dhe miratoi projektin e ndërhyrjes për konsolidimin, restaurimin dhe qepjen e muraturës në pjesët e dëmtuara. DRKK – Berat ka marrë masat dhe ka ndërhyrë duke pastruar terrenin, siguruar kantierin dhe eliminuar rrezikun ndaj turistëve dhe banorëve.

Më pas, specialistët restauratorë filluan fazën e implementimit të projektit në terren dhe brenda një kohe të shkurtër arritën të normalizojnë situatën dhe të ringrenë murin, duke përdorur gurët e vjetër. Punimet u realizuan me fondin e mirëmbajtjes së drejtorisë dhe specialistët e saj. Restaurimi është drejt përfundimit dhe falë reagimit të menjëhershëm, u shmang shembja e pjesës së mbetur të këtij trakti mural.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura