Rëndësia e shpalljes “Fatkeqësi natyrore”

Nov 28, 2019 | 12:13
SHPËRNDAJE

EDUARD HALIMI edi halimi

Kur rreziku ka kaluar, si pas IGJEUM, gjithçka duhet të shkojë në solidaritet dhe lutje njerëzore, së pari për të shpëtuar jetët që ndodhen poshtë rrënojave, së dyti për të ngushëlluar familjet e jetëve të humbura tragjikisht e pastaj së treti (dhe jo së fundmi) kujdesi për të gjithë ata që kanë ngelur pa një çati mbi kokë e që gdhijnë natën e gjatë e të ftohtë jashtë në natyrë! E ndërsa po fillon një ditë tjetër, teksa tronditja hap renë e tymit, mirënjohja e pakufishme për heronjtë e këtyre 26 orëve, solidariteti, bashkimi, janë elementet më njerëzorë që na dalin nga zemra e tkurrur prej dhimbjes që shihet në media. Pas resë së tymit dhe elementeve njerëzore duhet të shohim përtej dhimbjes e trishtimit, aftësinë ripërtëritëse të sistemit, të drejtat e atyre që humbën të afërmit, janë të lënduar në spitale, kanë nevojë për ndihmë dhe suport përtej këtyre ditëve, përtej kësaj jave, përtej këtij muaji.

Ky i fundit ishte qëllimi kur u ula të shkruaja këtë mëngjes, qëllimi im primar, jo vetëm ngushëllimi dhe solidaritetit me atë që po ndodh, (dhe që i kam lexuar me dhimbje në FB), por përcjellja te lexuesit e njohurive që kam në fushën e së drejtës, në rastet e fatkeqësive natyrore në lidhje me aftësinë ripërtëritëse që duhet garantuar nga shteti dhe rëndësia që ka për ta shpallja ose jo e “Fatkeqësisë natyrore” sipas Kushtetutës.

Më poshtë, unë do përpiqem që të përcjell disa argumente thelbësisht teknike në lidhje me atë që vjen pas: aftësinë ripërtëritëse të sistemit që u ekspozua gjatë këtij rreziku, për t’i qëndruar pranë, përshtatur, rimëkëmbur në kohën e duhur dhe në mënyrë efikase të drejtat e të dëmtuarve nëpërmjet obligimit të sistemit nga ana tjetër.

Nuk ka dyshim se tërmeti i datës 26 nëntor, 6.4 ballë, ishte një dukuri natyrore ekstreme, që solli jetë të humbura (24 deri tani), të lënduar (600 deri tani) dëmtime të pronave (më shume se 130 ndërtesa deri tani).

Të gjitha këto elemente në mënyrë kumulative plotësojnë atë që quhet “fatkeqësi natyrore” në një “forcë major” sipas definicioneve të Kushtetutës (neni 174), ligji 49/2019, të paktën 3 direktivave të BE (2007-2014), definicionit të WB etj.

Çdo shtetas ka të drejtën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore. Por, në rastet si tërmeti tragjik, vepron parimi i subsidaritetit!

Në një fatkeqësi natyrore vlerësoj të përmend disa nga elementet shumë të rëndësishme që duhet të analizohen:

a. Impakti i fatkeqësisë në total, njerëzor, mjedisor, që përfshin vdekje, plagosje, sëmundje të shëndetit fizik, mendor, mirëqenien sociale të njeriut (që mos i shohim pas disa muajsh në TV si banorët e Floqit).

b. Informacioni mbi riskun e fatkeqësisë, ekspozimin, kapacitetin përballues.

c. Infrastrukturat kritike, strukturat fizike, ndërtesat, shkallët, ashensorët, rrjetet dhe pasuritë, teknologjike shtetërore për sistemet jetike, financiare etj.

d. Rimëkëmbja duke rivendosur dhe përmirësuar jetën dhe shëndetin e shoqërisë së prekur nga fatkeqësia natyrore, duke u bazuar në konceptin “rindërto më mirë” për të shmangur dhe zvogëluar riskun e fatkeqësive në të ardhmen.

e. Zvogëlimin e riskut të mbetur, e atyre ekzistuese dhe atyre që vijnë në të ardhmen.

Por ajo qe dua t’i përcjell lexuesit është se sa garantohen të drejtat e të lënduarve nëpërmjet sistemit të aftësisë ripërtëritëse. Dhe këto garanci të të drejtave të tyre, të analizuara në elementet më sipër, garantohen më shumë nëse kjo “fatkeqësi natyrore” në një pjesë të territorit duhet të vendoset me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Sipas nenit 174 të Kushtetutës, qeveria mund të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Elementet kumulative plotësohen (për më pak se kjo që po kalojmë rastet në rajon janë të freskëta).

Ky vendim qeverie sjell edhe disa masa të jashtëzakonshme në kuptim të nenit 174 të Kushtetutës dhe nenit 42 të ligjit 45/2019:

1. Për institucionet publike, miratimi i një fondi të veçantë qeveritar për riaftësimin, rishikimin e buxhetit vjetor shtetëror dhe gjithë elementeve që cilësuam më sipër nga a-e.

2. Për subjektet private, detyrimin për evakuim, për të kryer detyra të veçanta (që nuk detyrohen jo në gjendje të jashtëzakonshme), mbylljen e një aktiviteti (p.sh. hotel) dhe vendosjen në shërbim të situatës me të drejtë të plotë kompensimi.

3. Për shtetasit, detyrimin për zbatimin e urdhrave, p.sh. ndalimin për të mos u futur në ndërtesa, evakuimin etj.

Këto dhe të tjera garantojnë më shumë qytetarët sesa solidariteti apo humanizmi i përkohshëm.

Në konkluzion të këtij shkrimi thelbësisht teknik juridik, dua t’i përcjell lexuesit se aftësitë ripërtëritëse, rimëkëmbja e kompensimit të jetë afatgjatë dhe efikas ka nevojë për aplikimin e mbrojtjes së tyre të gjithë sistemit, për t’u vendosur në një situatë të një fatkeqësie natyrore siç parashikohet nga Kushtetuta dhe ligji. Nëse nuk vendoset nga qeveria të aplikohet “Gjendja e fatkeqësisë natyrore”, shumë nga këto të drejta ripërtëritëse mund të çedojnë.

Sistemi (shteti) duhet të garantojë jo vetëm të sotmen dhe të nesërmen, por me masat që duhet të marrë, të garantojë të ardhmen nëpërmjet konceptit “rindërto më mirë” për viktimat, të lënduarit, të dëmtuarit e sotëm, por dhe për gjithë shoqërinë në të ardhmen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura