Regjistroi fqinjën fshehtas në dush: ‘500 euro, ose e publikova’

Aug 28, 2015 | 7:42
SHPËRNDAJE

Kanos një shtetase se do t’i publikonte videon intime, duke i kërkuar 500 euro. Policia ka arrestuar autorin 22 vjeç. Ngjarja në fjalë, e cila kohët e fundit është kthyer në “fenomen” në shumë qytete të vendit, ka ndodhur këtë herë në qytetin e Elbasanit.

drejtoria-policise-elbasan1
I riu 22-vjeçar, Mario Bici, është arrestuar nga specialistët për Krimet e Rënda, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan, pasi akuzohet për veprën penale “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Rasti në fjalë është bërë i ditur nga një kallëzim i bërë në polici nga e kanosura me iniciale M.B, 48 vjeçe, e cila ka deklaruar se prej më shumë se një jave ishte kanosur nëpërmjet telefonit nga 22-vjeçari, i cili i kishte deklaruar se e kishte filmuar atë më shumë se katër herë duke u zhveshur apo bërë dush në banesën e saj, dhe në rast se nuk donte që pamjet e saj intime në banesën e saj të publikoheshin në rrjete të ndryshme sociale, 22- vjeçari në këmbim të filmimit në celular i ka kërkuar 500 euro.

Sipas të kanosurës me iniciale M.B, ky kërcënim i të riut kishte rreth një javë, ndërsa, kur kjo e fundit e kishte pyetur se kush ishte, i riu i kishte pohuar se ishte fqinji i saj.

Ai banonte në pallatin përballë shtëpisë së ulët ku jetonte 48-vjeçarja. E ndodhur në panik, dhe në pamundësi për të bërë ndryshe, 48-vjeçarja vendos ta denoncojë rastin në polici. Sektori Kundër Krimeve të Rënda ka bërë një marrëveshje me denoncuesen, duke i shprehur mbështetjen e vet, por vetëm në rast se kjo e fundit pranon kushtet e djalit.

Mësohet se 48-vjeçarja ka pranuar që të dorëzojë 500 eurot në këmbim të kamerës, e cila ishte incizuar me një telefon celular, dhe në momentin e dorëzimit, i riu është arrestuar nga policia.

Ky i fundit ka pohuar në polici se e kishte kryer këtë akt, pasi prej kohësh nuk kishte asnjë të ardhur dhe se mënyra e vetme për të siguruar paratë ishte që të kërcënonte 48- vjeçaren, duke shfrytëzuar intimitetin e saj brenda banesës. Policia mundi të sigurojë pamjet filmike të incizuara nga djali, si edhe telefonin celular tip “Nokai E.51”, me të cilin kishte incizuar 48-vjeçaren.

MIRANDA SADIKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura