Requiem për Maksim Cikulin, Isuf Kalo: Drejtoi me duar të pastra. Si e refuzoi punën në OBSH për të kontribuuar për Shqipërinë

May 21, 2020 | 14:36
SHPËRNDAJE

Janë disa persona që vijnë në jetë e më pas ikin, për të mos u harruar kurrë. Edhe pse u bënë ditë që miq, kolegë e të njohur i kanë dhënë lamtumirën profesor Maksim Cikulit, është e vështirë të përtypet lehtë largimi i njeriut që la gjurmë në mjekësinë e politikën shqiptare.

cikuli

Në këto ditë trishtimi, ata përpiqen ta kujtojnë përmes veprës. Një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë, profesor Isuf kalo, ka arritur të sintetizojë gjithë punën dhe rolin e tij në gati pesë dekada në shoqërinë tonë si themelues i gjenetikës mjekësore dhe drejtues në disa nivele i shëndetësisë.

Me fisnikërinë e heshtur, intelektual e qytetar i pamilitantizuar, Cikuli reformoi shëndetësinë dhe demokratizoi Shqipërinë e pasviteve të demokracisë.

Tipare të tij ranë në sy edhe të kreut të OBSH, asokohe, që fill pasi la karrigen e ministrit i ofroi një rol drejtues në Kopenhagen. Por, profesor Maksi vendosi të mos e linte përgjysmë atë që kishte nisur dhe zgjodhi Shqipërinë.

ISUF KALO

Përpara tri ditësh u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë një nga figurat e shquara të mjekësisë tonë, prof. dr. Maksim Cikuli. Familja, mjekësia jonë, kolegët studentë e miqtë e shumtë të tij dhe gjithë shoqëria jonë humbi një mjek të devotshëm, të diplomuar shkëlqyeshëm në fakultetin tonë të Mjekësisë. Humbëm një specialist, pedagog, shkencëtar dhe intelektual elitar, një humanist dhe qytetar me etikë e edukatë shembullore.

isuf kalo

Prof. Cikuli, i specializuar në Francë, ishte një ndër themeluesit e gjenetikës sonë mjekësore, drejtues i Departamentit të Pediatrisë dhe dy herë ministri ynë i shëndetësisë në vitet 1993-1997 dhe 2006. Ai do mbahet mend si një nga drejtuesit më të respektuar, më të kulturuar dhe me duart më të pastra në krye të saj. Ai i dha detyrës së ministrit fytyrë të natyrshme njerëzore e qytetare. Prof. Cikuli zbatoi me sukses modelin e qeverisjes moderne, pa kapardisje e arrogancë, bazuar në fuqinë e ‘qetësisë’ e të modestisë dhe të shembullit personal për përgjegjshmëri të lartë prej lideri në vend të bukës, protagonizmit e autoritarizmit. Ai e ushtroi detyrën si mision shtetëror, dhe jo si burim privilegjesh apo mekanizëm pushtetor. Përkundra autolëvdatave, burokracisë dhe manipulimeve të hasura tradicionalisht në administratat tona të larta shtetërore, ai preferoi delegim detyrash në vend të centralizimit dhe gjithë përfshirje të stafit të motivuar me respekt të sinqertë e mirëkuptim të ndërsjellë. Në fakt, falë edukatës familjare e qytetare, Maksi ishte edhe konceptualisht në ide dhe sjellje një hap më pranë Europës. Me fisnikërinë e heshtur, të pa afishuar, ai ruajti me ngulm privatësinë si intelektual e qytetar i pamilitantizuar duke kontribuar ndershmërisht në reformimin e shëndetësinë dhe demokratizimin e Shqipërisë sonë të asaj kohe.Me tërësinë e meritave dhe vlerave të tij, prof. Cikuli pat fituar respekt e admirimin edhe tek ekspertët dhe organizatave të huaja që operonin në Shqipëri. Ata e ndien që ai kishte brum të “klasës” së tyre. Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën në ato vite dr. Mark Danson, në periudhën që prof. Cikuli u largua nga posti i ministrit, i propozoi atij postin prestigjioz të drejtuesit të Departamentit të Etikës në Kopenhagen. Por, dr. Maksi nuk e la Shqipërinë. Ai e donte dhe ju pat përkushtuar shpirtërisht asaj. Por për fat të keq të tij dhe tonin, ai, tri ditë më parë, na la. Mjekësia nuk mund të bënte (për t’i shpëtuar jetën) atë që ai pat bërë për ta reformuar atë.

Por le të ndihemi fatlumë që e patëm. Unë ndihem i privilegjuar që e njoha dhe që pata rastin të bashkëpunoj ngushtë me të, si edhe të ndaj miqësi kolegesh e të pasurohem, etikisht prej shembullit të tij. Pa dyshim, me vlerat, meritat dhe shembullin që prof. Maksim Cikuli shpalosi, aq sa familjes, do të na mungojë edhe ne të gjithëve. Do t’i mungojë mjekësisë sonë dhe vetë Shqipërisë, e sidomos elitës së saj të etur sot për figura e shembuj të vyer, të rrallë, si të tij

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura