Reportazhi për tërmetin e tmerrit/ Thumana drejt rrënimit, shtëpi e pallate rrezikojnë të shemben (foto)

Nov 28, 2019 | 16:42
SHPËRNDAJE

WhatsApp-Image-2019-11-27-at-2.48.00-PM-675x450

BLEONA METUSHI/ Heshtje plot zhurmë mbizotëronte në Thumanë, teksa ekipet e shpëtimit mundoheshin të nxirrnin nga rrënojat të zhdukurit. Pallatet e vetme në këtë vend ishin të vjetra dhe rrënimi i tyre dukej çështje kohe.

thum1

Përpos 3 pallateve të shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit, pallatet e tjera kishin marrë krisje në sipërfaqen e tyre, brenda të cilave nuk ishte më askush. Përpos pallateve, shumë banesa private ishin shkatërruar dhe banorët presin ndihmën e shtetit në rikuperimin e tyre. “Kërkojmë ndihmë nga shteti, nuk jetohet më në shtëpinë time”, kjo ishte një nga fjalitë më të shpeshta që personat e vendosur në çadra të thoshin.

Banorët e Thumanës ecnin kuturu, duke kërkuar dikë apo diçka.

Një pjesë ishin vendosur me fëmijët e tyre në çadrat e ngritura në një fushë aty pranë. Në zonat ku po zhvillohen operacionet e shpëtimit, gjendeshin të afërm të personave të zhdukur, të interesuar të tjerë, media dhe specialët shqiptarë dhe jo vetëm që kërkonin për të nxjerrë prej andej trupat.

thum2

“Tre janë të një familjeje, janë edhe dy fëmijë”, shtoi një prej banorëve që prej disa orësh ndiqte operacionet. Një tjetër diku më larg, që ishte në pritje të rezultateve të kërkimeve, papritur trembet nga një tërmet që rezultoi në mendjen e saj, ndërsa vazhdoi të komentonte me të afërmit e saj, çfarë kishte ndodhur. Në dalje të Thumanës, në mesditën e djeshme, u përcoll në banesën e fundit, i pari nga viktimat e tërmetit. Kristian Preçi ishte i riu, i cili humbi jetën në aksident, pas plagëve të marra nga shembjet e tërmetit. Një varg i gjatë njerëzish shoqëruan trupin e tij, një pjesë e të cilëve në këmbë.

FORCAT SPECIALE DHE MEDIA Kërkimet në dy prej pallateve të rrënuara zhvillohen me kujdes, ndërsa në aksione marrin pjesë forca të ndryshme speciale.

“Kemi dy vatra kërkimi shumë delikate, jemi duke kërkuar dhe do vazhdojmë deri në nxjerrjen e të gjithë personave”, tha një ushtar shqiptar, duke iu përgjigjur mediave të pranishme. Pak më larg shiritit që ndalonte kalimin e banorëve pranë zonës së kërkimeve, ndodheshin të ndaluar ushtarë të Kosovës, më herët ata kishin qenë në vatrat e kërkimeve e po pushonin. Shkolla e Thumanës kishte hapur dyert për specialët e huaj që kanë ardhur në Shqipëri për të dhënë ndihmën e tyre në shpëtimin e personave të mbetur në rrënoja.

th1

“Banorët” e kësaj shkolle nuk ishin më fëmijët dhe adoleshentët e Thumanës, por ushtarët kosovarë dhe grekë. Megjithatë, vendet fqinje nuk sollën në Shqipëri vetëm ushtarët dhe specialët e tyre, pasi në vendet ku kryheshin operacionet e shpëtimit, të shumtë ishin edhe gazetarët e huaj. Një prej tyre ishte edhe një gazetar i “Mediaset”. Ndërkohë media dhe gazetarë nga Kosova ishin më të shumtë në numër.

VENDSTREHIMI Një fushë shumë pranë pallateve të shkatërruara, paraditen e së mërkurës u mbush me çadra, ku u strehuan banorët e Thumanës. Fëmijët ishin të parët që e populluan atë, së bashku me nënat e tyre. Nga ana tjetër, shumë të moshuar zunë vend njëri pas tjetrit. Lodhja dallohej në fytyrat dhe ecjet e shpërqendruara të banorëve, të cilët kur tregonin për mëngjesin e tërmetit, nuk i ndalonin dot lotët e tyre.

“Nuk arrijë ta shpjegoj dot se çfarë ndodhi, çdo gjë erdhi shpejt e shkatërroi shumë jetë”, tha njëra prej banoreve të vendosura në çadra. Ndërkohë, punonjëse të organizatave të ndryshme shpërndanin ujë dhe ushqime të shpejta, për të gjithë ata që ishin vendosur në këtë ambient. Nga ana tjetër, psikologë që iu përgjigjën Urdhrit të Psikologut për të dhënë ndihmën e tyre, ishin të pranishëm në këtë kamp, ku bënë lojëra të ndryshme me fëmijët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura