Reshjet e shiut shpëtojnë shqiptarët nga rritja e çmimit të energjisë elektrike

Nov 19, 2022 | 7:42
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI

Reshjet intensive të shiut ditët e fundit duket se do të shpëtojnë qytetarët nga rritja e fashës 800 kWh.

energji drita fatura IMG-20201107-WA0028

Qeveria njoftoi para disa ditësh se fasha prej 800 kilovat orësh për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, nuk do të aplikohet ndaj konsumatorëve as për muajin nëntor. Ky vendim erdhi duke parë parashikimet e reshjeve të shiut në vijim, si edhe kursimin e energjisë që vetë qytetarët po ndërmarrin apo edhe rënien e çmimit në tregun ndërkombëtar, ku Shqipëria blen energji për të plotësuar nevojat e konsumit.

Por duket se edhe gjatë muajit dhjetor nuk do të ketë rritje të fashës.

Ndryshimi i situatës meteorologjike ka sjellë përmirësim të dukshëm të nivelit të prurjeve në kaskadën e hidrocentralit të Fierzës, por dhe në dy liqenet e tjera, ndërsa parashikimet janë që reshjet të vijojnë dhe rrjedhimisht dhe niveli i ujit në hidrocentrale të rritet.

Situata është aq optimiste saqë Ministrja e Energjetikës, Belinda Balluku, po mendon që të nisë eksportin e energjisë elektrike ose ta shkëmbejë ata me Kosovën.

“Po tregohemi të kujdesshëm, po punojmë me 4 agregate, por nga ana tjetër do të na duhet që të shikojmë si do ta menaxhojmë, pasi prurjet do të jenë gjatë ditës së nesërme dhe do të vazhdojnë deri në datën 23. Duhet të jemi të kujdesshëm për të mos pasur shkarkime. Duhet të shkëmbejmë energji me Kosovën ose do dalim edhe në treg për të shitur”, deklaroi zj.Balluku.

Kryeministrin Edi Rama dhe zv.kryeministren Belinda Balluku i kapi shiu dje teksa inspektonin punimet në rrugën Orikum-Dukat. Dhe me këtë rast, Balluku bëri një përditësim të situatës në liqenin e Fierzës. Ajo u shpreh se reshjet do të vijojnë deri në datën 23 nëntor.

Po ashtu, u shpreh se atje niveli i ujit ka shkuar gati në 268 metra.

“Tani na kapi shiu, por nuk na vjen keq për të thënë të drejtën”, u shpreh ministrja Balluku. “Jo, jo, shiun mezi e presim. Po atje lart ka shi?”, pyeti Kryeministri Rama. Balluku, e cila është njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, tha se duhet treguar kujdes për të mos pasur shkarkime.

“Ka shi lart. Ka prurje të konsiderueshme. Ka pasur një shkëputje të reshjeve mbrëmë në darkë, ndërkohë që ka nisur tani në 12:00 dhe pritet që të përfundojë në orën 12:00 të natës duke pasur prurje në liqenin e Fierzës, të cilën po e konservojmë për të rritur nivelin. Jemi gati në 268 metra duke shkuar në këto momente. Sa i përket pjesës së Komanit dhe të Vaut të Dejës, duke qenë se janë basene të vegjël, po tregohemi të kujdesshëm, po punojmë me 4 agregate, por nga ana tjetër do të na duhet që të shikojmë si do ta menaxhojmë, pasi prurjet do të jenë gjatë ditës së nesërme dhe do të vazhdojnë deri në datën 23.

Duhet të jemi të kujdesshëm për të mos pasur shkarkime. Duhet të shkëmbejmë energji me Kosovën ose do dalim edhe në treg për të shitur”, u shpreh ministrja Balluku. Sa i përket kantierit OrikumDukat, ecuria e punimeve është në 68%. Në të gjithë zonën janë kryer punime edhe sa i përket mbrojtjes lumore.

“Vlorë – Në kantierin e rrugës Orikum-Dukat, ku kanë ecur 68 % e punimeve, një investim me rëndësi për qytetin e Vlorës dhe të gjithë jugun e Shqipërisë, e që bashkë me bajpasin shkurtojnë maksimalisht distancën drejt bregdetit, duke i dhënë një frymëmarrje të re turizmit dhe ekonomisë së zonës”, shkruan Rama ndërkohë në “Facebook”.

Me qëllim kursimin e energjisë për shkak të krizës, u mor vendimi për fashën 800 kWh qytetarët do paguajnë më shtrenjtë çdo kilovat orë që harxhojnë mbi fashën 800kWh, ndërsa kilovatët e tjerë do të vijojnë t’i paguajnë me çmimin aktual.

Fasha prej 800 kilovatësh ishte parashikuar të aplikohej në tetor, por as muajin e shkuar dhe as për nëntorin nuk do të vihet në zbatim pasi ka ndikuar ndërgjegjësimi i qytetarëve për të kursyer si dhe përmirësimi i nivelit të prurjeve në Fierzë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura