Reja projekton sulm të ri, Kamberi titullar krah Manajt. Ja si pritet të rreshtohet Kombëtarja ndaj Andorrës

Nov 13, 2019 | 22:02
SHPËRNDAJE

Një kundërshtar si Andorra të jep luksin për të bërë eksperimente ose e thënë ndryshe lëvizje të shumta në formacion. Kështu pritet të ndodhë edhe me Shqipërinë, pavarësisht se Edi Reja nuk kërkon që të preket baza e skuadrës. Me pesë mungesa të detyruara si pasojë e dëmtimeve, italiani i pankinës kuqezi ka projektuar ndryshime të mëdha për ndeshjen që do të luhet nesër në orën 20:45 në stadiumin “Elbasan Arena”. 

kombetarja shqiperia

Në pritje të konfirmimit të FIFA-s për aktivizimin e sulmuesit Florian Kamberi, Reja ka provuar titullar kosovarin, i cili është hera e parë që grumbullohet me Kombëtaren shqiptare. Vetëm pak ditë më parë ai u pajis edhe me pasaportë shqiptare, duke i hapur kështu rrugën aktivizimit me fanellën kuqezi.

Dy sulmuesit kryesorë të Shqipërisë: Sokol Cikalleshi dhe Armando Sadiku nuk do të jenë për dy ndeshjet e fundit eliminatore si pasojë e dëmtimeve. Kësisoj, trajneri mendon se në dyshen e sulmit më i avantazhuari për të luajtur në krah të Manajt është Kamberi. Megjithatë, në rast se FIFA vonon konfirmimin e lejes për kosovarin, atëherë me siguri do luajë shkodrani Bekim BalaJ.

STËRVITJA – Kuqezinjtë zhvilluan vetëm një seancë gjatë paradites së djeshme në Durrës. Shqetësimi i stafit për një dëmtim të Balajt mori një përgjigje pozitive pas rezonancës që bëri sulmuesi të hënën. Shtatlarti shkodran nuk ka ndonjë problem serioz në kofshë, kështu që do të jetë në dispozicion të Rejas. Nga ana tjetër, Memushaj ka zhvilluar një përgatitje të diferencuar nga grupi, por që nuk rrezikon të mungojë në dy ndeshjet e fundit.

varianti 1

Mesfushori vlonjat ka marrë një goditje në brinjë gjatë ndeshjes së fundit në Serinë B, ndërkohë që po kalon edhe një gjendje gripale. Në ato që u panë në stërvitje, trajneri la të kuptohet se përveç Memushajt, pritet të lihet pushim ndaj Andorrës edhe mbrojtësi Elseid Hysaj, i cili vetëm javën e kaluar luajti 90 minuta për Napolin. Dje nuk u stërvit as Lenjani, që gjithashtu ka një problem fizik, por jo shqetësues.

fORMACIONI 2

Sot lojtari i krahut të majtë do të rikthehet me grupin. Me skemën 3-5-2, mbrojtja pritet të përbëhet nga Ismajli, Gjimshiti dhe Veseli. Ndërsa në mesfushën me 5 nga krahët do të luajnë Roshi dhe Memolla. Skuadra plotësohet me dyshen Manaj-Kamberi. Në seancën e djeshme, skuadra rezervë përbëhej nga Mihaj, Dermaku, Trashi, Hysaj, Selahi, Qose, Memushaj, Seferi, Balaj dhe Uzuni. Në portë ndaj Andorrës titullar pritet të jetë Etrit Berisha.

LEONIDHA MUSAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura