INTERVISTA/ Rektori i UMT: S’ka kthim, studentët ishin njohur me tarifat

Mar 3, 2015 | 16:48
SHPËRNDAJE

“Studentët janë njohur me tarifat e shkollimit që në fillim të vitit universitar, nuk ka vend për protestë”. Ka qenë ky reagimi i parë i rektorit të Universitetit të Mjekësisë, Ali Refatllari, gati një javë pasi ata nisën protestën.

Ali Refatllari

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, rektori shpjegon se pesha më e madhe rëndon mbi pedagogët, ndërsa detyra e vetme e studentëve të transferuar, sipas tij, është të studiojnë sa më shumë në mënyrë që të arrijnë në të njëjtin nivel me shokët e tyre që ndodhen në atë universitet me meritë.

Studentët kanë ditë që protestojnë. Keni një qëndrim?

Vendimi për t’i pranuar studentët e universiteteve të mbyllura në atë shtetëror është marrë që në nisje të vitit shkollor, me mbylljen e universiteteve private. Më 19 shtator del një udhëzim i MAS në lidhje me nisjen e procedurave për pranim dhe më pas ai i regjistrimit, ku përcaktoheshin edhe tarifat e shkollimit. Por, këtu disa reflektuan. Jo të gjithë ata që kishin aplikuar u regjistruan. Ndryshe nga ç’ pretendojnë studentët se nuk ka asnjë kontratë me MAS, në universitetet ku janë regjistruar ka një formular të firmosur nga vetë ata. Kundrejt dokumenteve të tjera, në formular kërkohej dhe një pagesë, që është 30% e shumës në total që duhej të paguante studenti. Pra, studentët ishin jo vetëm të njohur me tarifën, por edhe kanë paguar këstin e parë.

Tarifa që duhet të paguajnë nuk i diskriminon?

Të diskriminuar janë studentët e tjerë, ata që kanë hyrë me meritë në Fakultetin e Mjekësisë. Sepse në Fakultetin tonë kanë hyrë nga 5000-6600 pikë. Ndërkohë, këta studentë kanë nga 3-5 mijë. Nga ana tjetër, shtimi i menjëhershëm i 600 studentëve, 30% e numrit total, paraqiti disa sfida përpara, si sigurimi i ambienteve, burimet njerëzore. E gjithë kjo ka kosto morale, por edhe financiare.

Mendoni që tarifat e vjela nga këta studentë justifikojnë kostot e studimeve?

Kjo shifër është shumë më e ulët nga kostoja reale e çdo studenti. Ata zhvillojnë mësimin deri në orët e vona. Gjithsesi, kjo është një barrë shumë më e madhe për pedagogët, se sa për ta. Studenti ka një tjetër detyrë: të studiojë. Këtyre iu dha një mundësi e artë që të vazhdojnë studimet. Ata kanë qenë e janë të lirë për të zgjedhur, nuk i mbajmë me zor. Te ne ka kushte të tjera në krahasim me privatin që u mbyll dje. Aty ishin të sigurt që paguanin lekët dhe merrnin diplomën, kurse te ne nuk ndodh kjo. Paguan paratë dhe nuk marrin dot provimet. Unë nuk dua t’i paragjykoj, por me 3 mijë pikë që mund të kenë marrë nga matura shtetërore nuk mendoj se janë studentë të nivelit të lartë. Kjo do një punë shtesë nga pedagogët për të arritur nivelin e shokëve të tyre që ndodhen aty me meritë.

Ju si përfaqësues i rektoratit keni shkuar atje për t’i pyetur, këshilluar apo ndihmuar për gjetjen e një zgjidhjeje?

Përfaqësues të rektoratit kanë shkuar disa herë për të biseduar me studentët, duke i dëgjuar dhe shpjeguar me qetësi se rregullat e lojës tashmë janë vendosur. Nuk mund të ketë ndryshim të tyre në mes të lojës.

Do të thotë që nuk do të ketë kthim mbrapsht?

Nuk mendoj se do të ketë kthim në këtë aspekt. Në qoftë se do të protestohej, do të duhet ta bënin ata studentë që e meritojnë atë fakultet, në raport me të tjerët që kanë ardhur nga universitetet e mbyllura.

Studentët kanë kërcënuar se do të futen në një tjetër grevë?

Nuk kam dijeni për këtë, por ne do të mblidhemi sërish për të diskutuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura