Rënia e “talk show”-t shqiptar?…

Jan 16, 2020 | 10:30
SHPËRNDAJE

BESNIK DIZDARI  besnik dizdari

1.

Dihet, “talk show” është gjini televizive e radiofonike, që, siç thotë një fjalor, ka si “protagonistë” fjalët apo bisedimin dhe spektaklin. Dhe çka nuk përmban: monologë, diskutimin e formave e natyrave të ndryshme, intervista, praninë e ekspertëve të temës së trajtuar si dhe të një publiku madje. I tillë, doemos, ka hyrë edhe në Shqipëri…

Eh! Po të kisha një televizion, ose më mirë me thënë, po të kisha një “talk show” në këtë periudhë që kalon Shqipëria, puna e parë që do të bëja, do të ishte organizimi i një mbrëmjeje “talk show” me temën: “Si jetojnë shqiptarët sot”. A ka gjë më të rëndësishme se kjo temë? A ka gjë më të rëndësishme se të tregosh, të diskutosh, të shtjellosh sesi jeton sot, bie fjala, një inxhinier a mjek i shquar, një mësues i mirënjohur me pension 27.000 lekë, pra, diçka më shumë se 200 euro në muaj? Dhe jo vetëm këta. Mijëra e mijëra të tjerë edhe më keq se këta.

Trajtimi i saj do të na tregonte në hollësi situatën tejet të rëndë të jetës së familjes së sotme shqiptare. E, duke iu kthyer paksa qoftë edhe gazetarisë së dikurshme të Partisë, së cilës i bindeshim aq “bukur” ne, gazetarët e asokohe, këtë temë do ta vazhdoja me “goditje të përqendruar”, e pakta nja një javë rresht. Sepse kjo temë ka nëntema dramatike të pafundme, që mund ta gjente mbështetjen e përimtimit edhe te një “talk show”.

Dhe jo vetëm ajo. Bie fjala, një temë tjetër, që duket “e vogël”, por që në thelb është shumë e madhe, për të mos thënë më e madhja: “Si është jeta e fshatit tonë demokratik”? Po deshe po të dhuroj edhe titullin tonë të atëhershëm: “Nga jeta në fshatin tonë socialist”.

E pra, është e vërtetë se “talk show”-t e markës shqiptare nuk trajtojnë temat më shqetësuese të jetës së shqiptarëve të sotëm. Unë për vete e kam bërë sondazhin. Nuk i trajtojnë ose i trajtojnë rrallë, tepër rrallë, ose në mënyrë shumë të përciptë. Dhe, oburra për temat “elegante”, bie fjala, të tilla që na tregojnë se cila do të jetë tryeza e ushqimeve për Vitin e Ri.

Mû këtu lind pyetja: po përse ua kërkon këtë televizioneve”? Thjesht sepse televizionet janë ata që po sundojnë drastikisht ndikimin edhe të opinionit tonë publik.

Joe Franklin ka qenë njeriu i radios dhe televizionit amerikan, i cili ka organizuar i pari “talk show”-n televiziv. E ka filluar qysh më 1951 në atë që shpejt mori emrin WABC-TV dhe që mandej vazhdoi nga 1962 deri më 1993. Ndonëse “talk show” më jetëgjatë është ai i NBC amerikane që vazhdon deri sot. Steve Allen ishte drejtuesi i parë i NBC (1954). Është ky njeriu që në njëfarë mënyre “themeloi” dhe drejtoi të famshmen “The Tonight Show”, qysh në NBC më 1954. Fillonte me një monolog në hapje, duke vazhduar me intervista të personazheve të mirënjohur, madje dhe me pjesëmarrjen e publikut, me muzikë, e tjerë e tjerë… Një popullaritet i madh i kësaj “shpikjeje” vërshoi në gjithë botën. Puna mbërriti deri aty saqë të vendoset edhe një rekord botëror i llojit më të çuditshëm, madje. Ndodhi në Nepal, me një “talk show” të drejtuar nga Rabi Lamichhane, që vazhdoi për 62 orë, nga 11 deri më 13 prill 2013.

Në Shqipëri, doemos si gjithçka, edhe “talk show” nis më vonë se askund. Ndonëse, hap mbas hapi, në vitet ’70, ato që ne i quanim “biseda në redaksi”, mund të quhen si embrione të një “talk show” që do të mbërrinin vetëm mbas viteve ’90. Për fat, duke u bërë sot të panumërta, thuajse kopje e njeri-tjetrit, të njëkohshëm, thuajse të të njëjtave tema, pa risi, pa tematikat që i duhen stadit të sotëm të jetës shqiptare. Por kryesisht të politikës, madje të politikanëve.

Gazeta e përditshme “Bashkimi” e regjimit, gazetar i së cilës kam qenë për vite të tana, them se ka qenë e para që shpalosi embrionet e “talk show”-t në gazetat shqiptare të kohës, me ato që përmenda, të ashtuquajturat “biseda në redaksi”. Natyrisht, krejt të komanduara politikisht e socialisht prej një dore të fortë të redaksisë dhe në të shumtën të një unanimiteti idesh e pranimi.

Tash po guxoj të them se “talk show” i parë shqiptar, gati i vërtetë, i përket pikërisht gazetarisë sportive. Gazetari dhe shkrimtari i mirënjohur, Skifter Këlliçi, në librin e tij të rëndësishëm, “Historia e Radio-Televizionit Shqiptar”, fikson se në mars të vitit 1970 nis “Rubrika Sportive” e Televizionit Shqiptar, transmetuar madje drejtpërsëdrejti. E drejtuar për disa kohë prej tij e në vazhdim me regjisor Albert Mingën e talentuar, përveçse njohës i mirë i sporteve, ky “talk show”, datuar më 1970 a 1971, është pionieri për ne. Duke mbart më tej, sidomos kontributin e Vladimir Grillos, puna arriti që kjo rubrikë të ftonte deri dhe pesë a gjashtë protagonistë, specialistë e sportistë të shquar, duke “guxuar” edhe deri te komentet “kundërshtuese”. Natyrisht, pa marrë kurrsesi përsipër t’i përngjajë “talk show”-t të vërtetë perëndimor.

Duhej të vinin vitet ’90, me në krye “Opinionin” e drejtuar prej gazetarit Blendi Fevziu. Them se ka qenë një imitim. Më duket një imitim i së famshmes italiane “Porta a porta” të Bruno Vespa-s të RAI-t, datuar më 1996, deri në kompozicionin skenik e plot të tjera. Ndonëse “talk show” i parë italian është “Bonta loro” i Maurizio Costanzo i vitit 1976. Në një “studio-salon të vogël, ai intervistonte personazhe pak a shumë të famshëm, përfshi edhe politikanë të rangut të parë, një transmetim që u përshëndet si një risi e madhe për stilin e saj informal, e, nga ana tjetër, me një Costanzo, i cili me zgjuarsinë e tij dhe insinuata madje, ia arrinte t’i vinte jo pak në vështirësi të ftuarit e tij”, siç shkruan studiuesi Oliviero Bergamini.

2. Kështu, i kaloj të gjithë nëpër mend, teksa ndalem te shënimet e bllokut tim. Këtij të riut, të sotmit. Jo blloqeve të vjetra që më janë drobitur tejet, edhe pse shënimet për shkrimet që bënim, sidomos në vitet ’70 në revistën e gazetarisë “Tribuna e Gazetarit”, blloqe të shënimeve të lexueshme, kryesisht vetëm fakte, çuditërisht pa qëndrime propartiake, të cilat vinin më mbas, kur me to ne mvishnim shkrimet tona ashtu siç urdhëronte regjimi…

Por këtu e kam fjalën për “talk show”-n e viteve ‘20 të shekullit XXI. E kam fjalën për “Opinion”, “Top show”, “Real Story”, “Open”, “Provokacija”, “Soiree”, “Tempora”. “Procesi sportiv”, “Pressing”, “Fair play!…

Dhe? “Mamma mia”! Po thërras edhe unë në gjuhë të huaj. Asnjë emërtim në gjuhën shqipe! Paska vdek Fjalori i Gjuhës Shqipe! Snobizëm, për fat të keq jo i një kulture. Pa sa për ndjenjën kombëtare, atë e gjej gjithnjë e më rrallë. Prej këtu shkova te “Metamorphosis” e Fishtës. Më tingëlluan fort këto vargje: “Perse veç Shqypja/Do folë n’Shqypni,/(Si duen me thanun nji palë zotni),/ Kur me i “gut Morgen!/ A”kali imera”/ Me i “dobra veçer”!/ A “buona sera”! / Mue punët të tana / M’hecin per fille”.

Dhe kështu, tash, po guxoj të pyes nëse ka nisë apo jo rënia e “talk show”-t shqiptar. Jo vetëm për monotoninë tematike, jo vetëm për shumimin a mbidozën në disa televizione, por mbi të gjitha me një lloj varfërie tematike e ndikuar së tepërmi prej sjelljeve të njerëzve të politikës e të partive. Për fat të keq, pa evoluar sa duhet në kahun e duhur. A ka një vend tjetër si ky i “talk show”-t shqiptar ku të sundojë kësisoj politika? “Në kombe si Franca, Spanja, Gjermania, Britania e Madhe, – ka shkruar Prof. Edoardo Novelli, – prania e politikës dhe e protagonistëve të saj është e ngushtuar vetëm në pak programe, këto të karakterit informativ/gazetaresk, ndërkohë që nuk ndodh që programi të sundohet prej “talk show”- eve dhe kështu “infektimi’” prej politikës të gjinive të tjera të programeve argëtuese dhe të spektaklit, është krejt i paktë”.

Atëherë? Çfarë përfaqëson sot “talk show” shqiptar që ia ka marrë mendtë sidomos një shtrese të telespektatorit të Republikës së Shqipërisë deri aty që sapo del në kafe në mëngjes veç kur dëgjon të thonë: “A e pe mbrëmë, ah sa mirë ia bëri?”. E kjo “sa mirë ia bëri” është e përbashkët, teksa del sa nga goja e telespektatorit proqeveritar, po aq edhe atij kundërqeveritar.

Ky ta do mendja se duhet konsideruar një sukses i “talk show”-t shqiptar. Mirëpo, një sukses që vjen vetvetiu edhe prej asaj tjetrës, që nënkupton po zhvleftësimin e asaj tjetrës, prepotente që del shpesh prej gojës së autorëve apo drejtuesve të llojllojshëm, që nëse mund të guxosh t’i kritikosh sadopak, përgjigjen: “Mos e shih, ndërro kanal!”.

Mirëpo, ku ta çosh përderisa skema është thuajse kudo e njëjtë? Teksa jo vetëm që thuajse të gjithë “talk show”-t janë në të njëjtën orë të mbrëmjes, por edhe sepse ngjashmëria tematike shpesh është krejt po e njëjtë. Mbi të gjitha, sepse ata, rrallë, tepër rrallë, trajtojnë temat që kanë të bëjnë me jetën e mundimshme të shqiptarëve, me vështirësitë e jetesës së tyre, me varfërinë. Në fund të fundit, me vetë ecurinë e ngadalshme të vetë zhvillimit të Shqipërisë së sotme.

Kjo, njëra anë e medaljes. Mandej, ajo tjetra, që ka të bëjë me mjeshtërinë e gazetarisë që drejton “talk show”-n tonë. Askush nuk mund të mohojë ndërkaq, se në shumicën e rasteve në to, ka shamatë, ka zhurmë, ka deri dhe britma – e edhe kjo kulturë e dyshimtë doemos, ia rrit “popullaritetin” apo “pseudopopullaritetin”. Nga ana tjetër, si në një zakon, ti sheh po të njëjtët të ftuar, disa madje edhe duke qarkulluar nga “talk show” i një televizioni në tjetrin. Jo fort rrallë, deri në mashtrimin “më të bukur” gazetaresk kur në të njëjtën orë, në dy televizione të ndryshme, ke rastisur të shohësh të pranishëm po të njëjtin të ftuar. Çka duket se vjen ngaqë emisioni nuk transmetohet drejtpërsëdrejti, por i regjistruar.

“Talk show” shqiptar ka një karakteristikë vërtet të pangjashme, që është bërë rutinë e pashembullt: të ftuarit duhet të jenë përfaqësues të dy kampeve, të pozitës qeverisëse dhe asaj të opozitës, të cilët mbrojnë idetë e tyre kundërshtuese. Ti i dëgjon ata të kundërshtohen pa iu marrë fryma dhe kur mbaron “talk show”, qytetari shqiptar, sidomos ai në shumicë, e ka të vështirë të kuptojë se kah anon e drejta, e vërteta. Kjo sepse – me vetëm ndonjë përjashtim të rrallë – drejtuesit e emisionit nuk marrin përsipër të komentojnë kundërshtuesit e dy kampeve për ta orientuar sadopak telespektatorin – e ky është i shtresave nga më të ndryshmet – se kah anon e drejta dhe e vërteta. Kësisoj, drejtuesit e “talk show”-t në të vërtetë “çojnë jetë”, teksa heshtin pa marrë përgjegjësinë profesionale të së vërtetës.

Sigurisht, “talk show” të sunduar asisoj prej temës së politikës pa “kundërshtar”, as që të shkon mendja që të zhduken. Përkundrazi, po të organizohen mirë, ata janë mjaft të vlefshëm dhe interesantë kur ballafaqohen mendimet e ndryshme, qoftë edhe të kundërta, sepse kështu shpreson të mbërrish tek e drejta dhe e vërteta.

E, megjithatë, nuk do të kishte gjë më me vlerë nëse të ftuarit të mos ishin kaq shpesh “kundërshtarët” apo gazetarët mbrojtës partish, por specialistë, njerëz të zot, të aftë, të ditur, njohës të mirë të tematikave në fjalë. Jo partiakë, por dijetarë të këtyre punëve. Prej atij personaliteti që edhe nëse është me një parti – e kjo është e natyrshme – vështirë që dijet që zotëron mund t’i tradhtojë e të shkojë tek e padrejta.

3.

Kështu pra. Siç u tha, zhurmë, kundërshtime jo rrallë arrogante, sidomos prerje fjale, deri aty saqë është bërë zakon tashmâ që telespektatori të pyesë atë që ka pranë: “Çfarë i tha, se nuk po merret vesh?…”

Dhe e gjitha kjo në qetësinë olimpike të drejtuesit të “talk show”-t, i cili, për fat të keq, mund të ndodhë që edhe ai të jetë i njëanshëm politikisht. Çka e bën të ndërhyjë vetëm kur e sheh se po vjen “rreziku” që mund të godasë një politikë të caktuar, për të cilën mund të ketë marrë urdhër prej pronarit që ta mbrojë. Qoftë edhe me dinakëri e “naivitet” në dukje të jashtme. Dinakëri që e merr vesh kur sheh se si rregullisht ai fton në këtë apo atë “talk show”, mbrojtësin përkatës të njërës palë të politikës. Qoftë edhe ndonjë të huaj të shndërruar në shqiptar, paçka se ai nuk artikulohet mirë në gjuhën shqipe, teksa thotë: “Ne jemi të pabesueshme”, “bëj një propozim konkrete”, “unë po flas me logjika”, “pjesa më e rëndë është te kjo ligji”, “i japim një kompetenca”, “AMA ka kompetenca për sakrifikuar”, “kjo është ndryshimi”.

Ndërkaq, ndërprerja e menjëhershme e fjalës bëhet kryesisht nga të ftuarit kundërshtarë, të cilët, edhe me ndonjë letër ndër duar, e kërkojnë rrufeshëm fjalën me vetësigurinë pothuajse pronësore (padronale) të një arrogance shembullore të lejuar prej drejtuesit.

Gazetarja e madhe Oriana Fallaci ka paraqitur në një mënyrë mjaft interesante këtë dukuri ndërprerjeje të fjalës (çka duket që nuk është vetëm e llojit shqiptar). Ka shkruar Fallaci:

“… Pajtueshmëri mbi të gjitha. Në luftë me mungesën e sjelljes civilizuese, me të cilën skuadra me të mbathurat dhe fanellat e së majtës bën opozitarin. Dhe sa për të filluar: a është ndonjëherë e mundshme që në debatet televizive komunistët ta lënë të flasë kundërshtarin?… Sapo kundërshtari hap gojën, atë e ndërpresin. E, edhe nëse i heshturi vazhdon me folë në të drejtën e radhës së tij që ka, e mbysin me zërin e tyre si të një qeni që leh. ‘Më falni, po e kisha radhën unë’, proteston i heshturi. ‘Unë nuk të ndërpreva ty, pra, më lejo të përgjigjem’. Por ai tjetri vazhdon të lehë si qen, pa ndalë kurrsesi. Dhe 90 për qind të drejtuesve televizivë gjithashtu e luajnë ndeshjen në favor të skuadrës me të mbathura e fanella të kuqe…”.

Kështu paska ndodhë edhe në Italinë fqinje prej ku kemi imituar “talk show”-n tonë shqiptar. Kështu ndodh po shpesh sot edhe ndër ne.

Ndërkaq, është mjaft interesante se si gjatë emisionit, të ftuarit, edhe pse me gjasë kundërshtarë, i flasin njeri-tjetrit pa asnjë etikë të veçantë, duke i thirrur me emra, si në një bisedë miqsh në kafene. Në “talk show”-n shqiptar nuk ka raste që t’i drejtohet bashkëbiseduesit “kundërshtar” me etikën qytetare: “zotëri” ose “zoti filan”. (Përveç nja dy “profesorëve” apo “avokatëve”, e ec e merre vesh përse ua bëjnë këtë nder vetëm atyre!). Kështu, ata i flasin njeri-tjetrit me emra konkretë si në afërsinë me shokun e klasës, të fëmijërisë apo të redaksisë së përbashkët. Deri sa të shkon ndërmend që sapo mbaron emisioni, ata do të shkojnë e të pinë kafe bashkë e të përqafohen kur ndahen. Të bindur se do të takohen po në “talk show”-n e radhës. E mandej, ti, prej kësaj “miqësie” prêt që ata të kundërshtohen me sinqeritet e të trajtojnë temat delikate të jetesës sonë

Edhe këtë e ka trajtuar fort bukur Oriana Fallaci kur ka shkruar:

“… Në publik ata kapen me dhëmbë. Ose pranojnë të kapen me dhëmbë. Por në privatësinë e tyre ata bien në marrëveshje. Shkojnë në barê së bashku, në darkë së bashku, në ndeshje së bashku, në bregdet së bashku. I rrahin krahët njeritjetrit, ngaqë konsiderohen “kolegë”. Një natë kam përjetuar në TV një rast më se kuptimplotë. Në sfond, në sheshin e Montecitorio-s, pashë dy burra që ecnin së bashku. Ecnin dhe flisnin Edhe këtë e ka trajtuar fort bukur Oriana Fallaci kur ka shkruar: “… Në publik ata kapen me dhëmbë. Ose pranojnë të kapen me dhëmbë. Por në privatësinë e tyre ata bien në marrëveshje. Shkojnë në barê së bashku, në darkë së bashku, në ndeshje së bashku, në bregdet së bashku. I rrahin krahët njeritjetrit, ngaqë konsiderohen “kolegë”. Një natë kam përjetuar në TV një rast më se kuptimplotë. Në sfond, në sheshin e Montecitorio-s, pashë dy burra që ecnin së bashku. Ecnin dhe flisnin.

Mund të marrë paksa mëdyshje ky mendim disi i prerë i Fallaci-t. Po, mos ndoshta ngjet kështu edhe në të ftuarit e “talk show”-t shqiptar?…

Njerëzit tonë kërkojnë një “talk show”-t të vërtetë, të ndershëm, të paanshëm, të larmishëm, pra, jo skematik, por të guximshëm, aktual, mbi të gjitha për problemet jetike të shqiptarëve. Çka, natyrisht, assesi nuk të shkon ndër mend që në “talk show”-n shqiptar të mungojnë temat e tjera të kulturës, të historisë, të artit, të dëfrimit, të familjes, të edukimit. Nuk mund të themi se mungojnë, por janë tepër të rralla.

Është vërtet e çuditshme se si nuk ndodhi një herë, që, ta zëmë në kohën e pushimeve të tyre (sepse edhe “talk show” shqiptar shkon rregullisht me pushime), papritmas, mbas një ngjarjeje po të papritur, të prishet rendi a periodiciteti i emetimit të “talk show”-t dhe të dalin në TV me një “talk show” të jashtëzakonshëm, si të thuash, të ditës, kushtuar asaj ngjarjeje që sapo ndodhi – bie fjala, të idhët për Shqipërinë. Një emetim disi i menjëhershëm, për të mos thënë i rrufeshëm. Për shembull, për një ditë janari 2020 me 8 të vrarë prej “garave” automobilistike të lejuara, pikërisht edhe prej papërgjegjshmërisë në kontrollet në qarkullimin rrugor, sidomos në qendrat e banuara të qyteteve.

Mirëpo, “talk show” shqiptar është shërbestar i rregullt i politikës dhe – politikanëve – e , kësisoj vështirë të gjesh një tjetër si ai në Europë.

4.

Duke dashur ta mbyllja paksa me optimizëm, po mendoja se jo gjithmonë ndodh siç u përpoqa ta paraqes në këtë shkrim. Sepse, në të vërtetë, ka dhe gjëra të mira, ka dhe drejtime të mira e të paanshme të “talk show”-t shqiptar. Sa midis disa drejtuesve të tyre, po aq edhe prej disa të ftuarve të tyre.

Dhe mendova ta mbyllja me kaq. Mirëpo, si ndjekës besnik i përhershëm i zhvillimeve të gazetarisë në vendin tim, bleva një libër që sapo ka dalë. E lexova menjëherë këtë libër tejet të dobishëm për gazetarinë. Aq më tepër që në Shqipërinë e sotme librat për trajtesat e zhvillimit të gazetarisë shqiptare mungojnë si në asnjë vend tjetër në Europë. E kam fjalën për librin e autores së brezit të ri, Belina Budini, me titull “Ndikuesit/Influencers” – botim i “UET Press” (Universiteti Europian i Tiranës). Autorja, përveç kapitujve të shkruar me seriozitet hulumtues nga vetë ajo, i kishte kushtuar një kapitull të gjerë intervistave me gazetarë, drejtues të “talk show”-t shqiptar, thuajse të gjithë, përveç të tjerave, edhe protagonistë të këtyre “talk show”-ve. Po përpiqesha të qëndroja në dëshirën time për ta mbyllur, pra, me një “happy end”. Mirëpo, ja që më mpaken pohimet e gazetarëve në fjalë:

“…Nuk kemi gazetarë që të çajnë rrethimin apo të mposhtin gojëmbylljen…”. (Artur Zheji)

“… Përzgjedhja paraprake e figurave politike, nga vetë stafet e partive politike, për të marrë pjesë në emisionet televizive, duket se është faktor tjetër jashtëmediatik, që dikton shpesh përbërjen e paneleve në studio…”. (Blendi Fevziu)

“… Bisedat nëpër studio televizive nuk janë në nivelin e intelektualëve…”. (Mustafa Nano) “… Jemi mjeshtra për të krijuar anarki, por jo për të thënë të vërtetën…”. (Ben Blushi)

“…Kthimi mbrapa, tkurrja e lirive dhe informimi i paanshëm kanë bërë shumë hapa pas…”. (Andi Bushati) “… Ajo që më bën përshtypje për keq në këto momente, është fakti që nuk shikoj shumë gazetarë të distancohen nga të dyja palët politike…”. (Astrit Patozi)

“… Ka mes tyre edhe nga ata që kanë bërë ‘pakt me djallin’ në profesionin e tyre, kanë tradhtuar misionin e gazetarisë, kanë bërë pakt me pushtetin dhe janë bërë palë me të…”. (Eni Vasili)

“… Merita apo dështimi ynë lidhet me faktin nëse i bëjmë këto debate politike popullore apo i bëjmë elitare, që nëse i ngushtojmë dhe i mbajmë të tilla debatet politike, atëherë kemi dështuar…”. (Sokol Balla)

“…Njerëzit e politikës bëhen fajtorë direkt. Ata të medias indirekt. Është njeriu shqiptar defektoz. Çështje ADN-je…”. (Adi Krasta)

“… Mungesa e moralit në shtypin shqiptar është pikërisht fakti që nuk i referohet të gjithë së vërtetës, por thonë gjysmë apo çerek të vërteta…”. (Mero Baze)

“…Gazetarët që tentojnë të qëndrojnë si pushtet i katërt, përballë politikanëve, kanë qenë të paktë dhe po pakësohen…”. (Fatos Lubonja)

“…Shpeshherë te ne ndodh që gazetarët janë dukshëm të rreshtuar në front kundër ose pro politikanit të ftuar në emision…”. (Bashkim Hoxha)

“… Shohim se si një televizion, që për shembull beson se është i djathtë, kur sa hap e mbyll sytë, bëhet i majtë, pastaj shikon një të majtë që bëhet i djathtë. Gjithë ky treg interesash e ka zhvleftësuar fjalën e gazetarëve dhe njerëzve u ka ardhur në majë të hundës…”. (Armando Shkullaku)

“…Marrëdhënia që dominon është ajo e nënshtrimit dhe e sahanlëpirjes. Me një pjesë fare të vogël gazetarësh, ndodh që nuk ka asnjë marrëdhënie mes tyre e pushtetit”…. (Ylli Rakipi)

“…Një pjesë e madhe e gazetarëve janë në një bashkëpunim të nëndheshëm me politikanët, në studio, në redaksi…”. (Andi Bejtja)

U detyrova të pranoja se këta gazetarë qenkan me mua ose që jam unë me ata. Mirëpo, sa e demonstrojnë këtë kundërshtim prej profesionistësh në “talk show”-t e tyre ose kur janë të pranishëm në role të vërteta analistësh apo si njohës të problematikës që ndjek kjo gazetari?

Temë kjo, për një thellim të mëtejshëm, ndonëse edhe prej këtyre pohimeve të tyre, pak a shumë provohet rënia e “talk show”-t shqiptar. Në mos kjo, me siguri je i detyruar të pranosh fillimin e rënies!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura