Rektori i Vlorës goditet me grusht para vizitës së Nishanit. Autori: Vetëm e shtyva, gruaja ime pedagoge e ka denoncuar për falsifikim

Jul 7, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

Goditet me grusht rektori i Universitetit të Vlorës, Albert Qarri. Ngjarja ka ndodhur gjatë një aktiviteti që zhvillohej paraditen e sotme në sallën e teatrit “Petro Marko”, pak para se të mbërrinte edhe kreu i shtetit, Bujar Nishani.  

Rektori Qarri

Sipas të dhënave të para, shtetasi i identifikuar si Kujtim Cakrani është ‘neutralizuar’ nga oficerët e Gardës, ndërkohë që vetë Rektori ka thënë se ai ka pasur në vazhdimësi presione dhe kërcënime nga ky person.

“Në momentin që ne ishim duke pritur Presidentin e Republikës, më fyen pas shpinës, Në kohën që unë kthej kokën, përballem me një goditje të befasishme, në prani edhe të oficerëve të gardës”- tha rektori në linjë telefonike për “News 24”.  

Sipas rektorit, ky person ka qenë me precedent penale. “Në vazhdimësi më ka bërë presion mua dhe familjes, ka shkruar dhe shpifur ndaj personit tim, sot vjen pas shpine, më fyen dhe shan dhe më godet në fytyrë”. 

Qarri ka thënë se i njëjti person, i ndjekur me herët në gjendje të lirë ka goditur para një viti edhe një pedagog, po të stafit të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës. 

Por vetë autori, bashkëshortja e të cilit është pedagoge në këtë universitet, mohon të ketë ushtruar dhunë ndaj Rektorit. “Nuk e godita Albert Qarrin, por e shtyva. Bashkëshortja ime e ka denoncuar Qarrin në prokurorinë Vlorës për falsifikim dokumentash zyrtarë”- ka thënë ai në një prononcim për “Ora News”. 

Në një listë me kritika për vendimet e gjykatave, që ministri Tahiri i drejtoi kohë më pare presidentit Nishani ka qene edhe rasti i ketij shtetasi, qe sot sulmoi rektorin. 

“Policia e Shtetit më 14/03/2014 ka arrestuar Kujtim Cakrani, pasi në lagjen ”29 Nëntori ” në Vlorë ka goditur me grushte për shkak të detyrës shtetasin Pëllumb Cacaj, me detyrë Kryetar i Këshillit të Etikës pranë Universitetit “I. Qemali”. Prokuroria e Vlorës, me prokuror z. Skënder Dautaj ka kërkuar “Arrest në shtëpi”. Gjykata e Vlorës me gjyqtar znj. Mirela Mishgjoni ka vendosur “Detyrim për paraqitje ”- thuhej ne shkresen që Tahiri i dërgonte Nishanit

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura