Regjistrimi i pronave, Pjetri: Respektoni afatet, largime nga puna për abuzuesit

Sep 6, 2018 | 13:27
SHPËRNDAJE

Kryeregjistruesi Valdrin Pjetri ka kërkuar nga drejtuesit vendorë të hipotekave që të respektojnë afatet për regjistrimin e titujve të pronësisë. Gjatë një takimi të zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, Pjetri paralajmëroi largim nga vendi i punës për abuzuesit.

“Verifikoni çdo ankesë të platformës së bashkëqeverisjes dhe evidentoni çdo punonjës që ka neglizhuar në dhënien e shërbimit ndaj qytetarëve dhe largimin e atyre që kanë abuzuar me afatet e dhënies së këtij shërbimi”, u ka kërkuar kryeregjistruesi drejtuesve vendorë të Zyrave të Regjistrimit.

Valdrin Pjetri

Sipas tij, çdo praktikë që vjen nga qytetarët duhet të trajtohet brenda afatit dhe nuk duhet të ketë më vonesa. Kryeregjistruesi kërkoi trajtimin e praktikave të prapambetura deri në fund të këtij muaji.

Gjithashtu, për përmirësimin e shërbimit, Pjetri kërkoi nga drejtuesit vendorë të hipotekave që të marrë fund njëherë e mirë sorollatja e qytetarëve. “Akt-Verifikimi për një dosje të ketë vetëm një. Ka raste kur punonjësit bëjnë ping-pong me qytetarët duke i kërkuar plotësimin e dosjes me disa Akt-Verifikime. Të studiohet mirë dosja dhe të dalë vetëm një Akt-Verifikimi. Ju kërkoj zbatimin e urdhrit të nxjerrë nga kryeregjistruesi me nr. 937, dat? 12.06.2018 për këtë çështje”, vuri në dukje Pjetri, i cili kërkoi po ashtu nga drejtuesit vendorë të Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që të mbajnë zyrën hapur për qytetarët, madje dhe të kontrollojnë vazhdimisht funksionimin e sporteleve të tyre dhe të sqarojnë qytetarët sa herë krijohen radha në to.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura