Rekuiem për Arben Bajon

Aug 11, 2020 | 10:20
SHPËRNDAJE

GËZIM BASHA gezim-basha-ok

Kur miku ynë i përbashkët, skulptori Artan Marku, më shkroi “Beni na la…”, bota këtë gusht u bë më e ngushtë.

Jemi rritur bashkë në Shtëpinë e Pionierit të Gjirokastrës dhe në studion magjepsëse të profesorit tonë të shtrenjtë, Stefan Papamihali, i cili besoj se ka dalë ta presë Benin në ahiret e parajsës.

Katër vjet shokë banke dhe dhome në Liceun Artistik “Jakov Xoxa” të Fierit, ku Arbeni ndriti mbi këdo me talentin dhe energjinë për punë.

Zia për Arben Bajon është e pashmangshme, por po aq i pashmangshëm është celebrimi i jetës së tij si një nga artistët më të mëdhenj të artit figurativ shqiptar.

Arbeni i ra pash më pash ferrit shqiptar, duke na mundësuar atë që duket krejt e pamundur, plastikën e imazheve. Ashtu si Bodleri, Arben Bajo, ky poet i madh i formës, pa me syrin e mprehtë të artistit “Lulet e së keqes”, harmoninë disharmonike të deformimeve njerëzore, viktimat e mjerimit, ato stalagmite dhimbjesh që zgjaten në formë skeletesh e prehen mbi poltrone.

I injoroi me finesë estetike skemat e klasicizmit anakronik të skulpturës (sonë) tradicionale, u bë skulptori më i ndjeshëm shqiptar prej kohës kur Odise Paskali modeloi ‘Lypësin’ e tij.

Statujat e Arben Bajos nuk ngrijnë në poza statike, ato kanë një dinamikë pauzash spontane ku ndihet fuqishëm lëvizja: Tina Turner duke kënduar, Vaçe Zela me kitarë në dorë… heronjtë e tij marrin volum duke mbetur të brishtë e meditativë: At Zef Pllumi apo Hil Mosi.

Krahasojini krijimet e Ben Bajos me mjerimin skematik të heronjve muskulozë si ngritës peshash, të mbështjellë me kapota sovjetike, dhe në atë kontrast do të gjeni postmodernistin e parë të madh shqiptar në artin e modelimit të volumeve.

I përdori me elegancë, si askush tjetër, edhe elementet e karikaturës, gjëja më e vështirë në skulpturë. “Duke parë nga afër Balzakun e Rodenit, m’u kujtove ti”, i thashë në një nga bisedat tona të fundit, ku e lamë të takoheshim së shpejti në atelienë e tij. Dje nuk iku një artist premtues siç lexova në një eulogji, por një premtim i përmbushur!

Lamtumirë, vëlla!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura