Reshjet e shiut, Veliaj: Do jenë 48 orë të vështira. Ja rrugët që rrezikohen

Nov 25, 2015 | 11:31
SHPËRNDAJE

Dy ditët që vijnë do të jenë orë të vështira për kryeqytetin për sa i takon rreshjeve të shiut. Kështu ka paralajmëruar kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i cili i ka bërë apel qytetarëve që të kenë kujdes në disa rrugë në Tiranë këto ditë.

Kreu i Bashkisë ishte sot në zonën e Don Boskos, e cila është një nga pikat nevragjike të kryeqytetit, sa i takon kolektorëve që shkaktojnë përmbytje kur ka shira.

“Do fillojmë në këto 13 pika nevragjike, Don bosko, Lapraka… kemi bërë një rrugë të re sot që i ka të gjitha kanaliziomet, vetëm pengesat që kanë kolektorët në këtë rrugë bëjnë që të ketë përmbytje në rrugë te tjera. Në 1 qytet me 1 milion banorë fatet i kemi të lidhura, gabimet e dikujt përkthehen në hallet e 1 milion të tjerëve, të bashkëpunojmë, do jenë 48 orë të vështira por ne do jemi këtu”, tha Veliaj.

permbytje-4_1

Sa i përket rrugëve problematike dhe me mundësi më të lartë për t’u bllokuar, bashkia ka listuar rrugën “Siri Kodra” (segmenti te “Frigoriferi”), pastaj “Don Bosko”, Rruga e Kavajës, “Imer Nregjoni”, rr. “Bardhyl” (segmenti ku kryqëzohet me rr. “Qemal Stafa”), Unaza (segmenti “Vasil Shanto”-“21 Dhjetori”), rr. “Myslym Shyri” dhe rruga e Dibrës.

Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës u bën thirrje të evitojnë lëvizjet me urbanë, të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin kalimin pranë lumenjve në zonat periferike të Tiranës.

“Në raste emergjencash, ju lutemi të kontaktoni Bashkinë e Tiranës në numrin 0800 0888 (nga numrat fiks), Policinë Bashkiake në numrin 04 24 19 465, Zjarrfikëset në numrin 129 ose administratorin e njësisë tuaj administrative”, përfundon deklarata e bashkisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura