Reportazh nga Artan Fuga/ Kultura në qytet dhe çfarë pashë në Pogradec (pjesa e katërt)

Aug 16, 2018 | 12:21
SHPËRNDAJE

ARTAN FUGA/ Më ka interesuar arkeologjia gjithmonë. Por, jo ajo e nëntokës. As ajo e qiellit. Por, arkeologjia e horizonteve, atje ku ndahet vija e relievit tokësor, natyror ose të ndërtuar me botën e qiellit. Më ka mbetur në vëmendje qëkurse duke studiuar filozofin Hajdegger, ai shpjegonte në një nga konferencat e tij se athinasit e lashtë ndofta shihnin të njëjtin reliev dhe të njëjtin horizont si ne, por ai, për ta, kishte kuptim tjetër, e përjetonin ndryshe. Si e përjetonin horizontin dhe peizazhin të vjetrit? Kjo pyetje më vjen sapo ndodhem në një qytet qoftë Berlini, Londra apo Parisi.

Fuga ne Pogradec
Fuga ne Pogradec

Si e përjetonin të vjetrit horizontin në Pogradec? Kjo pyetje më vjen sa herë dal në ballkonin e dhomës së hotelit “Pogradec 2”, ku nuk ngopesh duke shijuar rehatinë dhe shijen që të jep gjithçka atje. Pogradeci vijën e horizontit mbi liqen, me siguri e ka ruajtur si në kohën e enkelejve të lashtë, ndofta dhe malin dhe kodrat përreth. Është një pasuri e vyer arkeologjike dhe mjedisore vija e horizontit dhe peizazhi i një vendbanimi. Duhet ruajtur nga ndërtimet që e gërvishtin atë. Një popull i kulturuar nuk e mbush qiellin me pallate, kunja dhe kulla që i marrin diellin, hënën, lindjen e diellit.

Ah, kur lind dielli dhe e bën argjend të gjithë liqenin!

Nuk është vetëm vlerë estetike vija e horizontit dhe peizazhi i një qyteti, por edhe vlerë ekonomike dhe mbijetese. Ata që janë vendosur aty, e dinin raportin mes bimësive, pyllit, majave të maleve, liqenit e kështu me radhë. Të prishësh një nga vijat strukturuese të një qyteti, si vijën bregdetare, lumore, horizontin, ke prekur atje ku nuk duhet. Ke prekur gjarprin ku fle.

Klubi i dominosë në Pogradec
Klubi i dominosë në Pogradec

Por, kohët e fundit, ka ca dekada që në furinë e ndërtimeve dhe të pasionit për lekun e lehtë dhe grabitjen, ne po shkelim në dërrasë të kalbur.

Shoh andej nga hyrja e qytetit dhe vë re që bimësia e kodrës mbi rrugë është gërryer. Një pamje e shëmtuar. I gjithë qilimi i kodrave dhe maleve përreth qytetit është i blertë, pothuajse i paprekur, me përjashtim të disa vendeve, por aty, mbi rrugë, atje ku po zgjerohet rruga hyrëse në Pogradec, syri të vritet: Ekskavatorë gjigantë gërryejnë kodrën, hanë bimësinë, shkurret dhe lënda e kodrës shkëputet nga forma e saj kushedi sa shekullore. Çfarë bëhet kështu more zotërinj?!

Shkoj te hyrja e qytetit, sepse më kalon rruga. Parkoj veturën te një sheshpushim të kantierit. Afrohem të fotografoj. Ekskavatori gjigant- kuçedër po ha kodrën me të gjithë bimësinë shekullore të gjelbër. Këtë masakër mjedisore nuk e kisha parë kurrë.

Që kur e kisha konstatuar njollën e shëmtuar nga ballkoni i hotelit, kisha bërtitur: Kush po prish e gris ashtu qilimin e blertë të qytetit turistik? Kush po ia grabit Pogradecit bukuritë e peizazhit dhe të vijës të horizontit, për të zgjeruar një rrugë ?

“E mo, rri tani! – më tha një mik pogradecar, – mos u bëj edhe ndërtues rrugësh. Rruga aty po zgjerohet, duke ngrënë kodrën dhe bimësinë shumëvjeçare, që të mos rrëshqasë kodra mbi rrugën e re. Plintat që do të mbajnë një lloj tuneli panoramik, do ta sigurojnë rrugën që mbi të, të mos bien popla dhe masa dheu!”

Ashtu qoftë, por ajo njollë si e një koke tullace pa bimësi dhe ata ekskavatorë gjigantë që hanë kodrat dhe hapësirat e blerta, më kanë tronditur. Qilimi i blertë i Pogradecit rreth e qark është prishur.

Lodra për fëmijë
Lodra për fëmijë

Sapo dal nga vetura dhe nis të fotografoj ekskavatorin gjigant që punon gati në 45 gradë pjerrtësi dhe ia kalon dheun e kodrës, a shtufin, a materialin shkëmbor, kamionëve edhe më gjigantë, duke mbushur rimorkiot e tyre, një kokë me kaskë del nga tuneli dhe më fishkëllen :

“Fiuuuuuuu!”

E shoh i habitur.

“Çfarë keni?” “Çfarë ke ti që fotografon?”, më bërtet në formë kërcënuese koka me kaskë.

“Ore zotëri, unë po fotografoj për qejfin tim kodrën, peizazhin, çfarë ke? Mos është jotja kodra?”

Diçka murmurit me vete dhe tund kokën, duart, gishtin.

Çfarë budallai! Nejse, largohem disi shpejt sepse kam frikë që ndonjë skuadër burrash del nga tuneli, më kap dhe më muros poshtë dheut si Rozafën në kështjellë. Dhe do të mbajë mirë kodra pastaj!

Po mirë, pyes veten, nuk e devijonin pak rrugën duke e vendosur mbi plinta mbi tunel, po gërryejnë kodrën?

Mbase nuk kanë pasur rrugë tjetër kushedi! Nuk jam specialist. Por, as dreqi me të birin amà nuk ma mbushin dot mendjen, që një kodër e gërryer, që i hanë bimësinë, nuk do të rrëshqasë një mijë herë më shumë sesa kur dheun dhe shkëmbin e mbajnë rrënjët e pemëve apo shkurreve shumë e shumëvjeçare.

poradec2

Në Durrës kam parë sesi përgjatë reshjeve, e gjithë fasada perëndimore e kodrës te Currilat, përballë detit, rrëshqiti dhe ra mbi oborret dhe çatitë e shtëpive dhe mbi rrugë. Pamje e llahtarshme.

Përgjegjësi e madhe e atyre specialistëve që kanë bërë projektin në Pogradec dhe sa shumë do të doja që të mos përgatitej kështu një katastrofë mjedisore si gjetiu.

Kthehem në qytet dhe për të mbledhur veten, hyj te hotel “Turizmi” i vjetër. Një sheqerpare sikurse dinë t’i përgatisin ata, vetëm ajo, më mbledh pak midenë. Më vjen për të përzierë. Qilimin shumëshekullor të blertë të qytetit po e kafshojnë brejtës gjigantë, që kanë hyrë në shtëpi. Estetika ka marrë fund, kurse sa për urbanistikën, ta shohim nëse ajo do t’ia dali të ngrihet mbi varrin e motrës së saj binjake, estetikës.

Ha sheqerparen dhe syri më tretet në liqen. Sapo ka rënë një shi behari dhe dielli ka ridalë përsëri triumfator. Po ndriçon ende përpara sesa të perëndojë.

MNIKARTODROM BUZE LIQENIT TE POGRADECIT
MNIKARTODROM BUZE LIQENIT TE POGRADECIT

Më kujtohet se dikur ka pasur një hotel turizmi edhe më të vjetër Pogradeci. Me shije fisnikësh dhe të hollë. Rrethuar me pemë, me një lulishte përpara, një kafene e pastiçeri që sa mirë brezat e rinj nuk e dinë sa e bukur ishte. Me pasqyra dhe dritare të mëdha. Freski e paparë në verë. Mbrëmjeve aty luante orkestra e muzikës së lehtë të Pogradecit. Kam qenë shumë fëmijë në ato vite. Më kujtohet se kishte edhe vëllezër instrumentistë. Virtuozë. Më ka mbetur në mendje se midis tyre kishte biondë. Ose është një fanepsje ndriçimesh, që vinin si reflektim i të verdhës së instrumenteve mbi fytyrat, trupin dhe flokët e pjesëtarëve të orkestrës. I gjithë qyteti nuk linte rast pa ardhur ta shijonte artin e tyre. Kënga e lehtë pogradecare, serenatat, por edhe muzika e lehtë shqiptare në përgjithësi edhe ajo e huaj, përhapeshin luajtur në mënyrë virtuoze dhe kënduar me mjeshtëri.

Birra rridhte pa ndërprerje!

Ka relativisht pak muzikë dhe këngë sot në Pogradec dhe të vjen keq. Diku andej nga Driloni, para tre vjetësh dëgjoja një disk me serenata pogradecare në një lokal platformë mbi gjol. Nga ato lokale të vogla gjithë sharm, ku në mëngjes, në të dalë të diellit, ose në mbrëmje kur dielli perëndon, merr magjinë e të bërit një me male e kodra, me ujë e me shelgje, për t’u shkrirë si mendim dhe ndjenjë me kafenë, akulloren apo semifredon që shijon, duke mos të munguar asgjë në botë.

Para tre vjetësh i thashë kamerierit:

“A nuk ma jep mua këtë diskun me serenata pogradecare? Ta blej sa të ketë kushtuar”.

Ai, me fisnikërinë dhe zemërgjerësinë e pogradecarit të mirë m’u përgjigj aty për aty:

“Merre o, se gjej tjatër un! Pesëqind leka”.

Kam tre vjet që atë disk nuk e heq nga radioja e veturës. Përsëritet, ripërsëritet, ashtu nganjëherë ngecet, çirret, këputet. Por, më sjell Pogradecin në imagjinatë, atë cepin kur veshët e mi i dëgjuan ata tinguj për herë të parë.

Tani, tre vjet më pas, rikaloj andej çdo mbrëmje. Zhgënjehem pak, sepse është i njëjti disk që dëgjohet në të gjithë atë zonë:

Mora thikën të pres mollën

Jorgjica, Jorgjica,

më shpëtoi dhe preva dorën,

Jorgjica, Jorgjica.

Edhe këta këtu në një vrimë i rënkan kavallit, si unë në veturën time, – thashë dhe qesha me vete. Nuk vajta më atje.

Kur një koleg udhëtoi me mua nja tri orë në veturën time, nuk ndihej, ndonëse disku pogradecar rifillonte çdo njëzet kilometra rrugë nga e para. Vetëm në fund të udhëtimit, me shaka e humor ia priti: “O profe, po na çmende mor burrë, nuk ke muzikë tjetër?”

Dhe unë po me humor: “O zotëri, në këtë veturë të vjetër ku ke hipur, çfarë pretendon, të dëgjosh muzikë të larmishme?”

Megjithatë, uron me vete që është privati, i cili në restorantet e tij, ndofta gjatë fundjavës më tepër, luan pak muzikë, se përndryshe të duket vetja në Pogradecin e heshtjes.

Jorgjica Jorgjica ! O pika mua

Mbaj mend se në rininë tonë shihnim filma në kinemanë e qytetit. Çfarë lezeti kishte! Tani nuk duket as hija saj. Televizori mbase ka bërë kërdinë. Imagjinoj qytetin që në qendër të ketë një tribunë të madhe, ku live, çdo ditë të ketë muzikën e zonës, atë të lehtë dhe ku të performojnë artistë e këngëtarë nga e gjithë Shqipëria, Maqedonia, Greqia etj. Kush nuk vjen në Pogradec! Vend i bekuar, që hesht!

Teatër?

Ik shih monumentin e Teto Ollgës në Tushemisht!

Estradë ose variete?

E mo, ik shih shfaqjet e përsëritura gjatë verës të “Portokallisë”. Më mirë sesa aq, nuk bëjmë dot ne si shqiptarë!

Ndofta sociologjia e pushuesve është e tillë, që më shumë i gëzohet heshtjes, sesa tingujve gazmorë të valles, rrokut, kërcimit në përgjithësi.

Qyteti, tingujt e tij dhe pushuesit janë në një të tërë midis tyre. Janë në harmoni. Një cinik do të thoshte se ka gjetur tenxherja kapakun !

Tradicionalisht, Pogradeci ka marrë imazhin e një zone turistike për pushues të moshës së tretë ose fare të katërt. Prej viteve ’80, në qarqet e Tiranës kishte intelektualë që pushonin si Enveri në Pogradec. Si sot që ka nëpunës të lartë, që pushojnë atje ku pushon edhe shefi i ekzekutivit. E ndjekin nga pas. Si dikur oborrtarët mbretin e Francës. I dalin përpara edhe në pushime.

Intelektualë të lartë asokohe, që me një farë moshe vinin për verim në Pogradec. Si deshtë që verojnë. Pushonin në qetësi për të çlodhur mendjet e lodhura ca nga mosha, ca nga presioni i pushtetit, se parà nuk kishte atëherë. Ne në Tiranë prisnim që ata të ktheheshin me vepra, libra, krijime.

Udhëheqësi vinte me zbulime grupesh armiqësore nga Pogradeci, sikurse faktojnë dokumentet e kohës!

Në Pogradec sheh edhe familjarë, si edhe njerëz që nuk e duan shumë diellin e stërnxehtë dhe përvëlues të bregut të detit. Ka prej tyre, si puna ime për shembull, që kanë edhe ndonjë problem tensioni arterial dhe i ruhen diellit.

Kjo popullsi, kuptohet që kërkon qetësi dhe jo muzikë e gjallëri. Sikurse shkruante Hajdeggeri i madh, nuk e di nëse e njohin në Pogradec, habitati, banuesi dhe mënyra e habitatit janë e njëjta gjë. Janë një! Por, kjo popullsi e rrudh gjallërinë e qytetit. Ndërkaq, ky i fundit kërkon konsum. Ka mundësi që të ketë kështu dy Pogradecë, një për demografinë turistike të qetë dhe një tjetër që me gjallërinë e vet e mban gjallë edhe qytetin.

Pogradeci nuk mund të kthehet në konvikt, as në manastir, as edhe një lloj spitali i asociuar me formulën dhe sloganin: Lutemi, mbani qetësi! Ose: Qetësia shëron! As kinema!

As teatër!

As variete!

As koncert!

Nuk pashë dot!

Dikush më thotë se Pogradeci ka një shkollë të mirë piktorësh. E besoj dhe entuziazmohem fort nga ky informacion. Miqtë të mi dhe njerëz të familjes më flasin për piktorët me famë dhe të talentuar, si Vangjo Vasili dhe Anastas Kostandini. Dua të marr vesh se cilës shkolle pikture i përkasin. Imagjinoj sikurse më thotë njeriu im i familjes, që veç artit të tyre, ka ndikime sigurisht edhe transparenca e peizazhit vendës, një harmoni e natyrës që në lojën e vet mes ujit, diellit, hijeve, me siguri që jep mundësi për të krijuar një univers artistik që vetëm talentet e mëdha si ata do të mund ta krijojnë.

“Ku i ekspozojnë veprat e tyre?”, pyes me uri dhe pasion.

“Përgjithësisht në shtëpitë e tyre!”

Nuk është keq, por piktorë si ata, si edhe të tjerë më të rinj në moshë, sikurse më thonë, kanë nevojë të promovohen, të paraqiten veprat e tyre në studio e galeri, që të mos njohin vuajtjet e piktorëve në Tiranë për të subvencionuar marrëdhënien e tyre me publikun.

Pse jo, një galeri artesh e gjitha në xham përballë liqenit. Atje të konkurrojë arti i natyrës me artin e njeriut. Ta shohim kush do ta fitojë këtë garë të madhe midis materies dhe shpirtit, kjo dyshe që panteistët e mëdhenj kanë argumentuar se në fakt është një e tërë e vetme dhe unike.

Hëpërhë, te lulishtja e liqenit sa mirë ka lodra për fëmijë. Treni, veturat e një minikartodromi, motoçikleta të vogla si lojë etj. Edhe pensionistët e mirë pogradecarë që luajnë domino pa e ngritur kokën.

Miku im i huaj më thotë me të qeshur: “Këtu do të të gjej pas disa vitesh!”

I përgjigjem këtij humori, që më shkriu gazit me një fjali serioze: “Ky do të ishte rasti më i mirë!”.

Dominotorja e qytetit!

Po a ka një bibliotekë për të qenë? Në trotuar dy ose tri çadra të vogla, ku librarët kanë ardhur nga Tirana për të tregtuar librat e botimet e tyre. Kaq është kultura e qytetit në verë. E kam fjalën për kulturën e rrugës. Street culture! E çfarë do më tepër ti.

Bisedoj me librarë sepse syresh i kam miq dhe i nderoj për punën që bëjnë. Janë promovues të kulturës tekstuale, nuk janë thjesht librashitës! Nder për Pogradecin që i ka mes tyre të ardhurit.

Por, mendoj: Kjo Ministria e Kulturës që ka subvencionuar pak gjë që të sjelli librarë në Pogradec, a nuk mendon pak që kështu e kthen në gërmadhë librarinë e qytetit? Nuk prish konkurrencën???

Le që ku merr vesh Ministria e Kulturës nga logjika ekonomike e industrisë së krijimit! Nga konkurrenca në tregun e kulturës!

Bën çfarë i shkrep në kokë ndonjë nëpunësi!

Vapë është tani!

Lodrat janë pak naive. Nuk ka anije që lëkunden fuqishëm. Kartodromi që mbahet nga disa burra dinamikë në qytet, ende nuk ka aq shumë klientë sa do të duhej.

Fëmijët e qytetit dhe të pushuesve duhen nxitur të vijnë në lodra edukative. Për shembull, të ofrohet produkti “patenta për fëmijë”, ku çdo vogëlush ose vogëlushe, përgjatë verës brenda tri javësh, të merrte patentën e fëmijës, për të drejtuar motoçikletën, veturën etj. Përse jo, shkollat mund ta bazonin edukimin e nxënësve që në moshë të vogël për qarkullimin tek infrastruktura e kartodromit të qytetit.

Shyqyr që është!
Kërkoj fusha tenisi!
Fusha basketbolli!
Minifutbolli në qytet!
Kërkoj ndonjë pishinë për gara noti!

Dikur ka pasur fusha sporti te Kampi i Pionierëve. Ka pasur një stadium të lezetshëm sepse ka pasur një klub futbolli me skuadër simpatike Pogradeci. Dilte dhe hynte në Kategorinë e Parë, por linin kockat ekipet e mëdha në Pogradec.
E tani kultura në qytet rri në hije si pensionist, që vuan nga tensioni i lartë arterial.
Tani :
Jorgjica,
Jorgjica, mora thikën,
Të pres mollën,
Ç’më shpëtoi dhe preva dorën!

Vijon…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura