Rendi e siguria/ Prokuroria: Gjatë 2015-s ndodhën 45 krime në ditë

Feb 9, 2016 | 7:19
SHPËRNDAJE

Analiza 1-vjeçare e punës së Prokurorisë së Tiranës për vitin 2015 ka nxjerrë në pah shumë problematika që pengojnë dhe ngadalësojnë luftën ndaj kriminalitetit. Në prani të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, kryeprokurori i Tiranës, Petrit Fusha, ka raportuar dje statistikën e punës për vitin që kaloi.

Kryeprokurori i Tiranës, Petrit Fusha
Kryeprokurori i Tiranës, Petrit Fusha

Në analizë kanë qenë të pranishëm trupa e prokurorëve të qarkut Tiranë, që përfshin edhe Matin dhe Kavajën. Sipas drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha, vitin që shkoi janë regjistruar 16.500 kallëzime penale, çka do të thotë se çdo ditë në kryeqytet janë raportuar mesatarisht 45 krime.

Nga numri total i kallëzimeve të regjistruara, prokuroria ka vendosur “mosfillimin e hetimit” për 6 mijë kallëzime, pezullimin për 4220 raste dhe pushimin e hetimeve për 1256 kallëzime. Sipas analizës, numri i procedimeve të mosfilluara, plot 6 mijë, shifër kjo që përbën një ngarkesë artificiale, ka rritur ngarkesën në punë. Në këtë mënyrë, prokuroria ka apeluar që policia “të filtrojë” më mirë materialet që referon në prokurori, pasi jo çdo rast përbën vepër penale.

“Në bazë të këtyre shifrave, dëshmohet rritja e rolit kontrollues paraprak mbi materialet e referuara. Shqyrtimi i këtyre materialeve ka marrë kohën e saj, duke ndikuar në rritjen e panevojshme të volumit të punës për prokurorët”, ka thënë kryeprokurori i Tiranës, Petrit Fusha, në analizën me dyer të mbyllura.

Duke nënvizuar problematikat në punën e përbashkët, drejtuesi i Prokurorisë së kryeqytetit ka theksuar se konstatohen edhe disa problematika të tjera, të cilat lidhen me vonesat në kryerjen e ekspertizave, si edhe në rolin jo shumë aktiv të oficerëve të Policisë Gjyqësore të Seksionit të Prokurorisë.

KRIMI NË TIRANË

Sipas raportit të Prokurorisë në lidhje me kriminalitetin gjatë vitit 2015, kanë njohur rritje veprat penale që lidhen me pronën, veprat kundër autoritetit të shtetit, veprat kundër personit. Pavarësisht se këto grup veprash kanë pasur rritje, kjo rritje nuk është e ndjeshme në krahasim me totalin e procedimeve të regjistruara.

1Rritje të numrit të procedimeve, sipas prokurorisë, ka pasur gjithashtu edhe për “vjedhje energjie”, “korrupsion aktiv” dhe “shpërdorim të detyrës”. Numri i procedimeve penale për veprat e tjera është pak a shumë në të njëjtat parametra. Organi i akuzës bën me dije se gjatë vitit 2015 ka pasur rritje të procedimeve të zhvilluara në afatin 3-mujor dhe ulje të procedimeve me afat mbi 3- mujor.

LUFTA

Prokuroria e Tiranës në raportin e vet thekson se ka vijuar të ketë në fokus të saj luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave, kontrabandës dhe evazionit fiskal. Njësia e Përbashkët Hetimore është impenjuar maksimalisht në përmbushjen e prioritetit të saj dhe gjatë vitit 2015 ka pasur disa raste të suksesshme hetimesh të përfunduara. Këtu theksohen zbulimi i skemave mashtruese në rimbursimin e ilaçeve, në tregun e karburanteve, në koncesione, në ndërtim etj.

“Është synuar rritja e bashkëpunimit me institucionet e tjera, ku përmendim Tatimet, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Inspektoratin e Deklarimit të Pasurive etj. Njësia Task Forcë ka ashpërsuar kërkesat për masë sigurie dhe gjatë vitit 2015 ka kërkuar caktimin e ‘arrestit në burg’ në 76 raste, ose dyfishin e atyre të kërkuara një vit më parë. Nga gjykata janë pranuar kërkesat për 56 raste. Vlen të theksohet se gjatë kësaj periudhe janë dhënë edhe 5 vendime fajësie për veprën penale të ‘Pastrimit të produkteve të veprës penale’. Këto vendime ndikuan edhe në plotësimin e kriterit të efektivitetit dhe daljen e Shqipërisë nga procesi i monitorimit të vazhdueshëm, ku ndodhej prej 4 vitesh, nga Komiteti i Vlerësimit të Masave në fushën e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (MONEYVAL)”, thekson Prokuroria.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura