REPORTAZH/ Si përdoret e njëjta ftesë dasme dy herë për të udhëtuar drejt BE për azil

Apr 28, 2015 | 8:31
SHPËRNDAJE

Për të udhëtuar në Itali mund të kesh gjithçka në rregull. Pasaportën, biletat, madje edhe atë të kthimit, garancinë, paratë e mjaftueshme, madje edhe një ftesë dasme që justifikon udhëtimin familjarisht drejt shtetit fqinj.

Pasagjere qe kthehen

Por Policisë Kufitare nuk i mjafton vetëm kjo. Lëvizjet familjare jashtë Shqipërisë vlerësohen si lëvizjet më me risk për të kërkuar azil në vendet e BE. Gjatë vizitës sonë në Portin e Durrësit na ndodh të përballemi me disa “dasmorë”, që Policia nuk i lejon të kalojnë kufirin. Ata janë 5 anëtarë të një familjeje nga Tropoja. Debati që kryefamiljari bën me policin e kufirit na tërheq vëmendjen dhe afrohemi për të parë se çfarë po ndodhte.

Nuk donte mend që ata nuk do lejoheshin të udhëtonin drejt destinacionit për ku kishin blerë biletat, por na interesonte më shumë arsyeja që do i jepte polici, që në realitet po tregohej shumë i përmbajtur përballë një lumi fyerjesh. Ne i shihnim për herë të parë atë persona, por duket se fati i tyre i keq i kishte përballur me një person që i njihte. Në fakt, jo se i njihte personalisht, por rastisi të ishte i njëjti polic që i kishte kthyer edhe para një jave.

Qëllimi i udhëtimit të tyre drejt Italisë ishte dasma e vajzës së hallës së kryefamiljarit. Ajo martohej, të paktën sipas tij. Madje, i kishte dërguar edhe një ftesë, ku i kërkonte që të ishte i pranishëm familjarisht në gëzimin e saj. E megjithatë, kjo ftesë nuk ishte e vlefshme. Polici i kufirit na shpjegon se data ishte e falsifikuar dhe se ishte i bindur se kjo familje po udhëtonte për të kërkuar azil.

FTESA E DASMËS
Ndodh që efektivët e Portit të Durrësit të gabojnë me vendimet që marrin, qoftë duke i lejuar, qoftë duke i penguar udhëtarët që të kalojnë kufirin drejt Italisë. Këtë e pranojnë edhe vetë disa prej policëve të kufirit. “Intuita na ka bërë që edhe të gabojmë. Janë raste sporadike, por ndodh që të kemi penguar dikë padrejtësisht, thjesht sepse nuk na ka bindur. Apo të kemi lejuar dikë që vërtet po udhëtonte për të kërkuar azil. Por kemi dhe një formular që plotësojmë për çdo person që kthejmë dhe ky na ka ardhur në ndihmë, edhe në këtë rast që ju po asistoni vetë”, na tregon efektivi i Policisë.

Familjes nga Tropoja, që pretendonte se po shkonte në Itali në një dasmë, i ishte refuzuar udhëtimi edhe para një jave. Për ketë refuzim ata kishin marrë edhe formularin përkatës që ishte plotësuar nga efektivi i kufirit, një kopje e të cilit mbahet në kufi. Ky qytetar, edhe pse supozohej se nuk kishte më qëllim për të udhëtuar drejt Italisë, pasi sipas ftesës dasma e kushërirës së tij ishte bërë që të shtunën e kaluar, po tentonte të kalonte kufirin sërish për të njëjtin qëllim.

Madje, edhe me të njëjtën ftesë dasme. Kishte marrë edhe gruan e 3 fëmijët me vete, duke paguar edhe një shumë parash shtesë për shtyrjen e biletave dhe ndodhej sërish në Portin e Durrësit. Efektivi që nuk lejoi udhëtimin e tij, na tregon se ftesa që ai pretendonte se ishte e dasmës së vajzës së hallës, qe e pavlefshme, pasi ai i kishte ndryshuar vetëm datën.

Kjo e bënte person që kishte të dhëna se do të kërkonte azil. Ndërsa vetë kryefamiljari, pasi ka debatuar për gati 30 minuta me policin, kthehet mbrapsht bashkë me familjen, por nuk pranon ta komentojë më gjatë. Thjesht na thotë se i është bërë një padrejtësi.

ETLEVA DELIA / LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura