Remitancat, PPP-të dhe Diaspora

Nov 3, 2019 | 10:30
SHPËRNDAJE

JONIADA BARJABA *

Tashmë që zhurma për Europën po fashitet, le të merremi pak me vetveten e të diskutojmë për të ardhurat që vijnë prej emigrantëve. Për përmasat e fluksit mund të mos biem dakord, por të ardhurat nga emigracioni janë të matshme. Nëse flukset janë të interpretueshme, remitancat janë të njëjta për të gjithë.

Remitancat kanë rëndësi jo vetëm për familjet e emigrantëve, por dhe për shtetin. Ndër vite, qindra-mijëra emigrantë shqiptarë, përmes remitancave, kanë ndihmuar e ndihmojnë familjet dhe sigurojnë një të ardhme më të mirë për brezat. Edhe pse dërgimi i remitancave është një praktikë e konsoliduar, ne kemi ende hapësira për përmirësimin e politikave dhe menaxhimit të tyre. Mirëmenaxhimi i remitancave në dobi të familjeve e të vendit dhe formalizimi i kanaleve të dërgimit të tyre, janë një imperativ ekonomik, zhvillimor dhe social.

Remitancat kanë ndihmuar të dalin nga varfëria mjaft familje. Ekonomia gjithashtu ka krijuar varësi prej tyre. Pra, diaspora është një faktor i rëndësishëm për ndryshimet makro-ekonomike dhe sociale të Shqipërisë.

Si shpenzohen dërgesat e emigrantëve? Nga kjo varet eficienca dhe produktiviteti i përdorimit të tyre. Për shkak se sistemi i mirëqenies sociale në Shqipëri nuk mbulon disa nga nevojat themelore të familjeve të varfëra, remitancat përdoren kryesisht për konsum dhe më pak si burim për financimin e investimeve dhe projekteve të zhvillimit. Përdorimi i remitancave për konsum ul pjesërisht dhe përkohësisht varfërinë, por nuk kontribon në krijimin e vendeve të reja të punës. Kalimi nga konsumi në përdorimin si burim investimi e zhvillimi është një hap i rëndësishëm për mirëmenaxhimin e remitancave. Për më tepër, financimi i investimeve rrit të ardhurat dhe në mënyrë të tërthortë parandalon emigracionin e mëtejshëm të shqiptarëve.  Përpjekjet për të fuqizuar remitancat si burim zhvillimi, duhet të përqëndrohen në dy drejtime: a) bashkëpunimin midis sektorit publik, privat dhe diasporës për të përmirësuar mjedisin e favorshëm për investimin e tyre në ekonomi; b) uljen e kostove për transfertat e remitancave.

Partneriteti privat-publik-diasporë

Përshtatja e kuadrit ligjor e rregullator përbënë një hap të rëndësishëm drejt mirëmenaxhimit të remitancave. Por, edhe këtu e kemi një problem: ka një asimetri midis informacionit statistikor, ndonjëherë edhe të bollshëm për remitancat, dhe rekomandimeve të pakta për të përmirësuar menaxhimin  e tyre. Prandaj, institucionet shqiptare nuk duhet të mbledhin të dhëna mbi remitancat vetëm për qëllime statistikore, por duhet të vijnë me zgjidhje për një menaxhim më të mirë të tyre. Kështu krijojmë një model të politikëbërjes mbështetur në evidencat e kërkimeve shkencore.  Ndeshim gjithashtu edhe një difekt tjetër: kufizohemi në angazhimin e sektorit publik dhe të institucioneve. Sektori privat dhe vetë anëtarët e diasporës ende nuk janë tërhequr sa duhet në këtë skenar. Sinergjia publik-privat-diasporë është përgjigja më e mirë për të shndërruar remitancat në një burim zhvillimi.

Në mekanizmin e dërgesave, sektori privat është ofruesi i shërbimeve, sektori publik është rregullatori, dhe anëtarët e diasporës dhe familjet e tyre janë përdoruesit fundorë. Sinergjia e mësipërme do të mobilizojë emigrantët (dërguesit) dhe familjet e tyre (pritësit) për të kursyer e kanalizuar dërgesat në investime në zonat rurale. Këtë proces duhet të “lexojnë” dhe inkurajojnë politikëbërësit. Modelet e suksesshme nuk mungojnë. Rajoni aziatiko-paqësor është larg si distancë fizike, por mjaft pranë si përvojë.

Një nismë informuese për përdorimin efikas të dërgesave në zonat rurale, me fluks të lartë të marrjes së remitancave, mund të rezultojë e suksesshme. Secili aktor duhet të bëjë të vetën. Sektori publik mund t’i ofrojë diasporës informacion mbi financimin e agro-bizneseve të vogla, të qëndrueshme. Emigrantët rrisin kursimet dhe akumulojnë burime financimi. Rritja e besimit ndikon që dërgesat të përdorin kanalet e sigurta formale dhe me kosto më të ulët. Pjestarët e familjeve, veçanërisht gratë, hyjnë në tregun e punës, duke u punësuar në këto sipërmarrje.

Ndërkohë, sektori privat ushtron trysni për përshtatjen e politikave dhe inkurajimin e platformave të transferimit, për të nxitur dërgesat e emigrantëve drejt investimeve.

“Shërimi i migrenës”: Ulja e kostove të transferimit

Kostot e larta janë ende një “migrenë” për emigrantët. Prandaj ulja e kostove të transferimit është hapi i parë drejt administrimit të mirë të dërgesave. Me gjithë përparimet teknologjike, kostoja e transferimit të dërgesave në Shqipëri, në shumë raste mbetet rreth katër herë më e lartë se mesatarja globale: deri në 25 përqind krahasuar me 6.9 përqind. Por që kostot të zvogëlohen, duhet të nxitet konkurrenca, nëpërmjet shtimit të operatorëve në treg. Institucionet shtetërore mund të japin shembullin të parat: të mos aplikojnë partneritete ekskluzive me kompani të mëdha transfertash, por të hapen për bashkëpunime të tjera.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura