Regjistruan ndërtime brenda zonës liqenore të Belshit, KLSH padit ish-shefen e hipotekës së Elbasanit dhe 3 specialistë

Feb 27, 2015 | 11:52
SHPËRNDAJE

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në prokurori ish-regjistruesen dhe 3 specialistë të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Elbasan.

Foto ilustruese

KLSH thotë se pas auditimit për periudhën e veprimtarisë nga Janar 2012 deri më Shtator 2014 të kryer në ZVRPP Elbasan, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, mbi bazën e të cilave KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, për Ish-Regjistruesen R. P. dhe 3 Specialistë të këtij institucioni, J. V. me detyrë Jurist, Z. I. me detyrë Hartograf dhe A. K. me detyrë Juriste, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Sipas njoftimit për shtyp të KLSH këta shtetas kanë kryer:

“Shkelje, të meta e mangësi, në zbatimin e procedurave ligjore lidhur me zbatimin e tyre në pranimin, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, duke sjellë për pasojë aplikimin dhe regjistrimin e pasurive të përfituara me Leje Legalizimi, brenda zonës liqenore të Belshit, ku ndalohet zhvillimi i ndërtimit dhe nuk lejohet legalizimi i objekteve dhe blerja e truallit; leje legalizimi për ndërtime të ngritura mbi prona/objekte shtetërore, kanë regjistruar tokë bujqësore ku titulli i pronësisë (AMTP) është në kundërshtim; kanë pozicionuar pasuri jo sipas aktit të fitimit të tij por sipas kërkesës, regjistruar AMTP me tepër se norma për frymë, por dhe shkelje të tjera, veprime në kundërshtim me ligjin nr. 7843, datë 13.7.1994, shfuqizuar me ligjin nr. 33/2012, datë 21.3.2012, “Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme”, ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Ndërtimeve pa Leje”, ligjin nr. 8093, datë 21.3.1996 “Për rezervat ujore” dhe VKM nr. 438, datë 28.6.2006, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm, për të kualifikuar objektet në ndërtim”, ligjin nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, UKM nr. 2, datë 08.04.2009 dhe UKM nr. 3, datë 13.06.2013, “Për mënyrën e Procedimit të Organeve të Administratës Publike për Pasuritë e Paluajtshme të Fituara me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP)” etj”.

KLSH gjithashtu ka kërkuar largimin nga detyra për këta persona.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura