Rekomandimi i KE, ngelës, por kalues

Apr 18, 2018 | 10:18
SHPËRNDAJE

lavdrim-litaLAVDRIM LITA

Më shumë kritika sesa përgëzime përmban raporti i progresit të këtij viti për vendet e Ballkanit Perëndimor. Raporti i progresit është instrumenti, përmes të cilit Komisioni Europian vlerëson gjendjen aktuale të punëve të rajonit dhe Turqisë, në përgatitjet për t’u integruar në Bashkimin Europian. Për Shqipërinë, Komisioni Europian vlerësoi ecurinë mbi Reformën në Drejtësi dhe rekomandoi hapjen e negociatave për anëtarësim, pa kushte.

Është në dorë të qeverisë së Tiranës, të bindin disa vende skeptike të BE-së, siç janë Gjermania, Holanda, Franca, Greqia dhe Qipro, për dobinë e çeljes së negociatave në mbledhjen e Këshillit Europian në qershor. Qartësisht, Gjermania dhe Franca nuk janë të bindura sa duhet për t’i dhënë dritën jeshile Shqipërisë për të hapur negociatat dhe kjo dëshmohet nga fakti që deri dje në mëngjes, raporti i paraqitur nga Juncker dhe Mogherini nuk ishte përfundimtar.

Kryeministri i vendit, Edi Rama, i pakapur në befasi nga gjetjet e raportit të KEsë, deklaroi se “unë nuk e lexoj rekomandimin e shumëpritur për çeljen e negociatave si fitoren e një pale politike ndaj palëve të tjera politike… Respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata përpara nesh, për të ndërtuar një pjesë të së vetmes rrugë; rrugës së anëtarësimit në BE”. Në raport, Komisioni Europian shkruan se rivlerësimi i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i vetingut) ka filluar dhe po jep rezultate të para të prekshme. Në raport kërkohet përmirësimi i mëtejshëm i administratës publike dhe i kontrollit mbi shpenzimin e fondeve buxhetore nga ana e autoriteteve lokale.

Fjalët kyçe në raport tregojnë edhe dendësinë e problemeve që ka vendi. Korrupsioni mbetet dominues në shumë fusha dhe vijon të jetë një problem serioz. Fjala korrupsion përmendet 63 herë, reforma në tërësi përmendet 89 herë, Reforma në Drejtësi dhe drejtësia 74 herë, posaçërisht procesi i vetingut 31 herë, në raportin për Shqipërinë. Për mediat, raporti ka disa gjëra interesante si, “drejtimi editorial i mediave private vazhdon të ndikohet fuqimisht nga interesat politike dhe të biznesit.

Financimi i medias mbetet çelësi për përmirësimin e lirisë së medias, sidomos duke pasur parasysh sfida të reja të tilla si ‘lajmi i rremë’ dhe influenca e palës së tretë”. Raport-progresi i këtij viti kishte si element cilësor gjuhën më politike, më të dobishme, më të kuptueshme dhe me elemente krahasuese. Procesi i zgjerimit do të vijojë, si nga ana e BE-së, ashtu dhe nga ana e vendeve kandidate apo potenciale për të përmbushur kriteret dhe detyrat e lëna për në shtëpi. Rreziku më i madh i këtij procesi është mungesa e legjitimitetit në sy të qytetarëve europianë.

Në shumë opinione publike europiane, procesi i zgjerimit është kthyer në një argument toksik, sidomos pas referendumit të daljes së Britanisë nga BE. Po ashtu, taktika e ecjes së procesit të zgjerimit “fshehurazi” nuk mund të funksionojë për një kohë të gjatë. Është e kuptueshme që nevojitet një legjitimitet i ri me institucione e procedura të reja të BE, ashtu siç deklaroi dje Presidenti francez Macron.

Bashkimi Europian përballet sot me shumë probleme dhe nuk ka asnjë arsye madhore të shtojë problemet brenda saj, duke bërë një vendim të paarsyeshëm për anëtarësimin para kohe të Shqipërisë dhe vendeve të tjera kandidate. Në këtë kontekst, Shqipëria duhet të bëhet e dobishme për veten e saj dhe së dyti, të jetë e dobishme për Bashkimin Europian.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura