Republikanët amerikanë nga Reagan te Trump

Feb 7, 2023 | 8:00
SHPËRNDAJE

DR. ERNEST NASTO

Ernest1

Ky vit në Shtetet e Bash kuara filloi me spektaklin e Kongresit, ku spikeri i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy, mundi të zgjidhej vetëm pas 15 raundesh e pas shantazhit të hapur nga një fraksion i vogël brenda republikanëve.

Ndërkaq, ish-Presidenti Trump filloi para pak ditësh veprimtaritë zgjedhore në kuadrin e kandidaturës së tij për një mandat të dytë në zgjedhjet e 2024. Këto zhvillime kanë shtuar hamendjet rreth së ardhmes së asaj partie si shprehëse e interesave të elektoratit konservator. Dhe meqë republikanët kanë respekt të madh për trashëgiminë e Ronald Reagan, janë bërë përpjekje për paralelizma ndërmjet partisë së dikurshme të presidentit të 40-të (1981-1989) dhe partisë së sotme të mbizotëruar nga ndjekësit e Presidenti të 45-të.

Pyetja është nëse kjo do të mundet të fitojë Shtëpinë e Bardhë bashkë me të dy dhomat e Kongresit vitin e ardhshëm, dhe nëse një fitorja do të krijonte kushte për politika konservatore të suksesshme, siç ndodhi gjatë ‘revolucionit reganian’. E po ashtu në ç’masë ekziston vijueshmëria ndërmjet këtyre dy përshfaqjeve të fundit të partisë republikane. Theksojmë fillimisht se fushata e rizgjedhjes së Ronald Reagan më 1984 shënoi kulmin e lëvizjes konservatore moderne në Amerikë duke arritur një fitore të pashembullt. Presidenti fitoi 49 nga 50 shtete në Kolegjin Zgjedhor, duke marrë 16 milio n vota më shumë se demokrati Walter Mondale, 64% të zgjedhësve të pavarur, e madje edhe 26% të atyre demokratë.

Me përmasa të papërsëritura ç’prej atëherë, ajo fitore konsiderohet si miratim mbarëpopullor i platformës konservatore dhe kurorëzim i procesit të thellë transformues që republikanët kishin ndërmarrë qysh nga vitet ‘60. Pamja e GOP në ditët tona është mjaft e ndryshme, dhe një krahasim i shpejtë tregon se kjo u detyrohet zhvillimeve në vetë partinë, por më tepër ndryshimeve mes liderëve në fjalë. Tipar kryesor i rrugëtimit republikan në 40 vitet pas Reagan është largimi nga përballja me realitetin, kryesisht me faktorin përcaktues të demografisë, ndonëse Shtetet e Bashkuara po kalojnë një tranzicion të paprovuar kurrë nga një demokraci e pasur e tipit perëndimor.

Kjo, sepse grupi historikisht mbizotërues i popullsisë, të bardhët me prejardhje anglosaksone dhe besim protestant (njohur me siglën WASP), po zvogëlohet shpejt duke humbur gradualisht edhe ndikimin politik. Ata priten të shndërrohen në pakicë në 25-30 vitet e ardhshme, ndërsa pakicat e deritanishme po kërkojnë intensivisht të drejta dhe barazi praktike në të gjitha fushat. Përballë qëndrimit demokrat për një imigracion pothuajse të pakontrolluar, republikanët preferuan të pranojnë lloj-lloj teorish konspirative rreth synimeve të partisë rivale për të ‘shkatërruar’ Amerikën, e rreth ‘kapjes’ së tërë institucioneve (universitete, administratë, media dhe shkencë) nga ‘armiqtë liberalë’.

Dhe programet e formës talk show u dhanë hov këtyre teorive, që ofrojnë edhe shpjegime të thjeshta për dukuri të ndërlikuara, edhe listën e gatshme të fajtorëve të përhershëm: elitat, globalistët, Soros, marksizmi kulturor etj. Republikanët ndërmorën, në fakt, pas humbjes së dytë ndaj Obamës më 2012, një analizë gjithëpërfshirëse të shkaqeve të saj me përfundimin se duhej zgjeruar baza e partisë drejt zgjedhësve me ngjyrë, bazuar tek përvojat më të mira të politikave konservatore.

Ishte një përpjekje vërtet serioze për të paraqitur një ‘konservatizëm reganian idesh’, me politika të suksesshme, të shëndosha e tërheqëse për të gjitha shtresat e ngjyrat e popullsisë. Mirëpo, pati edhe një rrymë tjetër brenda republikanëve, që preferonte një ‘konservatizëm identitar’, pra, si identitet i popullsisë WASP të përmendur më lart. Ajo u konsolidua përfundimisht me daljen e Trump dhe fitoren e tij më 2016, e ashtu përpjekjet për ‘mendjet dhe zemrat’ e grupeve të reja zgjedhësish shteruan krejt.

Rivaliteti mes këtyre dy rrymave ka përcaktuar prej atëherë dinamikën brenda republikanëve për të arritur te përqafimi i sotëm i teorive konspiracioniste që thamë. Kuptohet që ato teori nuk shkruhen gjëkundi zyrtarisht, por ndikimi i tyre duket në reagimin e liderëve të partisë, në suksesin e mediave që i përhapin dhe në praninë masive në veprimtaritë zgjedhore. Partia e Reagan e sheh kështu veten të transformuar në një parti të Q-Anon (sipas emrit të një teorie konspirative prominente) dhe të angazhuar në luftë kundër demografisë, gjë që dihet se është thjesht marrëzi.

Krahas dallimeve të mësipërme duhen theksuar edhe ato në stilet drejtuese dhe taktikat personale të Reagan dhe Trump, sidomos në tri drejtime kryesore: qasjen ndaj mendimit ndryshe brenda partisë, qasjen ndaj partisë përballë dhe qasjen tërësore ndaj procesit politik. Kështu, Reagan ishte i qartë dhe i vendosur në parimet e tij konservatore, por njëkohësisht edhe tolerant ndaj atyre që s’pajtoheshin me të, duke zbatuar brenda partisë atë që quhej “urdhërimi i njëmbëdhjetë”: “Mos fol keq për një republikan tjetër”. Pavarësisht nga qëndrimi i hapur ndaj mendimit ndryshe, askush s’e akuzoi Reganin se ishte i pasinqertë apo republikan i rremë”.

Ndërkaq, Trump është ndjeshmërisht më autokratik, sepse parimi i tij suprem, i shfaqur në çdo hap qysh prej hyrjes në politikë, është besnikëria ndaj atij vetë, duke sulmuar fort dhe me fyerje personale këdo që guxon ta sfidojë, qoftë ky republikan apo çfarëdo tjetër. Pre e furisë së tij ranë radhazi figura të larta të partisë, madje edhe ata që e përkrahën fillimisht me entuziazëm apo bashkëpunuan me të gjatë presidencës. E po ashtu, pas zgjedhjeve te 2020, edhe shefi republikan i Senatit, McConnell, guvernatori dhe sekretari i shtetit të Georgia-s, dhe mjaft personalitete të tjera.

Ndikimi i prirjeve autokratike të nxitura nga Trump shihet edhe në atë që simpatizantët e tij nxitojnë t’i përqafojnë sakaq anatemat e idhullit të tyre duke akuzuar këdo tjetër, pavarësisht nga kredencialet konservatore, si “të shitur” apo “agjent të globalizmit””, me nënkuptimin se vetëm Trump, “heroi kordhëtar” i tyre mund ta shpëtojë botën nga elitat globale. Konservatorët parimorë e gjejnë veten të mërguar nga GOP thjesht për shkak të mosmarrëveshjeve me ish-Presidentin, një ngjashmëri tronditëse me sistemet e kaluara diktatoriale lindore.

Në këtë pikë, as mbështetësit më të zjarrtë të Trump s’mund ta mohojnë se ai ka dështuar aty ku Regan ia doli me sukses të plotë. Shpallja se “zgjedhjet e 2020 u vodhën” dhe besnikëria pa kushte ndaj liderit janë sot kushtet e vetme për t’u konsideruar, sipas trumpistëve, një republikan i mirë. Argumentet për të kundërtën futen menjëherë në kanalet e njohura të “tiranisë së mediave sociale”, “komploteve sorosiane” apo komploteve të kujtdo qoftë, vetëm e vetëm që bindja e tyre të mbetet e pacenuar. Vërtet që një funksionim i mirë i makinerisë politike partiake, krahas neverisë së zgjedhësve ndaj ideve e politikave majtiste demokrate, mund t’u lejojë republikanëve disa fitore aty-këtu, por një frymë e tillë përjashtuese, e pangjashme me atë të Ronald Reagan, s’lajmëron asgjë premtuese për të ardhmen e lëvizjes konservatore në Amerikë.

Edhe në marrëdhëniet me partinë kundërshtare, Reagan karakterizohej nga i njëjti qëndrim i hapur e tolerant. Kompromiset me demokratët ishin faktor kryesor i arritjeve të tij të shumta dhe transformuese, megjithëse politika në vitet ‘80 ishte po aq e ndezur dhe pasionante sa edhe sot. Pjesa më e madhe e axhendës konservatore të Reagan u kalua nga një Kongres nën kontrollin opozitar në sajë të marrëdhënies së tij legjendare me spikerin Tip O’Neill.

Në një kontrast të dukshëm, Donald Trump i ngurtësoi keqazi vijat ndarëse ideologjike që mundën të kapërcehen me sukses nga Reagan. Nëse ky i fundit e shtriu ndjeshëm ndikimin e ideve konservatore, Presidenti i 45-të e tkurri atë po aq ndjeshëm. Nëse njëri fliste kurdoherë për “qytetin mbi kodër” dhe për “shpirtin amerikan”, thelbi i mesazhit të tjetrit ishte ai i dy Amerikave: Amerika “jonë”, d.m.th. e mbështetësve të tij, përkundër humnerës, ose Amerikës “së atyre”. Si edhe ideja thellësisht jokonservatore që vetëm ai, shpëtimtari, mund të ndalonte përpirjen prej asaj humnere. Në këtë hulli, do të futeshin sigurisht më vonë edhe justifikimet për disfatat e trumpizmit më 2018, 2020 dhe 2022: s’fituam jo sepse “shumica s’mendonte si ne”, por sepse “s’na lanë ata”.

Ndryshe nga fryma reganiane, kundërshtimi i kompromiseve me opozitën ishte katalizatori i grindjeve brenda republikanëve edhe në tragjikomedinë e fundit të zgjedhjes së spikerit. Një pakicë prej 20 kongresistësh, mbështetës të vijës “zero kompromis”, mundi të mbante peng krejt procedurën zgjedhore dhe ta detyronte më në fund McCarthy-n t’u nënshtrohej plotësisht atyre vetëm për t’u marrë votat. Një spiker i tillë, i poshtëruar në sy të opinionit publik, do të kish qenë ëndërr e llahtarshme për Presidentin e 40-të. Reagan karakterizohej më në fund edhe nga qasja optimiste ndaj procesit politik.

Ai ishte vërtet konservator i vendosur dhe parimor, mirëpo suksesi i tij rezultoi më tepër nga aftësia e komunikimit me votuesit duke injoruar vogëlsirat e politikës partiake, dhe jo nga ndonjë triumf i padiskutueshëm i ideologjisë konservatore. Ishte pikërisht kjo cilësia për të cilën ai vetë donte të mbahej mend, kur shprehej se “çfarëdo tjetër që historia mund të thotë për mua kur të iki, shpresoj se do të shënojë që unë iu drejtova shpresave tuaja më të mira, jo frikës suaj më të keqe; besimit tuaj dhe jo dyshimeve tuaja”. Prandaj mund të thuhet se lëvizja konservatore amerikane gjeti shprehjen e saj më bindëse në optimizmin dhe vullnetin e mirë të Ronald Reagan.

Nga ana tjetër, Donald Trump ka folur pareshtur për “kasaphanën amerikane”, për Amerikën në rënie e në shënjestër komplotesh të panumërta, apo se si ajo viktimizohet nga të tjerët dhe është “gazi i botës”. Qasja e tij, pra, është thellësisht pesimiste, duke iu drejtuar kështu “frikës më të keqe” të elektoratit amerikan. Kjo frymë është shtrirë edhe në mediat e djathta që flasin pareshtur për vendin si në prag të shkatërrimit. Retorika është aq e theksuar sa duket sikur nuk synon thjesht përshkrimin apo analizën e realitetit, por shpreh më tepër një dëshirë për përmbysje, kataklizëm dhe konfrontim, jo fort larg aspiratave të ekstremit të majtë.

Si pasojë, pakkush e sheh sot partinë republikane si bartëse të pozitivitetit reganian, dëshmuar edhe nga sondazhet sipas të cilave 60-65 për qind e votuesve republikanë mendojnë se “vitet më të mira të Amerikës i kemi lënë pas”. Duket, pra, se s’ka ndonjë ngjashmëri ndërmjet Reagan dhe Trump, përveç asaj të politikave konservatore të zbatuara prej tyre. Nëse optimizmi dhe pozitiviteti reaganian mundësuan fitore të rëndësishme e afatgjata për republikanët, antagonizmi trumpian s’arriti asgjë të krahasueshme. Përkundrazi, disfatat në tre zgjedhjet e fundit, sidomos më 2022, treguan se trumpizmi është gur i rëndë në këmbët e partisë republikane.

Mirëpo, fushatat primare vitin e kaluar dëshmuan gjithashtu se është plotësisht e mundur që kandidatët republikanë të distancohen nga Trump dhe të mbijetojnë. Për këtë arsye, në periudhën që ka mbetur deri në zgjedhjet e 2024 konservatorët amerikanë do të duhet të vendosin nëse do të rikthehen te partia e Reagan apo do të vazhdojnë të mbeten partia e Trump. Pas rezultateve të nëntorit të kaluar kjo s’duket të jetë zgjedhje e vështirë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura