“Rekordi ditor i të infektuarve pas rritjes së testimeve”, Zëri i Amerikës: Dyfishim i viktimave që pas heqjes së kufizimeve

Jul 13, 2020 | 12:13
SHPËRNDAJE

tiraneNë Shqipëri rastet e reja me COVID 19 shënuan sot një tjetër rekord me 117 të infektuar, pasi autoritetet rritën ndjeshëm numrin e testimeve, duke i çuar ato në 585 të tilla brenda 24 orëve. Bie në sy një shtrirje gjithnjë e më e madhe gjeografike e epidemisë. Vetëm rastet e fundit u zbuluan në 22 qytete të vendit. Aktualisht janë 1462 raste aktive. Tirana mbetet zona me 43 përqind të personave ende pozitivë, e ndjekur nga Durrësi e Shkodra me mbi 200 raste, Vlora 108, ndërsa qarqet e tjera poshtë 100 të prekurve aktivë.

Aktualisht kemi transmetim komunitar të përhapjes së virusit në disa bashki të vendit”, deklaroi Eugena Tomini e Institutit të Shëndetit publik. Zonja Tomini theksoi se “java që lamë pas ka treguar një trend të rritur të rasteve të konfirmuara pozitive, rritje të shtrimeve në spital, pacientëve që kanë pasur nevojë për trajtim në terapi intensive por edhe pacientë të intubuar. Fatkeqësisht kemi pasur edhe rritje të qytetarëve që kanë humbur jetën”.

Vetëm 24 orët e fundit u njoftua për dy viktima të tjera, një 70-vjeçare nga Tirana dhe një pacient 66-vjeçar nga Shkodra, me sëmundje bashkëshoqëruse. Në total numri i vdekjeve ka shkuar në 95 persona. Që pas heqjes së masave shtrënguese, numri i viktimave thuajse është dyfishuar.

Edhe gjendja në spitalin Infektiv vijon të rëndohet dita-ditës. Në 24 orët e fundit ka patur shtim të personave të shtruar, ku deri pak para mesitës ishin 85 pacientë në spital, nga të cilët 10 në terapi intensive dhe 4 prej tyre janë të intubuar, në gjendje të rëndë.

“Është një situatë serioze epidemiologjike e Covid 19 në të gjitha elementët e vlerësimit të saj. Kjo situatë kërkon reflektim nga ana e qytetarëve për të mos e ulur vigjilencën, duke respektuar masat e vendosura, dhe bizneset duke zbatuar protokollet e sigurisë”, deklaroi  Tomini. VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura