Renato i “Masterchef”: Miqësia ime e fortë me Orin e PD-së

Feb 20, 2015 | 14:00
SHPËRNDAJE

Në foto: Ori Nebiaj dhe Renato Mekolli
Një miqësi e bukur s’ka kaluar pa rënë në sy së fundmi në Tiranë, aq më tepër kur personazhet në fjalë i ndajnë me miqtë fotot dhe bisedat e tyre në profilet përkatëse në Instagram. Fjala është për shefin e “Masterchef” në “Top Channel”, Renato Mekolli dhe zëdhënësen e selisë së Partisë Demokratike, Oriela Nebiaj. Përveç fotove bashkë ku u shfaqën shumë të qeshur, ata i komentojnë ato duke shkëmbyer batuta me njëri-tjetrin, sidomos kur fjala është për momentet e argëtimit dhe kohën e lirë. Nuk dihet se si ka qenë zanafilla e njohjes së tyre në Tiranë, që pas vendosjes së Renatos në Tiranë, pas lidhjes së kontratës së punës me “Top Channel”. I pyetur nga gazeta “Panorama” për këtë miqësi, Renato përgjigjet: “Nuk ndihem mirë të flas për jetën time, pasi është private dhe duhet të mbetet e tillë. Gjithsesi, mund të them për Orin se është një njeri fantastik. Mes nesh ekziston një miqësi e fortë”. Ori vjen nga bota e medies vizive dhe të shkruar. Ajo është zëdhënësja e re e Partisë Demokratike që nga shtatori i 2014-s, pasi zëvendësoi Laura Vorpsin. Ndërsa Renato prej dy vitesh është shndërruar ndër personazhet mjaft të pëlqyer të ekranit të “Top Channel”, si shefi i talentuar i kuzhinës që bën “show” me konkurrentët. 32-vjeçari nga Fieri është një nga shqiptarët më të njohur në Athinë (Greqi) në fushën e gastronomisë, pasi është diplomuar në Shkollën “Chef d’Oeuvre” në vitin 2001. Falë punës dhe talentit të tij në kuzhinë është vlerësuar tri herë me çmimin “Kapelja e Artë”, akorduar nga shefat më të mirë të Greqisë, duke qenë kështu shqiptari i parë në historinë e këtij çmimi që fiton “Kapelen e Artë” në një vend të huaj. Mediat kanë shkruar se ai e nisi si një pjatalarës dhe më pas falë talentit u bë një mastershef. Gazeta “New York Times” ka botuar një shkrim të gazetarit të njohur Frank Bruni, i cili i dedikohet Renatos. Gazetari specifikon në shkrimin e tij: “Në Athinë gjendet një topchef, një yll i ri i gastronomisë greke, i cili bëri një gatim special për mua”. Shefat që e frymëzojnë janë: Rene Redzepi, Alain Ducasse dhe njeriu që e bëri atë Renaton që është sot, francezi Herve Pronzato. Po cila është filozofia e tij në MasterChef?! Ai do donte të ishte chef-i “i mirë” dhe i komunikueshëm me konkurrentët, por që kërkon maksimumin prej tyre, pa toleruar gabimet. Sipas Renatos, konkurrentët e MasterChef duhet ta tejkalojnë vetveten.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura