Resorti i Altin Hajrit dhe makina e blinduar e rivalit të Aldo Bares, dy dosjet që SPAK i kthen OFL-së. Ja çfarë kërkohet

Feb 13, 2020 | 8:06
SHPËRNDAJE

BLEONA METUSHI/ Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), dy ditë më parë i ka kthyer Operacionit Forca e Ligjit dy prej dosjeve të dërguara, me kërkesën që të plotësohen më tej me veprime shtesë në terren.

aksion-kck-5

Bëhet fjalë për sekuestrimin e resortit të Altin Hajrit në Shijak dhe makinës së blinduar të Saimir Taullaut. Burime nga SPAK-u thanë se veprimet e kësaj strukture do të vazhdojnë për të dyja dosjet, por është kërkuar nga OFL-ja që të plotësojë me disa veprime të tjera në terren dhe ta ridërgojë sërish.

Këto janë dy nga dosjet e para të kaluara pranë Prokurorisë së Posaçme, me qëllim që të kryejë veprime të tjera dhe brenda 15 ditëve t’i dërgojë ato me kërkesë në Gjykatën e Posaçme, e cila sipas ligjit, ka po ashtu 15 ditë kohë të marrë një vendim. Ndërkohë që OFL del çdo ditë me deklarata dhe u dërgon personave të dënuar apo të përfshirë në krim formular për deklarimin e pasurisë, në SPAK janë dërguar 12 prej tyre, për të cilat do të kryhen verifikime shtesë.

Por nxitimi i OFL-së duket se është “ndalur” nga Prokuroria e Posaçme në kushtet kur janë dërguar të paplotësuara dhe SPAK pritet të marrë kërkesa të tjera, çka do të ngarkonte punën në këtë strukturë. OFL, që prej nisjes së operacionit, u ka dërguar kërkesë për vetëdeklarim të pasurisë 15 personave dhe ka sekuestruar: një vilë, një karburant, 6 banesa, 3 automjete dhe 1900 metra katrorë truall, arë.

PAKETA ANTI-KÇK

Miratimi i aktit normativ të prezantuar si paketa antiKÇK u bë mes shumë debateve publike, kjo pasi Policia dhe drejtori i saj marrin kompetenca të reja sa u takon urdhrave për sekuestro të pasurive. Sipas paketës, edhe Policia ka të drejtë të marrë masën e sekuestros për një pasuri. Në krye të paketës antiKÇK do të jetë Komiteti i Koordinimit që kryesohet nga ministri i Brendshëm.

Komiteti ka në përbërje edhe ministrin e Drejtësisë dhe Financave, Prokurorin e Përgjithshëm, drejtuesin e SPAK, kreun e SHISH, drejtorin e përgjithshëm të Policisë, kreun e Parandalimit të Pastrimit të Parave.

“Qëllimi i këtij akti normativ është ndërhyrja emergjente dhe me karakter të përkohshëm në kushtet e nevojës së forcimit dhe ashpërsimit të luftës kundër krimit të organizuar, organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale, si dhe çdo grupi tjetër kriminal e terrorist, bandave të armatosura, individëve të përfshirë në krimet e rënda, me synim konsolidimin e sigurisë në vend, përmes rritjes së kapacitetit dhe nivelit të zbulimit, gjurmimit dhe parandalimit të krimit të organizuar, krimeve të rënda, terrorizmit dhe përdorimit prej krimit të organizuar të pronave me origjinë të paligjshme”, shkruhet në aktin normativ.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura