REPLIKAT E PLOTA/ Dade përplaset me Bushatin: Bëre konsulle në Selanik emigranten që di të vrapojë. Ministri: Po flet si Nishani

Mar 13, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

Anëtarët e maxhorancës në Komisionin e Jashtëm kanë kryqëzuar dje ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, duke e akuzuar se ka propozuar për ambasador kandidatë pa cilësi. “Panorama” zbardh sot debatin e plote ne komision. 

Bushati dje ne Komisionin e Jashtem

Gjatë diskutimit të projektligjit për shërbimin diplomatik, anëtarët e maxhorancës kundërshtuan propozimin e Bushatit për të lënë pa limit emërimet që vijnë nga jashtë shërbimit.

Në këtë mbledhje ku mungoi opozita, kryetarja e Komisionit, Arta Dade, ka shkëmbyer replika të forta me ministrin Bushati, i cili në fund të mbledhjes ka ikur i revoltuar pa i dhënë dorën dhe pa e përshendetur.

REPLIKAT
Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade, tha se projektligji i qeverisë lë të hapur mundësinë që të gjithë ambasadorët të zëvendësohen dhe në vend të tyre të emërohen persona politikë. Dade ka propozuar që në projektligj të jenë vetëm 1/3-ta e diplomatëve të mund të rekrutohej nga jashtë shërbimit. Por ky propozim nuk është pranuar nga Bushati.

Gjatë diskutimit, deputeti Ben Blushi e quajti nismën si të rrezikshme dhe të dëmshme për shërbimin diplomatik. “Çfarë fitojmë që në 4 vjet që jemi në pushtet, 100% të ambasadorëve i zgjedhim politikë dhe ne që jemi në këtë komision, marrim ca shokët tanë dhe njerëz që besojmë se janë të vlefshëm për këtë punë t’i zgjedhim ambasadorë. Kur të vijë opozita në pushtet pas katër vitesh, edhe ajo do bëjë të njëjtën gjë, heq ata që vumë ne dhe merr ca të tjerë. Vijmë ne pas 8 vjetësh dhe i heqim ata dhe i zëvendësojmë me disa të tjerë. A funksionon kështu? Unë besoj që jo. Pra, ambasadori ka një dinjitet dhe ai nuk mund të jetë gjithkush dhe, për fatin tonë të keq, ju keni sjellë disa raste këtu. Një apo dy prej tyre janë kthyer nga vendet ku i keni dërguar për akreditim. Ky komision ka ngelur i pakënaqur në disa raste për shkak të cilësisë së ambasadorit që ju keni sjellë”, tha Blushi.

Sipas Blushit, “Në qoftë se na kërkoni që të gjithë ambasadorët e Republikës së Shqipërisë të jenë emërtesa politike, jashtë shërbimit diplomatik, ka të drejtë kryetarja e Komisionit të thotë ‘Ok’. Por jepini këtij Komisioni të drejtën e vetos. Se, në qoftë se ju shkoni për ambasador politikë, atëherë duhet t’i jepet e drejta e vetos”.

Ndërkohë që Dade e ka quajtur ligjin si VKM-ja e Sali Berishës. “Ky ligj mund t’i ketë 100% ambasadorët jashtë shërbimit diplomatik. VKM-ja e Saliut e 2006 është e integruar në ligjin tuaj tani”, tha ajo. Nga ana tjetër, deputeti Blushi tha se janë propozuar për ambasadorë emigrantë që kanë jetuar jashtë vendit, gjë që sipas tij nuk është e denjë për përfaqësimin e vendit.

Por ministri Bushati theksoi se janë përforcuar kriteret e përzgjedhjes së ambasadorëve dhe se kuota dhe kriteret nuk mund të qëndronin bashkë në një ligj. Pas përplasjes në mbledhjen e Komisionit, deputetët vendosën të mos miratojnë variantin e qeverisë, por ta diskutojnë në mbledhjen e Grupit të PS-së dhe më pas për të votuar dy variantet në seancë. 

REPLIKAT NE KOMISION

Ben Blushi: A ka ky dinjitetin dhe tagrin për të qenë ambasador dhe përfaqësues i Republikës së Shqipërisë, në vendin ky ai ka jetuar si emigrant ku ka bërë lloj-lloj punësh? Për shkak se jeta e ka detyruar, e keni parë ju ndonjë shembull në vendet e tjera si Italia. Një inxhinier që punon apo që ka një biznes në Shqipëri, ka 200 punëtorë fason dhe të bëhet ambasador?! Pra, ambasadori ka një dinjitet dhe ai nuk mund të jetë gjithkush e, për fatin tonë të keq, ju keni sjellë disa raste këtu. Një apo dy prej tyre janë kthyer nga vendet ku i keni dërguar për akreditim. Ky Komision ka ngelur i pakënaqur në disa raste për shkak të cilësisë së ambasadorit që ju keni sjellë…
Ditmir Bushati: Ju thatë që, nëse një fason bëhet ambasador, në fakt ne s’e kemi ambasadorin tonë në Romë në këtë kategori, por e dimë të gjithë historinë që nuk është as i shërbimit.
Ben Blushi: Ai është politik.
Arta Dade: As ligji nuk e zgjidh këtë problematikë.
Ditmir Bushati: Në një situatë të tillë ne as nuk legalizojmë, sepse ky person nuk konsiderohet pjesë e shërbimit. Është rasti i Francës që vjen nga jashtë shërbimit diplomatik dhe ka punuar 25 vjet në BE.
Arta Dade: Ky ligj mund t’i ketë 100% ambasadorët jashtë shërbimit diplomatik. Sepse, po të vijmë te neni 31, ju e shtrini këtë gjë edhe në sistemin e diplomatëve të thjeshtë, jo më te shefat e misioneve. Pra, VKM-ja e Saliut e 2006 është e integruar në ligjin tuaj tani. Ne këtu flasim për ligje afatgjata, që i rezistojnë kohës dhe që nuk kanë as veshje politike, as nuk varen nga vullneti politik, nga ngritja profesionale apo intelektuale e një ministri, një kryeministri apo një presidenti. Ligji të jetë i barabartë në zbatueshmëri për të gjithë.
Ditmir Bushati: S’mund të qëndrojnë edhe kriteret, edhe kuotat bashkë. S’qëndrojnë dot.
Arta Dade: Qëndrojnë që ç’ke me të, se janë shkelur. Sepse emëroni emigrante dhe e vendosni konsulle të Përgjithshme. Më vjen keq tani. Një emigrante që di vetëm të kapërcejë pengesat dhe të vrapojë. Dhe e keni bërë konsulle të Përgjithshme. Shefe misioni në Selanik, në një vend shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, në një vend fqinj. Tani këtë kush e ka vënë? E kam bërë unë? E keni bërë ju. Do ta ruajmë sistemin nga arbitrariteti apo nuk do ta ruajmë?
Ditmir Bushati: Unë them të ruajmë etikën në fillim dhe të heqim dorë nga epitetet. Tani të mos flasim në mënyrë pexhorative. Arta Dade: Këto janë arsyet pse Komisioni është i shqetësuar dhe kërkon ta ruajë shërbimin diplomatik nga arbitrariteti i njërit dhe tjetrit. Edhe nga arbitrariteti im, nëse do të kërkoja të emërohej dikush shef misioni. I kemi raste shumë të freskëta.
Ditmir Bushati: Unë them duhet të ketë një sens komun që të mos lëshojmë epitete për njerëz. Unë u tregova i kujdesshëm për të mos u marrë me raste konkrete. Të mos arrijmë në konkluzione dhe të mos bëjmë kot personazhin.
Arta Dade: Meqë është kampione ta çojmë te Komiteti Olimpik, të mos e bëjmë konsulle. Tani të gjithë emigrantët që kanë mbaruar Marrëdhënie Ndërkombëtare, na kërkojnë që të punojnë si konsuj të përgjithshëm, si kjo në Selanik e Janinë. Si t’u themi atyre?! Por fakt është që keni shkelur “state agreement” dhe nuk e keni bërë transparente.
Ditmir Bushati: Zonja Dade, kjo është e rëndë, se deri tani këtë gjë e ka thënë vetëm Presidenti i Republikës dhe personi i dytë që po e thoni, jeni ju. Kjo është një çështje shumë e rëndë dhe po ju them me kapacitetin e ministrit të Jashtëm që kjo nuk është e vërtetë. Personi, i cili ka qenë kandidat, ka kaluar me të gjithë mbështetjen e këtij Komisioni është tërhequr për arsye familjare dhe personi ka një punë shumë të nderuar sot në shërbim e jashtëm. Por, edhe sikur kjo gjë të ishte e vërtetë, në asnjë vend të botës këto gjëra nuk i diskuton në publik…

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura