Regjisorja Plasari: Rama mund të vendosë për shallvaret dhe kollaret e tij, jo për teatrin. Edhe Hitleri…

Mar 20, 2018 | 12:58
SHPËRNDAJE

Regjisorja Sesilia Plasari ka bërë një shkrim, ku ngre dyshime për qëllimet e vërteta të prishjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një të riu.

Sipas saj, “Një kryeministër mund të vendosë – pa pyetur familjarët – për shtëpinë e vet dhe për letrën e mureve të zyrës së tij, – madje dhe kjo është e tepruar se është zyrë shteti dhe ajo nuk i pëlqen patjetër kujtdo – mund të vendosë për shallvaret dhe kollaret – edhe kjo në jetën zyrtare lë shkas për diskutime – por jo për gjithë Shqipërinë”.

sesila-376x360

“Aktorët, si gjithë qytetarët, kanë arsye të mos jenë të bindur se teatri duhet të prishet dhe jo të restaurohet ose të rindërtohet.

Nuk janë të bindur se po bëhet më e mira. Ata kanë dyshimin se teatri po përdoret në favor të ndërtuesve e se po i «hahet» sipërfaqja. Ata kanë ndjenjën e fajit se me pretekstin e një teatri, i cili duhet të prishet e të bëhet i ri, i hapet rruga betonizimit të gjithë një lagjeje në qendër të Tiranës. Ata nuk duan që teatri të bëhet shkas për afera korruptive e kriminale e që ata ta ndjejnë veten të përdorur pa dashje e pa kuptuar.

Ata duan transparencë. Në rast se ata do bindeshin që teatri duhet prishur, nga profesionistë me besueshmëri dhe integritet, atëherë dhe vetëm atëherë do shtronin për reflektim çështjet pasardhëse: do donin të thellohet reflektimi se çfarë duhet të bëhet në rastin e keq të prishjes. A do ishte më mirë të rindërtohej i njëjti teatër, si një e tërë, e pacopëzuar eksperimentalisht, (gjë që për mendimin tim personal është zgjidhja e vetme e denjë për qytetin) – apo një tjetër”, shkruan ajo.

“Një kryeministër mund të vendosë – pa pyetur familjarët – për shtëpinë e vet dhe për letrën e mureve të zyrës së tij, – madje dhe kjo është e tepruar se është zyrë shteti dhe ajo nuk i pëlqen patjetër kujtdo – mund të vendosë për shallvaret dhe kollaret – edhe kjo në jetën zyrtare lë shkas për diskutime – por jo për gjithë Shqipërinë. Ka dhe njerëz të tjerë që jetojnë në të, të cilët kanë të drejtë të marrin pjesë në vendimmarrje. Edhe një shtëpi kur bëhet, llogariten nevojat dhe shijet e të gjithë pjesëtarëve të familjes, jo më një shtet. Ka njerëz të ndershëm që mund të preken nga sinqeriteti i tij kur kryeministri deklaron duke këmbëngulur në televizion «Unë e dua Shqipërinë».

Është kollaj ta besosh si të vërtetë, se përndryshe për ç’arsye do t’i kushtohej transformimit të saj sipas shijes së vet për 18 vjet rresht? Por duhet pasur kujdes se sinqeriteti nuk është garanci. Gjithë të tjerët, që e duan dhe ata vendin e tyre, nuk duhet ta ulin vigjilencën për Shqipërinë që duam, përderisa edhe një Hitler e donte me ngulm Gjermaninë, por e donte ashtu siç i thoshte mendja atij dhe nuk dyshoi asnjë çast, deri në bunker, se mund edhe të mos kishte të drejtë”, shkruan Plasari.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura