Regjistrimet në gjimnaze online, ja afati dhe tri hapat e aplikimit në “e-Albania”

Jul 5, 2021 | 8:56
SHPËRNDAJE

Të gjitha regjistrimet në institucionet publike të arsimit parauniversitar do të bëhen online, si ato për klasë të parë, ashtu edhe në klasën e dhjetë, apo gjimnazet.

qemal-stafa-gjimnazi

Pas atyre që hyjnë për herë të parë në klasa, kanë nisur aplikimet për nxënësit që kapërcejnë shkollimin e detyruar 9-vjeçar në atë të mesëm (si klasën e dhjetë apo gjimnazin me kohë të pjesshme). E-Albania do të funksionojë edhe në këtë rast dhe kërkon vetëm tri hapa. “Regjistrimi kryhet në më pak se një minutë.

Përzgjidh shkollën 9-vjeçare që ke frekuentuar, sistemi shfaq gjimnazin që i takon shkollës ku ke kryer arsimin bazë. Bashkëlidh dëftesën e lirimit”, thuhet në njoftimin në e-Albania. Pikënisja e regjistrimit është shkolla 9- vjecare. Ashtu sikundër ka funksionuar çdo vit tjetër, janë një grup shkollash të mirëpërcaktuara, nxënësit e të cilave pranohen në një gjimnaz apo një tjetër.

Për shembull, te “Qemal Stafa” do të pranohen automatikisht nxënës të shkollave që cilësohen si vartëse, si: “Avni Rustemi”, “Jeronim de Rada”, “Hasan Vogli”, “Qazim Turdiu”. Procesi i aplikimit do të vazhdojë deri në gjysmë të muajit korrik. Një gjë e tillë përveçse lehtëson procedurën dhe fiton kohë duke mos u sorollatur sa një shkollë në tjetrën, shmang abuzimet me mbiregjistrimet në gjimnaze të preferuara në afërsi të qendrës, nga nxënës të zonave periferike.

Jo më pak të lehtësuar ndihen edhe mësuesit, të cilët fillojnë lejet e zakonshme, ndërsa prindërit nuk do të mundohen të gjejnë të njohur për të regjistruar fëmijët në shkollat që duan, dhe jo atë që iu takon. Ashtu si aplikimi, çdo përdorues merr përgjigje në kohë reale nëse është pranuar apo jo.

“Ju do të njoftoheni elektronikisht në rast pranimi apo refuzimi të regjistrimit”. E-Albania u pilotua në gjysmën e dytë të muajit qershor për regjistrimin e fëmijëve në klasën e parë. Jo në të gjitha, por në 182 shkolla të vendit, për t’ua aplikuar vitin që vjen në të gjithë sistemin arsimor. Procedura është e njëjtë me atë të gjimnazeve dhe kërkon po aq mund e kohë për të siguruar një vend në shkolla për të vegjlit që hyjnë për herë të parë. Deri në 10 korrik, prindërit do të kenë një përgjigje po përmes sistemit online, nëse ka përfunduar me sukses regjistrimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura