Relacioni i Kryetarit të Degës së Brendshme të Durrësit: Ju propozojmë arrestimin e të internuarit Xhavit Qesja, pasi në letrën dërguar udhëheqësit kryesor të Partisë

Jan 17, 2022 | 7:22
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi/ Publikohet një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese.

 xhavitqesja

Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit.

Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë  si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti.

Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Relacioni sekret i hartuar nga Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit, Refik Nanaj dhe i miratuar nga Kryetari i Hetuesisë së atij rrethi, Kiço Peja, me propozimin për arrestimin e Xhavit Qeses, që ishte i internuar në Shijak

Sekret

                                                                                                                     Ekzemplar nr._____

                                                                                                                     Durrës më 3.10.1987

                                                             R E L A C I O N

MBI VEPRIMTARINË ARMIQËSORE TË XHAVIT HAJDAR QESES.

Xhavit Qesja, është i biri e Hajdarit dhe i Sabrijes, lindur në Krujë më 1922 dhe me banim me masë internimi në Shijak të rrethit të Durrësit, rrjedh nga një shtresë e pasur qytetare, me arsim të lartë, i ç’kurorëzuar, i dënuar për veprimtari armiqësore për veprimtari antiparti, me kombësi dhe shtetësi shqiptare.

Gjatë regjimit antipopullor të Zogut, i ati, Hajdari, së bashku me vëllezërit e tij janë marrë me tregtinë e manifakturë.

Gjatë periudhës së okupacionit dhe Luftës Nacionalçlirimtare, qëndrimi i Xhavitit dhe i familjes së tij ka qenë i mirë, ka ndihmuar materialisht Luftën dhe vetë ka marrë pjesë në ushtrinë Nacionalçlirimtare duke patur edhe funksione në njësitë partizane, është pranuar në radhët e Partisë në 1942.

Mbas çlirimit të vendit ka qenë ngarkuar me detyra të ndryshme, si në radhët e ushtrisë, në aparatin e K.Q. të P.P.SH, si dhe ka qenë për studime në Bashkimin Sovjetik.

Për pikëpamjet dhe veprimtarinë armiqësore si antiparti, në vitin 1956 Xhaviti dënohet si i tillë, shkarkohet nga funksioni dhe emërohet me detyrën e zëvendës kryetarit të komitetit ekzekutiv të rrethit të Elbasanit. Në vitin 1958 për rrezikshmëri shoqërore lidhur me pikëpamjet dhe veprimtarinë armiqësore që e thelloi kundër Partisë e pushtetit popullor, internohet në fshatin Zvërnec të Vlorës.

Në vitin 1967 Xhavit Qesja arrestohet dhe dënohet me 10 vjet heqje lirie për agjitacion dhe propagandë si element antiparti.

Në vitin 1970 ri dënohet në kushtet e vuajtjes së dënimit me 10 vjet të tjera privim lirie, përfundimisht me bashkimin e dënimit të mbetur i bëhen 17 vjet heqje lirie, lirohet më 20.1.1987 me plotësimin e masës së dënimit dhe me vendim të Komisionit të Internim Dëbimeve, internohet për 5 vjet kohë në qytetin e Shijakut.

Gjatë kohës së vuajtjes së dënimit Xhavit Qesja ka mbajtur një qëndrim tepër armiqësor ndaj vijës politike të Partisë, rendit socialist, ka marrë në mbrojtje të gjithë elementët e goditur nga Partia dhe diktatura e proletariatit e deri tek komplotistë.

Midis shprehjeve më cinike të Xhavit Qeses janë “…Urrej shumë jo vetëm Partinë dhe sistemin socialist, por gjithë sistemin socialist e komunist të aplikuar deri tani në vendet e botës, unë dëshiroj një sistem socialist, të njëllojtë me vendet perëndimore; si në Amerikë, Angli, Francë, Itali, ku në ekonomi të lozi rol kryesor fitimi personal, ne flasim për kushtetutën tonë si më e mira në botë, por në Angli nuk ekziston fare kushtetuta, e atje ekzistojnë të gjitha bindjet politike.

Unë e njoh Beqir Ballukun, është i thjeshtë e babaxhan e nuk është njeri i komploteve, fakti që këta u detyruan të arrestojnë të gjithë udhëheqjen ushtarake tregon se Udhëheqja e Partisë ndodhet në vështirësi dhe në krizë të thellë si ekonomike edhe politike, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit; ushtarakët jo vetëm që nuk e kanë komplotuar këtë, por kanë qenë deri në fund besnikë të Udhëheqësit të Partisë dhe të popullit; të ardhmen e shikoj në përparimin e vendit, në universitetin, në akademinë, në shkencën e teknikën e përvetësimi i dijeve shkencore nga rinia, kjo është ëndrra ime, këtu i kam shpresat, vetëm kjo atëhere do të bëjë revolucion, se do të shikojë e gjykojë me objektivitet gjithë ngjarjet historike…”.

Edhe mbas lirimit nga burgu, gjatë kohës së vuajtjes së masës së internimit, armiku Xhavit Qesja ka bërë shumë kërkesa dhe ankesa nëpërmjet të cilave si shprehet në mënyrë armiqësore, duke i quajtur masat e marra ndaj tij tërësisht të padrejta.

Kështu armiku Xhavit Qesja vazhdon të dërgojë letra në adresë të Udhëheqësit të Partisë. Letra e tij, siç është ajo që ka datën 10.9.1987, nga fillimi deri në fund ka një frymë tepër armiqësore, ku shprehet me fjalë fyese tepër të ulta, deri në banale, ndaj Udhëheqësit të Partisë, Kryetarit të Këshillit të Ministrave dhe veçanërisht kundër Ministrisë të Punëve të Brendshme.

Për rrezikshmërinë që paraqet armiku Xhavit Qesja, propozojmë që të arrestohet, veprimtaria e të cilit provohet nga letrat që ka drejtuar udhëheqjes së Partisë dhe Shtetit, e sidomos ajo e datës 10.90.1987 dhe vërtetohet me akt ekspertimit se janë shkruar nga vetë Xhavit Qesja.

I këtij mendimi është edhe organi i Hetuesisë së rrethit.

         KRYETARI I DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME

                                 REFIK NANAJ

                                                                                                                      DAKORT

                                                                                                KRYETARI I HETUESISË SË RRETHIT

                                                                                                                   KIÇO PEJA

Dokumente sekret i hartuar nga kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit, Selim Lazaj, me planin e masave për ndjekjen e survejimin e të internuarit Xhavit Qesja

  MIRATOHET                                                                                                                SEKRET

                                                                                                                             Ekzemplar i vetëm

                                                                                                                             Rrëshen më 3.6.1988

KRYETARI I DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME

    SELIM LAZAJ

                                                             PLAN – MASASH

MBI PËRPUNIMIN E OBJEKTIT XHAVIT HAJDAR QESJA PËR KRIMIN E AGJITACIONIT DHE PROPAGANDËS ARMIQËSORE DHE ELEMENTIT ANTI-PARTI

Xhavit Qesja lindur në Krujë dhe banues në Shijak të rrethit Durrës, i dënuar 3 herë për veprimtari armiqësore. Aktualisht i dënuar me 8 vjet heqje lirie për agjitacion dhe propagandë, dënim të cilin e kryen në repartin e riedukimit 303 Spaç, Mirditë.

Në datën 5.5.1988 është vendosur që përpunimi i tij të vazhdojë dhe në kushtet e vuajtjes së dënimit për krimin e agjitacionit dhe propagandës armiqësore. Për këtë nga ana jonë do të merren këto masa e do të kryhen këto detyra:

  1. Meqenëse Xhaviti ka qenë dhe dy herë të tjera në burg, do verifikohet nëse ka qenë në Spaç, ose nëse ka ndonjë person që njihet dhe bisedon me të  nga radhët e të dënuarve për krime kundër shtetit.

Kryen P.Op. Preng Prendi

Qershor-Korrik 1988

Kontrollon Kryetari i Degës, Selim Lazaj.

  1. Xhaviti është i sëmurë dhe pjesën më të madhe të kohës e kalon i shtruar në infermieri të repartit ose rri në regjim shtrati në kapanon. Për këtë do të studiohet ndonjë person nga të dënuarit që mund ti qëndrojë afër duke i “shërbyer” dhe t’i jepet detyrë për të sqaruar pozitën e tij.

 E kryen P.Op. Preng Prendi sa më shpejt

Kontrollon Kryetari i Degës, Selim Lazaj

3.  Do i kërkohet Degës së Punëve të Brendshme Durrës, që të vijnë e koordinojnë detyrat e përbashkëta.                    Detyrë kjo e parashikuar në vendimin e vazhdimit të përpunimit në kushtet e vuajtjes së dënimit.

 E kryen P.Op. Preng Prendi në 10.7.1988

 Kontrollon Kryetari i Degës, Selim Lazaj

  1. Do i bëhet rregullisht kontrolli postar i letrave që dërgon dhe atyre që i vijnë, sesi i shfrytëzon për interesat e tij armiqësore

  E kryen P.Op. Preng Prendi në vazhdim

  Kontrollon Kryetari i Degës Selim Lazaj

                                                                                                     Punëtori Operativ

                                                                                                         Preng Prendi

Dokumenti sekret i hartuar nga kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durresit, Selim Jazaj, dërguar Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Mirditës, për koordinimin e detyrave lidhur me Xhavit Qesen, i cili ishte dërguar për vuajtjen e dënimit në kampin e Spaçit

 REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË                                             SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                                           Ekzemplar Nr. 21

DEGA E PUNËVE TË BRENDSHME

“Ana e Sigurimit”                                                                                            Rrëshen më 5.7.1988

 Nr.606/1

Lënda: Për objektin e përpunimit Xhavit Qesja

 

DEGËS PUNËVE TË BRENDSHME

“Anës Sigurimit”

    DURRËS

Kohët e fundit ka ardhur për të vuajtur dënimin në Repartin e Riedukimit 303 Spaç-Mirditë, Xhavit Qesja, i cili ka qenë me masë internimi në qytetin e Shijakut të rrethit Durrës dhe në Tetor të vitit 1987, arrestohet e dënohet me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë armiqësore.

Në vendimin e datës 5.5.1988 për vazhdimin e përpunimit në kushtet e vuajtjes së dënimit thuhet që do hartojë plan i përbashkët me degët përkatëse.

Lutemi në se do vini për të ngritur detyra të përbashkëta na dërgoni sa më shpejt personin e autorizuar nga ana juaj.

Sa sipër presim

                    KRYETARI I DEGËS PUNËVE TË BRENDSHME

                                 SELIM LAZAJ

Relacioni sekret i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Mirditës, i hartuar nga Punëtori Operativ, Preng Prendi, me përgjigjen ndaj Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit, lidhur me të dënuarin Xhavit Qesja, që vuante dënimin në kampin e Spaçit

                                                                                                                                     Sekret

                                                                                                                             Ekzemplarë i vetëm

                                                                                                                          Rrëshen, më 28.12.1988

                                                                         R E L A C I O N

Për transferimin e dosjes së objektit aktiv 2/A Xhavit Hajdar Qesja.

Xhavit Qesja, i ditëlindjes 1920, lindur në Krujë dhe banues në Durrës, i dënuar për aktivitet armiqësor në vitin 1987 me 10 vjet heqje lirie, ka ardhur për të vuajtur dënimin në Repartin e Riedukimit 303 Spaç, Mirditë në muajin Qershor të vitit 1988.

Është vendosur që përpunimi i tij të vazhdojë edhe në kushtet e vuajtjes së dënimit, gjë për të cilën nga ana jonë u ngritën detyra dhe u morën masa kontrolli si me agjenturë ashtu edhe rrugë legale.

Ky objekt ka qëndruar në këtë repart nga koha e ardhjes (Qershor) 1988 deri në Gusht 1988, pra dy muaj, pastaj është marrë nga ana e ministrisë për përkthime në Tiranë, ku ka qëndruar deri në fund të muajit Nëntor 1988.

Pra siç shihet, ky objekt nuk ka qëndruar në këtë repart veçse dy muaj, kështu që nga ana jonë nuk është bërë e mundur të sigurohet asnjë provë apo e dhënë agjenturore.

Kohët e fundit ky objekt u lirua me Dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor, duke ju falur pjesa e dënimit të mbetur dhe ka ardhur në vend banimin e tij Durrës.

Me qenë se nuk dihej se sa kohë do qëndronte në Tiranë, dosja nuk ju dërgua atyre, pasi na u tha se do kthehet shpejt.

                      PUNËTORI OPERATIV

                         Preng Prendi

 

                           MIRATOHET                                                                         Sekret

                                                                                                               Ekzemplar i vetëm

                                                                                                                      Durrës 1991

KRYETARI I DEGËS SË BRENDSHME DURRËS

ADRIATIK MUKAJ

                                                         VENDIM

PËR HEQJEN NGA PËRPUNIMI 2/A TË XHAVIT QESES DHE VEÇIMIN E DOSJES SË TIJ NR 1820 PËR ARKIVIM

Unë p.op. Rexhep Kapllani efektiv i DPB Durrës pasi studiova dokumentin e dosjes së përpunimit 2/A të Xhavit Qeses

GJETA:

Xhavit Qesja, i biri i Hajdarit dhe i Sabrijes, i datëlindjes 1920, lindur në Krujë, dhe banues në Durrës, lagjen nr 11, me arsim të lartë, ish nëpunës, i dënuar dy herë si element antiparti, në pension, me kombësi e shtetësi shqiptare. Rrjedh nga një familje me të kaluar patriotike. Për pikëpamjet antiparti, është thirrur e këshilluar disa herë nga udhëheqja partiake. Në vitin 1957 merret në përpunim 2/A si element antiparti dhe në 1958 internohet në Zvërnec të Vlorës. Në 1967 arrestohet dhe dënohet me 10 vjet burg, për agjitacion dhe propagandë. Dhe gjatë vuajtjes së dënimit ka kritikuar regjimin komunist dhe për këtë u ri dënua me 10 vjet burg dhe 5 vjet internim. Në Janar 1987, lirohet nga burgu dhe pas 10 muajsh brenda këtij viti, arrestohet dhe dënohet me 10 vjet burg. Më pas lirohet me vendim të posaçme dhe aktualisht është i lirë. Meqenëse pikëpamjet e tij aktualisht nuk përbëjnë figurë krimi.

VENDOSA

Që Xhavit Qesen, ta heq nga përpunimi 2/A si element antiparti dhe të ndërpresim ndjekjen e tij./Memorie.al

SHEFI I SEKSIONIT TË QYTETIT                                                    PUNTORI OPERATIV

PËLLUMB DEDJA                                                                                REXHEP KAPLLANI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura