“Respekto Kodin Zgjedhor, mos u bëj pengesë!”- PS apel kryebashkiakes Voltana Ademi: Mirato listën e zgjedhësve, je në tejkalim të afatave

Jan 28, 2022 | 16:38
SHPËRNDAJE

Partia Socialiste në Shkodër i ka kërkuar kryebashkiakes Voltana Ademi që të shpallë listën e zgjedhësve që pritet të votojnë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.

Përmes një deklarate për media të zëdhënësit Erion Metushi, PS Shkodër, deklaron se kryebashkiakja Ademi është në shkelje të afateve të vendosura nga KQZ.

Sipas zëdhënësit të PS afati ka 24-orë që ka kaluar dhe ftoi kryebashkiaken Ademi të jetë bashkëpunuese dhe të mos cënojë procesin zgjedhor, por të publikojë sa më parë listën e zgjedhësve.

“Në njoftimin zyrtar nga KQZ thuhet se Zyrat e Gjendjes Civile duhet të hartojnë listat e zgjedhësve jo më vonë se data 25 Janar 2022. Ndërkohë që brenda 48-orëve nga përfundimi i përditësimit, kryetarët e Njësive vendore i miratojnë dhe i shpallin sipas nenit 48 të Kodit Zgjedhor. Bashkia Shkodër që në nisje të këtij procesi është jashtë afateve ligjore. Listat duhet të ishin miratuar dhe shpallur më datën 27 janar, por dhe pas 24-orëve ky detyrim nuk është përmbushur.

Partia Socialiste Shkodër i bën thirrje zonjës Voltana Ademi që të respektojë detyrën që Kodi Zgjedhor i ngarkon. Të miratojë dhe të shpallë menjëherë listat e zgjedhësve dhe të mos bëhet pengesë, në mbarëvajtje të këtij procesi. Gjithashtu ftojmë institucionet dhe palët politike të përfshira në procesin e zgjedhjeve të pjesshme vendore për kreun e bashkisë Shkodër, që të jenë bashkëpunuese dhe bashkëvepruese në garantimin e zgjedhjeve me standart dhe qytetari”, tha zëdhënësi i PS-së.

shkresa

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura