Rënia e Prokurorisë

Mar 25, 2015 | 12:04
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ

   Në qoftë se narrativa e Prokurorisë për çështjen “Doshi” do të paraqitej për botim në formën e një subjekti letrar, kam bindjen se edhe një shtëpi botuese e dorës së fundit do ta kishte refuzuar për shkak të shkëputjeve dhe çarjeve logjike të tekstit, nga ato që nuk i prodhon kurrë realiteti i gjallë i jetës, por vetëm mendja e një  grafomani. Për fat të keq, në rastin konkret, nuk kemi të bëjmë me një subjekt letrar, por me një hetim penal për një denoncim nga më të padëgjuarit në historinë e demokracisë.   
Në mënyrë të përmbledhur, versioni i Prokurorisë është si më poshtë: deputeti Mark Frroku ka inskenuar një plan për gjoja vrasjen e deputetit Tom Doshi, duke e njoftuar personalisht ketë të fundit për rrezikun imagjinar. Toma e beson si të vërtetë, duke qenë se Markun e ka shok të ngushtë. Pasi arrin në këtë përfundim, për çështjen kyçe të  hetimit – “inskenim apo skenar i vërtetë?”- vjen ndërprerja apo e çara e parë në raportin e Prokurorisë. Nuk thuhet asgjë për personazhet që ka pajtuar Frroku në lojën e tij. Mirëpo, logjika elementare e do që njoftimi i shokut se duan ta vrasin nuk mund të jetë një fall në hava. Duhet të shoqërohet minimalisht me një emër a disa emra, me një indice apo disa indice dhe, meqë jemi në kushtet e një inskenimi, inskenuesi është i interesuar të tregojë sa më shumë detaje, duke qenë se qëllimi i parë është bërja sa më e besueshme e intrigës që ka thurur. Përndryshe, kot që do t’i futej kësaj aventure. Po cilët janë  “aktorët” që ka angazhuar Frroku në pjesën e tij? Prokuroria nuk i thotë. Nuk i di ose i di, por duhet t’ia heqë Frrokut dhe t’ia veshë Doshit, përndryshe Toma del pa asnjë faj. Pra, pasi Frroku ka inskenuar vrasjen e shokut të tij, tani është shoku që kërkon aktorët e inskenimit. Mishmashi këtu merr pamjen e një skeçi. Lexuesit i mbetet të vendosë një farë rregulli me logjikën e tij. Nëse Mark Frroku është inskenuesi, presupozohet se ai ka bashkëpunuar dhe ka gjetur minimalisht mirëkuptimin e personit që do të pranonte të luante rolin e atentatorit të penduar. Pastaj po vetë ai ose aktori i parë kanë gjetur aktorët e tjerë- nja pesë a gjashtë- që i shohim të jenë përfshirë sekush në rolin përkatës. Duhet të jenë në rol të gjithë, përndryshe loja e inskenimit do të dilte blof sapo t’i njoftohej  Tomës. Dhe ja ku vijmë te një e çarë tjetër logjike e narrativës së Prokurorisë. Nëse janë në rol, pse duhet që Tom Doshi t’ia nxjerrë me dhunë dhe me kanosje dëshminë Durim Bamit? Pse duhet t’i blejë makinë të blinduar, përveçse nga frika se mund t’ia vrasin pasi i ka rrëfyer planin kriminal? Si u marrka në pyetje, si u marrka për hunde sa andej-këndej, si të ishte krahëthati i krahëthatëve, një njeri të cilin policia e ka akuzuar disa herë si person të rrezikshëm? “Pse”-të për këtë ngjarje të padëgjuar janë shumë. Hetimi i Prokurorisë, për fat të keq, vetëm i ka shtuar. Që të mos zgjatemi me listën e të çarave logjike të këtij hetimi, le të përmendim edhe një të fundit. Del se Tom Doshi nuk e ka inskenuar vetë, por thjesht e ka besuar planin imagjinar për vrasjen e tij dhe të deputetit Mëhill Fufi. Toma, pra, ka thënë të vërtetën. Por, sipas Prokurorisë, edhe Durim Bami ka thënë të vërtetën kur ka mohuar dëshminë e dhënë në videon që njeh gjithë publiku se ishte ngarkuar të vriste me pagesë dhe kishte marrë parapagim këstin e parë të pagesës për vrasjen e Doshit. Në fakt,  konkluzioni bazë i Prokurorisë se skenari i vrasjes së deputetëve  është një inskenim, nuk shohim të jetë mbështetur në asnjë provë tjetër deri tani, përveçse në mohimin që u ka bërë Durim Bami thënieve të tij muaj më parë para deputetit Doshi, para ministrit të Brendshëm Tahiri dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Didi. Bami në arrest në një anë dhe Rama, Meta e Tahiri në pushtet në anën tjetër, rezultojnë të jenë skaje të bashkëlidhura të versionit të inskenimit. Skaje të bashkëlidhura me duart e Prokurorisë. Por e vërteta e Tomës dhe e vërteta e Bamit janë detyrimisht përjashtuese. O njëra, o tjetra. Nuk mund të qëndrojnë bashkë. Nuk mund të qëndrojnë të lidhura në dyshimin e sforcuar se inskenuesi është Mark Frroku. Duhen prova.
Prokuroria, megjithëse ka pasur kohë e mund të merrte kohë të mjaftueshme për t’i shkuar në fund hetimit, nuk ka sjellë prova, por vetëm dyshime të lehta, sipërfaqësore dhe madje të përzgjedhura në funksion të një vendimi të paracaktuar. Këtë lloj hetimi e vë në pikëpyetje pikë së pari logjika, e cila nga natyra nuk i bindet  arbitraritetit.  
Dua të jem i qartë. Mes gjithë versioneve që ngërthen historia e denoncuar nga Tom Doshi, ai që na lë me të qetë se asnjë tjetër, është  pikërisht versioni i inskenimit. Të kemi një apo dy deputetë që harxhojnë miliona dhe rrezikojnë burgun për intrigat, hobet apo marritë e tyre, është ku e ku më e padëmshme, sesa të kemi skema kriminale me shtrirje apo mbështetje politike deri në sferat më larta  të pushtetit, që aktivizohen e sulmojnë ose çaktivizohen e tërhiqen  si hije në vartësi të rrethanave.
Por, për vetë kontekstin dhe përmbajtjen e rëndë të denoncimit të Tom Doshit, Prokuroria duhet të zbulojë e paraqesë prova të forta për të vërtetuar versionin e inskenimit, duke shkuar drejt zbardhjes së motivit pse duhej bërë ky inskenim. Vetëm kështu hetimi do të bëhej i besueshëm dhe do të ngjallte siguri. Ndërsa versioni i inskenimit që mbështetet në dyshime sipërfaqësore dhe në tërheqjen nga hetimi me themel i krimit të denoncuar nga deputeti Tom Doshi është jashtëzakonisht shqetësues. A mos duhej të vriten deputetët, siç janë vrarë deputetë dhe figura të tjera publike me parë, për të besuar se kjo nuk është shaka? Askush në Shqipëri që është i mirinfornuar për  krimin dhe aksesorët e krimit të denoncuar nga deputeti Tom Doshi nuk mund të heqë nga mendja se eventualisht një plan kriminal është tentuar dhe është tërhequr në terr në rrethana që mbeten për t’u zbardhur dhe pastaj një plan tjetër kriminal është vënë në lëvizje  për të hequr qafe me atentate dy “aktorët” që kishin marrë përsipër ekzekutimin e Doshit dhe pastaj, kushedi, një plan tjetër do të vihej  në lëvizje për të hequr qafe vrasësit e “aktorëve”. Në botën e krimit këto nuk kanë qenë e nuk janë fantazi. Vetëm një hetim shumë profesional, vetëm provat e pakundërshtueshme do të shërbenin për drejtësinë dhe qetësinë.
Prokuroria u pa të bënte show me paradën e personave të shumtë që u thirrën për t’u pyetur, por shihet se nuk ka bërë hetime të thelluara  për akuzat dhe faktet e paraqitura nga Tom Doshi në denoncimet e tij.  I ka rënë shkurt, me synimin e qartë për ta mbyllur këtë histori me ndonjë dënim simbolik të “inskenuesve”, por duke e lënë litarin jashtë me pashë, siç thotë populli. Ky është një lajm i keq, dëshpërues për  shpresat dhe pritshmëritë e mëdha të publikut nga organi i akuzës.  Kjo jo thjesht sepse kjo Prokurori u bashkua në përfundimet e veta të kësaj faze me verdiktin politik që kishin dhënë krerët e shumicës, Rama dhe Meta, para se të nisnin hetimet. Por sepse u bashkua me zyrtarët e akuzuar për porositje dhe fshehje të ngjarjes kriminale në një plan tjetër. Këta të fundit, duke dashur të heqin fajin nga vetja, gjë që është në të drejtën e çdo të akuzuari, mohuan vetë ngjarjen, vetë krimin eventual. Prokuroria u mbajti ison në këtë rrafsh. Pra, edhe kjo nxori nga vaska bashkë me ujin edhe foshnjën, duke mos hetuar krimin. Kjo është autodemaskuese për zyrtarët e lartë dhe për Prokurorinë. Sepse vrasja e deputetëve mund të jetë planifikuar – dhe ka shumë të dhëna se është planifikuar – edhe pa qenë e porositur detyrimisht nga aksh person. Në fakt, me morinë e “pse”-ve të shtuara,  me të çarat logjike, me kërkesat antikushtetuese e deri me gjuhën e vjetër të merakut kërcënues për mbrojtjen e funksionarëve të lartë, ky hetim e ka rrëzuar Prokurorinë, së paku këtë të krimeve të rënda, por duke qenë një institucion i centralizuar goditjen e merr gjithë ngrehina. Vetëm një fokusim i fuqishëm në elementet konkrete të denoncimit të Tom Doshit dhe vetëm një hetim profesional, me asistencë ndërkombëtare të këtyre elementëve, mund të ridrejtojë organin e akuzës pas bumerangut të fundit. Por në lojë është përherë fuqia e ngjarjeve që rrahin gjithmonë nga e vërteta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura