Reforma në Hipotekë, nga sot aplikimet e ankesat online

Jul 7, 2012 | 14:09
SHPËRNDAJE

Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë thjeshtëzon dhe lehtëson shërbimet për qytetarët. Në sajë të dixhitalizimit të institucionit, nga dje ka nisur të funksionojë një portal i shërbimeve online në ZRPP. Përmes këtij portali qytetarët apo përfaqësuesit e bizneseve mund të kryejnë aplikime online e njëkohësisht edhe ankesa online. Në sajë të këtij portali, çdo qytetar, për çdo veprim që kërkon të kryejë në zyrat e ZRPP-së, duhet të paraqitet aty vetëm një herë. Në këtë paraqitje qytetari do të plotësojë një aplikim dhe do të pajiset me një username (emër përdoruesi) dhe një password (fjalëkalim). Pas këtij momenti, qytetari nuk do të ketë më asnjë kontakt fizik me ZRPP. Duke përdorur emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin e marrë pas aplikimit, ai mund të futet në portal dhe të shohë në çdo moment se si po ecën aplikimi i tij. Qytetari përmes futjes në portal mund të mbikëqyrë të gjitha veprimet që kryhen me aplikimin e tij nga zyrtarët e ZRPP-së, se në ç’fazë ndodhet, apo se kush po e pengon, a çfarë problemi ka.
ANKESAT
Në të njëjtin portal ku do të aplikojnë, qytetarët kanë mundësinë edhe të ankohen në rast të vonesave me veprimet e aplikimeve të tyre. Edhe ky ankim do të paraqitet online, nëpërmjet pjesës tjetër të portalit. Ankimi mund të bëhet në disa forma: audio (në linjë telefonikë), me SMS, në WEB, ose më e-mail (postë elektronike). Njëkohësisht ankesat mund të bëhen edhe direkt nga publiku në ambientet e pritjes së publikut. Mesazhet e marra me audio, SMS, WEB dhe e-mail, regjistrohen në mënyrë automatike nga sistemi. Pjesë e këtyre mesazheve bëhen edhe ato të marra nga Zyra e Pritjes së Publikut.
PREZANTIMI
Prezantimi i portalit të ri të shërbimeve online të ZRPP u bë dje nga ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, në një ceremoni inaugurimi në Zyrat qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në kryeqytet. Pasi shpjegoi detajet e portalit, ministri Halimi u shpreh se “ky portal largon lodhjen për qytetarët, shmang kontaktet me punonjësit, shkurton kohën, eviton burokracitë, eliminon korrupsionin dhe modernizon sistemin”. Halimi e vlerësoi portalin e shërbimeve online si reformë historike të ZRPP në raport me qytetarët. “Transparenca totale e aplikimeve, respektimi i radhës së tyre me sistem elektronik, kontrolli online 24 orë në 24 nga çdo qytetar, do të rrisë pa dyshim reputacionin e këtij institucioni në sytë e publikut”, tha Halimi. Në ceremoni mori pjesë edhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri e vlerësoi projektin si një reformë të jashtëzakonshme në favor të qytetarëve.

Korrupsioni
Qëllimi kryesor i portalit të ankesave online ka qenë shmangia e kontaktit të qytetarëve me administratën për shërbimet e përditshme. Ofrimi i shërbimeve me anë të teknologjisë së portalit të ankimimeve, sipas Ministrisë së Drejtësisë, shmang mundësitë për korrupsion dhe për abuzime nga ana e nëpunësve.

Berisha
I pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të portalit të ri online për aplikimet dhe ankesat e qytetarëve në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), në Tiranë, ka qenë edhe Kryeministri Sali Berisha. Kryeministri u njoh nga specialistët e fushës me shërbimet që ofron portali dhe mënyrën e funksionimit të tij. Më pas, Kryeministri përshëndeti të pranishmit dhe përgëzoi punonjësit e ZRPP për punën shumë të rëndësishme në shërbim të qytetarëve, në njërën prej fushave më themelore të shoqërisë dhe të shtetit, siç është regjistrimi i pasurive. Berisha u shpreh se Shqipëria dixhitale, e cila deri pak vite më parë ishte e paimagjinueshme për qytetarët shqiptarë, tashmë po bëhet gjithnjë e më e prekshme, gjithnjë e më reale për ta. Sipas Kryeministrit, zbatimi i projekteve të tilla rrit transparencën e punës së administratës shqiptare dhe disiplinon zyrtarët për më shumë eficiencë dhe shpejtësi në gjetjen e zgjidhjeve për kërkesat e qytetarëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura