Replikat në Parlament, reagon PD: Ilir Meta shfrytëzoi Kuvendin për sulme banale ndaj opozitës

May 21, 2015 | 16:40
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike ka reaguar nëpërmjet deputetit Gert Bogdani për replikat e shkëmbyera mes Jozefina Topallit dhe Ilir Metës gjatë seancës plenare të së enjtes, duke thënë se kreu i Kuvendit e shfrytëzoi foltoren e institucionit më të rëndësishëm në vend për sulme banale të papranueshëm ndaj opozitës.

Deputeti i PD-se, Gert Bogdani

“Fyerjet e z.Meta ndaj zonjës Jozefina Topalli, janë shenjë e degjenerimit të plotë dhe te agonisë ku gjendet sot kjo mazhorancë, dyshja Rama – Meta, në prag të votës së 21 qershorit. Ilir Meta është i fundit në këtë parlament që duhet të ketë kurajën për të bërë ofendime të ulëta, pasi ai vjen nga një akuzë publike për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, akuza që erdhi nga vetë radhët e mazhorancës së tij.”,-deklaroi deputeti Bogdani.

Referuar akuzave të ngritura nga deputeti Tom Doshi ndaj kryetarit të Kuvendit, deputeti demokrat tha se Ilir Meta duhet të jetë i fundit të ketë kurajën të përbaltë parlamentin, pasi ai vjen nga një proces i manipuluar me forcën e pushtetit të tij dhe të kryeministrit, për të mbyllur e për të mos lejuar zbardhjen e akuzës më të rëndë të bërë në këto 25 vite. “Koha e kësaj dysheje që dhunon parlamentin e opozitën, po vjen drejt fundit. Ata mund ti shpëtojnë organeve të drejtësisë, por jo drejtësisë së popullit. Ora po vjen, 21 qershori po afron”,-tha Bogdani nga selia e PD-së. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura