REPORTAZH/ “Një jetë në trenin e linjës Shkodër-Tiranë”

May 14, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Shumë prej nesh mendojnë që hekurudhat nuk funksionojnë më dhe, në fakt, ndodh kështu në pjesën më të madhe të Shqipërisë. Prej dy vitesh është përjashtuar edhe Tirana nga stacioni i përhershëm i udhëtarëve. Ka mbetur një mundësi për të marrë trenin në stacionin e Vorës, mirëpo aty nuk ka mjaftueshëm pasagjerë, kështu që ndalesa e fundit e linjës, që dikur ka qenë Shkodër-Tiranë, sot është Durrësi.

20160430_141939

Atyre që u ka rënë rasti të kalojnë nga rruga e Stacionit të Trenit në Durrës, dinë gjithashtu se as në këtë qytet nuk ka kurrfarë infrastrukture për të pritur e përcjellë pasagjerë por, me sa duket, nuk është fshirë krejt nga lista. Fundjav- ën e kaluar, “Hemingway fan club Tirana”, me rastin e ditës ndërkombëtare të xhazit, organizoi një koncert në qytetin e Shkodrës dhe për t’i çuar adhuruesit e muzikës xhaz atje, përdori trenin.

Të gjithë pjesëmarrësit mendonin se treni ishte vënë në gatishmëri enkas për eventin por, dy faturinot që udhëtonin nëpër të njëjtët vagonë prej 34 vitesh, na treguan të kundërtën. Afërdita Gjipali dhe Dushe Selmani zgjohen përditë në orën 4 të mëngjesit, prej më shumë se 30 vjetësh. Në orën 04:40 duhet të kenë hipur në tren, sepse bëhet nisja nga Shkodra drejt Durrësit, destinacion që ka hyrë në praktikë vetëm këto dy vitet e fundit, pas prishjes së stacionit të Tiranës.

Njëra ka makinën e saj, ndërsa tjetrën e shoqëron e bija, e cila vjen gjithashtu për ta marrë rreth orës 10 të mbrëmjes kur treni rikthehet në Shkodër. Nga Vora deri në Shkodër rruga zgjat 4 orë, po të shtojmë edhe atë copë rrugë që e ndan nga Tirana, do të thotë që dikur udhëtimi ka zgjatur rreth 4 orë e 30 minuta, apo diçka më tepër. Rrugës ka stacione pafund, thuajse 1 në çdo 10 apo 15 minuta.

fautirno

Shpejtësia e trenit, siç mund të kuptohet edhe nga kohëzgjatja e udhëtimit, është mjaft e vogël megjithatë, nëse nxjerr dorën jashtë dritareve dhe të prek ndonjë nga degët e pemëve që fërkojnë xhamat, ndryshon mendim. Në ato 4 orë rrugë, Afërdita me Dushen bëjnë vajtjeardhje nga njëri vagon në tjetrin. Janë pothuajse gjithë kohës duke ecur. As që e ndiejnë lëkundjen ritmike, që shkaktohet prej lëvizjes së trenit e që për shumë njerëz mund të jetë shkak i humbjes së ekuilibrit.

Këto kohë, temperaturat janë relativisht të larta, por gjatë dimrit durojnë edhe erën e ftohtë që hyn prej xhamave të thyer të trenit. Dikur, udhëtimet ishin më të këndshme, koha ndihej më pak. Sot, në ditët e zakonshme, e shumta e pasagjerëve “Homo Antarcticus” i Luljeta Lleshanakut janë 50 apo 60 veta, përjashtuar të martat.

Në këto tre muajt e 12 të martave që njerëzit shkojnë për pelegrinazh në kishën e Shën Ndout, në Laç, numri shumëfishohet. Çdo të martë, 50-ta bëhet 500 apo 600. Të gjitha stacionet e fshatrave që përfshijnë atë aks rrugor, dynden nga njerëzit. Bileta vajtjeardhje për në Laç, kushton 100 lekë, kështu që është për të gjithë e leverdishme. Për të shkuar në Durrës nga Shkodra, e për t’u kthyer, duhet të paguash 160 lekë. “Kuptohet që niveli ekonomik i udhëtarëve është minimal, prandaj detyrohen të udhëtojnë me tren, ndryshe as ata nuk do të ishin.

E shfrytëzojnë kryesisht për të transportuar mallra”, thonë koleget, zëri i të cilave nuk dëgjohet qartë nga zhurma e erës që përplaset në dritaret e trenit. Flokët i kanë gjithnjë të shpupuritura, ndërsa në vesh kanë një zhurmë konstante, që nuk qetësohet as në ato pak orë që shkojnë në shtëpi. Afërdita nisi të punonte si faturino menjëherë sapo mbaroi shkollën e mesme në Shkodër.

Të vijonte më tej nuk mundej, prandaj e shfrytëzoi menjëherë mundësinë që iu dha për të nisur punë. Mjaftoi një kurs disaditorësh për të mësuar gjërat bazike dhe ishte gati. Sigurisht që nuk pati menduar se do të ishte e vetmja punë që do të bënte në jetë, por, sot, kur shikon tregun mendon që është më mirë të qëndrojë aty ku është mësuar.

E ngjashme është edhe historia e Dushes, që për një vit del në pension, vetëm se ajo nuk është nga Shkodra, ka ardhur nuse aty. Atë kohë, thuajse nuk e kujton më as njëra e as tjetra. Punën e kanë të ndarë, nuk punojnë bashkë çdo ditë. Pas një dite punë që zgjat më shumë se 12 orë, e nesërmja është pushim.

U bënë bashkë vetëm në raste si ky udhëtim, i organizuar për festë, që ato e shijuan dhe iu gëzuan më shumë nga të gjithë, sepse nuk e kishin parë ndonjëherë trenin të tjetërsuar e aq të gëzuar, pavarësisht xhamave të thyer…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura