REPORTAZH/ Kallmi, perla e Adriatikut ende pa rrugë për automjete

Apr 4, 2016 | 16:30
SHPËRNDAJE

Edhe për këtë sezon veror, frekuentuesit e plazhit të Kallmit në Durrës do të përballen me infrastrukturë tejet të rënduar rrugore. Segmenti tre kilometra i gjatë që përshkon Currilat dhe zonën e Kallmit, i konsideruar si perla e Adriatikut, vende-vende është i papërshkueshëm.

Rruga e ngushtë dhe e paasfaltuar që të çon në plazhet e Kallmit
Rruga e ngushtë dhe e paasfaltuar që të çon në plazhet e Kallmit

Ky segment shumë i rëndësishëm përgjatë tre muajve të verës, përveçse shoqërohet me gropa të shumta përgjatë gjatësisë së tij, në disa pika ngushtohet ndjeshëm dhe bëhet mjaft i rrezikshëm për t’u përshkuar, duke bërë që qytetarët të mendohen dy herë, pasi do të kthehen me automjet të dëmtuar. Këtë sezon turistik ky segment rrugor është në gjendje më të rënduar se një vit më parë.

Edhe pse dihet që është një nga zonat më të frekuentuara të qytetit të Durrësit, nga ana e pushtetit lokal nuk është marrë asnjë masë për përmirësimin e infrastrukturës. Tashmë që ndodhemi në prag të sezonit, institucionet nuk kanë asnjë reagim dhe as plan konkret për ta rehabilituar sadopak këtë segment rrugor ekzistues. Nëse nuk veprohet së shpejti, do të nxirren jashtë frekuentimit këto zona të plazhit, që janë ndër perlat e Adriatikut.

E paprekur nga dora e njeriut, gjatë dy dekadave të fundit, zona e Kallmit ofron me bujari një ndërthurje të bukur të detit, plazheve ranore dhe shkëmbore, habitateve ujore, diversitetit biologjik, kodrës e gjelbërimit, duke iu përgjigjur kërkesave për pushime sa më pranë natyrës.

kallmi 2

Po për të mbërritur këtu duhet të pluhurosesh nëpër një rrugë të ngushtë e të pashtruar, që vijon pas plazhit të Currilave, rrugë që në temperaturat e larta të verës duket sikur nuk mbaron. Lëvizja përgjatë saj të ofron magjinë e vijës bregdetare që duket se nuk ka asgjë të përbashkët me imazhin e krijuar për plazhet e Durrësit, prandaj dhe frekuentohet masivisht nga pushuesit kryeqytetas.

Përgjatë kësaj vije bregdetare, natyra ka krijuar gjire të vogla për familjarë dhe ata që kërkojnë pak intimitet, si dhe mundësi për ata që adhurojnë peshkimin dhe zhytjet në det. Në këtë zonë mund të gjesh gjithçka, përveç infrastrukturës rrugore. Për mosndërhyrjen në këtë zonë, pushtetarët thonë se po pritet të vihet në zbatim projekti prej 15 milionë eurosh, “Vija e Kaltër”.

Projekti parashikon një port funksional me destinacion kryesisht turizmin, me zona pushimi, rezidenca, rrugë, parqe, hapësira publike me hapësira për aktivitete kulturore dhe zhvillimin e eventeve të ndryshme.

Së bashku me studiuesit, por edhe në planin rregullues të qytetit, është vendosur që rruga të ndërtohet lart në kodër dhe jo gjatë vijës bregdetare. Sipas studimit, parashikohen plazhe të reja duke marrë sipërfaqe nga deti dhe në zona të caktuara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura