Reportazh nga Burgu i Fushë-Krujës/ Xhuvanit i qëndron afër i ati

Aug 25, 2015 | 8:42
SHPËRNDAJE

Me shtretër të mbuluar me çarçafë basme dhe lambik të improvizuar me bidonë 5­kilësh uji, nuk ka diferencë në dhomat ku rri një i dënuar apo i akuzuar për trafik kokaine, një i dënuar për vrasje apo një vjedhës motoçiklete.

Burgu i Fushe Krujes
Burgu i Fushe Krujes
Ndryshimin e vetëm e përçon zbrazëtia e syve të atyre që s’kanë asnjë shpresë për të dalë nga qelia pa përmbushur krejtësisht dënimin. Jemi në Burgun e Fushë­Krujës, mes historish, pretendimesh e shprese, në dhomat e të burgosurve që s’duan të flasin me njëri­tjetrin për historitë e shkuara.

TAKIMET
Është ora 9 e mëngjesit të së hënës, dhe para derës së burgut të sigurisë së lartë në Fushë­Krujë, me dhjetëra njerëz presin në radhë me çantat plot me ushqime, të takojnë të afërmit. Në hyrje, aty ku bëhet kontrolli fizik i njerëzve dhe ushqimeve, polici me një thikë në dorë, shpon me majë byrekun e futur në një tas. Pas derës së kontrollit shfaqen godinat e të dënuarve, në të djathtë ajo e sigurisë së lartë, ku ka shumë të dënuar me burg të përjetshëm, në mes biblioteka, në të majtë seksioni tjetër i para­burgimit, dhe në anë vendi i takimeve të veçanta dhe dhoma e takimeve me prokurorë e avokatë.

xhuvaNIBurgShefi i policisë që na shoqëron, urdhërohet në radio të mos lejohemi të takojmë Kostandin Xhuvanin, i cili ndodhet në seksionin e sigurisë së lartë, ndërsa na shoqëron në pjesën tjetër të burgut të Fushë­Krujës.

“Xhuvanit nuk para i vijnë prindërit, ose më mirë, më shpesh i vjen i ati. Ushqimet në të shumtën e herëve ia sjellin të afërmit”, na thotë një punonjës i burgut, ndërkaq që shpjegojnë se djali i artistëve ka sjellje të mirë dhe nuk ka krijuar probleme. Futemi në brendësi të seksionit të paraburgimit (pa aparat fotografik dhe me asnje mjet tjetër veç bllokut e stilolapsit). Përballë është një kuti postare e Avokatit të Popullit, ku është shënuar dhe një numër i gjelbër për ankesa, dhe një rekomandim i Helsinkit për të drejtat e të dënuarve dhe të paraburgosurve, ku pas dyersh hekuri në të dyja anët janë dhomat. Në të dyja anët “shtëpitë” e të burgosurve janë me 6 shtretër.

Sipas drejtuesve të burgut të Fushë­Krujës, kapaciteti në këtë vend është 350 vetë, ndërsa aktualisht në këtë institucion janë 420 persona që kanë probleme me drejtësinë. Një pjesë e të burgosurve në orën 11.00, janë në ajrosje, një pjesë luan me letra e të tjerë bisedojnë. Standardi është i njëjtë, thuajse në çdo dhomë, e diferencë bën vetëm plazma në vend të televizionit klasik, atij të vjetrit me kasë të gjerë pas. Absolutisht të gjithë bëhen kuriozë. Dikush na fton në dhomë, të tjerë shohin me sy të akullt e dyshues, dy gra që shëtisin në “territorin” e tyre.

ISH ­GARDISTI

Halit Shahini është i burgosuri i parë që takojmë. Nuk është i panjohur për ne. E kemi hasur dikur, në vitet 2000, ato vite të pastrimit të Tiranës nga ndërtimet pa leje në Parkun Rinia dhe te Lana, kur ai, me kolegët e tij, siguronin mbarëvajtjen e aksionit. Sot është pas hekurave, i gjykuar për vrasjen e producentit Bujar Barçi, më 12 shkurt të vitit 2013. Me regjisorin dikur kishin marrëdhënie shoqërore e biznesi, derisa për të ndjerin u tha se i mori 100 mijë euro për të bërë një ndërtim, ndërtim që nuk u bë kurrë. “Ishte vrasje nga pakujdesia, ju betohem për këtë. Nuk ka qenë qëllimi im ta vrisja. Unë e kisha mik Bujarin, njihja familjen e tij. Kur ndodhi shkrepja, Bujari ishte në këmbë e ashtu iku në shtëpi, vetë me këmbët e tij. Kur e mësova ngjarjen, ai ishte në spital, jetoi për disa ditë. Unë i lutesha Zotit të shpëtonte, por fatkeqësisht ai vdiq pas gati një jave”, – tregon Haliti, ish-­gardisti.

Varianti i tij, vërtetohet në një farë mënyre edhe nga një intervistë e së motrës së regjisorit, të cilën e gjejmë në dosjet e gazetave të atyre viteve (Gazeta “Shqip”, 10 prill 2013). Atëherë Myzejen Myftari rrëfente se nuk e kishin kuptuar fare që ishte plagosur, kur Bujari kishte shkuar në shtëpi. Në fillim kishin menduar se kishte pirë, sepse nuk mbante mend; kjo për arsye se plumbi i kishte prekur një pjesë të trurit. Më pas kishin vënë re gjakun që i rridhte pas veshit. Për fat të keq, 8 ditë pas ngjarjes, artisti u dorëzua, ndërsa Halit Shahini vuan dënimin për vrasje, të cilën ai insiston ta quajë nga pakujdesia, sepse kurrë nuk do të kishte qëlluar ndaj tij.

AVIONI I DIVJAKËS DHE LAZARATI
Saimir Bajrami futet nga ajrosja në dhomë, e kur ne i japim të njohur duke e lidhur me avionin e Divjakës, ai e merr me sportivitet e nis të bisedojë me ne. “Po e pranoj, makina dhe droga ishin të miat”, – thotë Saimiri, i cili shmang përgjigjet kur e pyesim për lidhjen me pilotin italian, Riformaton. “Ça t’i bësh, më takoi sotokarteri i makinës dhe ngeca, shansi im”, – thotë Saimiri me sportivitet.

Sipas dosjes së përgatitur nga Krimet e Rënda, Saimir Bajrami që jetonte në Itali, kishte rënë në kontakt me italianin Riformato për transportimin me çarter të një sasie prej 460 kilogramësh hashash. Gjatë uljes në bregdetin e Divjakës, avioni i vogël thyen pjesën që mbante rrotën e parë dhe ngec në rërë, ndërkaq që edhe furnizuesit, Bajramit, i prishet makina me drogën brenda, duke e zbuluar tërësisht linjën e trafikut.

Avioni i rënë në Divjakë u kthye në “pikën” më interesante të bregdetit, duke e kthyer plazhin pranë Lushnjës, në qendër të vëmendjes. Në një prej dhomave në radhë takojmë dhe Armandin, i cili gjykohet për trafik hashashi në tentativë. “Duhet të amnistohen veprat penale të drogës, sepse shteti e la vetë Lazaratin, vetë dhe gjithë Shqipërinë, ndaj s’mund të gjykohen njerëz që kanabisin e shihnin si mënyrë jetese”, thotë ai, duke përmendur dhe si të drejtë kërkesën e deputetit Koço Kokëdhima për legalizimin e hashashit. Një tjetër i akuzuar për kultivim kanabisi, Muhamet Vathi, fle përtokë, e as nuk kthehet, edhe pse ndjen praninë tonë, të ne të huajave.

“BABAGJYSHI” E “FABRIKA”
Kur para dy vjetësh katër “Babagjysha” hynë në një qendër tregtare e pa rënë në sy grabitën një argjendari, të gjithë çuan ndër mend filmin hollivudian që kishte të njëjtin subjekt. Në qeli takojmë Enea Qerrushin, njërin prej “babagjyshave” të grabitjes spektakolare, i cili duket sikur s’ka asnjë lloj lidhjeje me të keqen, me atë histori. I qetë, i qeshur, me sy bojë qielli që reflektojnë gati­gati naivitet, shfaqet ai, “babagjyshi”, ndërsa mbi supe mban akuza për disa grabitje, bashkë me bandën. Në dhomë është me Kujtim Çelën, vëllain e Gëzim Çelës, i cili akuzohet për “trafik të lëndëve narkotike”. Vila e familjes Çela në Fushë­Kuqe të rrethit Kurbin bëri bujë, pasi sipas dosjes, nga Krimet e Rënda u sekuestrua një sasi e konsiderueshme droge e tipit kanabis dhe përzierës heroine. “Do fitoj pafajësinë” thotë Çela. Pak metra larg dhomës së tij është Reald Hysolli, i akuzuar po në të njëjtën ngjarje, për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, të kryer në bashkëpunim…

BIBLIOTEKA
Me puro në gojë e penela në duar, Gentjan Doda, i dënuar 20 vjet për vrasje të dyfishtë, kryer në vitin 1997, hedh imazhe të fiksuara në kanavacë. Jemi shkëputur kështu në godinën e bibliotekës, aty ku të burgosurit merren edhe me krijime. I riu u ekstradua nga Amerika disa vite më parë, e sot vuan dënimin në Burgun e Fushë­Krujës. Në cohën e bardhë të ngjyer krejtësisht me blu e nuancat, ka vizatuar oqeanin e pafund, duke rikthyer kështu nostalgjinë për të shkuarën, e siç e thotë dhe vetë, jetën në Los Angelos. Arben Gjokeja, anëtar i familjes Gjokeja, pjesë e një seriali të gjatë hakmarrjesh mes fiseve, sapo ka përfunduar së bëri me gurë një kishë.

“Është kisha e fshatit tim, Dervenit”, thotë ai. Është dënuar me burg përjetë. Më 13 qershor 2008 ai u ekstradua nga Italia dhe u fut në burg për të vuajtur dënimin. Me familjen nuk është parë prej vitesh sepse ata jetojnë jashtë, ndërsa ai me tre vëllezërit vuajnë në burgje histori gjakmarrjeje. N ë bibliotekën e burgut, nuk ka vizitorë, kjo sepse të gjithë janë nëpër dhoma për të pritur drekën, që sot (dje) është patate me mish e makarona.

Largohemi nga Burgu i Fushë­Krujës, mes historish të “lehta” e të rënda, mes vështrimeve të të rinjve që akuzohen për vjedhje ordinere, të cilët reflektojnë mungesë totale shprese për rehabilitim, mes qelive ku një i burgosur për një qese hashash qëndron në dhomë me një të akuzuar për vrasje, mes njerëzve që kanë vrarë por që besojnë çuditërisht në Zot, ose i janë kthyer besimit, largohemi mes qelish ku hajduti është hajdut, si ai që vjedh dritat për t’u dhënë fëmijëve dije po s’ka të paguajë, dhe ai që vjedh e dhunon pronën e tjetrit, largohemi mes trishtimit që edhe më të fortit ia mvesh mungesa e lirisë.
Marre nga Gazeta Shqiptare 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura